Deri tani kërkesa e njohjes së shtetësisë ishte falas, tashmë 300 euro

    408
    Sigal

    ITALI/ Shtetësia. Më 8 korrik hyn në fuqi taksa për pasardhësit e italianëve

    Këtej e tutje kërkesa për njohjen e shtetësisë do të kushtojë 300 euro. Konsullata Italiane në Buenos Aires: “Do të kushtojë sepse njohja e shtetësisë është një praktikë e komplikuar dhe e kushtueshme”

    – Pasardhësve të italianëve që duan të rifitojnë shtetësinë u leverdis të nxitojnë për të shmangur pagesën e një takse të re. Kanë kohë vetëm një javë për të paraqitur kërkesë, përndryshe nga 8 korriku duhet të nxjerrin nga xhepi 300 euro më shumë. Pikërisht në atë datë do të vijë në fuqi ligji 89/2014 që mes të tjerave parashikon edhe një taksë prej 300 eurosh për njohjen e shtetësisë që kërkohet pranë konsullatave italiane prej atyre që kanë prejardhje italiane.

    Deri tani kërkesa e njohjes së shtetësisë ishte falas. Tarifa e re duhet të shërbejë (edhe pse ligji nuk e thotë shprehimisht) për të shtuar në përfaqësitë konsullore personelin e angazhuar për përpunimin e praktikave të prapambetura, veçanërisht në vende si Amerika Latine që në shekullin e shkuar ishin destinacione të privilegjuara të emigracionit italian.

    Jo rastësisht, në fakt, konsullata në Buenos Aires ka botuar prej disa ditësh tashmë në faqet e saj internet një lajmërim me risinë ligjore. “Do të jenë të detyruar të paguajnë – shkruhet – të gjithë personat me moshë mbi 18 vjeç që kërkojnë njohjen e shtetësisë italiane për cilindo motiv” por “vazhdojnë të paraqiten pa pagesë të gjitha kërkesat e njohjes së shtetësisë për të miturit”.

    Kujt nuk do t’i njihet shtetësia, nuk do të mund të rikuperojë 300 eurot. “Duke qenë se është kontribut për trajtimin e praktikës – konfirmon konsullata – ai do të paguhet detyrimisht në çastin e paraqitjes së kërkesës edhe në rast se dokumentacioni i bashkëngjitur të jetë jo i plotë dhe pavarësisht rezultatit të verifikimeve”.

    “Futja e tarifave konsullore për këtë shërbim, deri tani i ofruar falas, u vendos – përfundon lajmërimi – duke mbajtur parasysh vështirësitë e shqyrtimit të praktikës për rindërtimin e pemës gjenealogjike që jep të drejtën e shtetësisë që, siç dihet, mund të ketë të bëjë me shumë breza (ndonjëherë shkohet deri mbi gjashtë breza). Shqyrtimi dhe përmbyllja e kërkesave mbingarkojnë zyrat konsullore duke u shkaktuar impenjim të  konsiderueshëm të burimeve njerëzore dhe mjeteve të punës”.

    E. Pasca

    *******************************8

    Tani do të jetë në rrugën Giovanni Battista Pirelli 30, as 500 metra nga stacioni qendror i trenit

    Konsullata e Shqipërisë në Milano, nga 1 korriku në seli të re

    Tani do të jetë në rrugën Giovanni Battista Pirelli 30, as 500 metra nga stacioni qendror i trenit. Shumë shpejt, e njëjta seli do të  jetë edhe konsullatë e Republikës së Kosovës

    – Nga 1 korriku, Konsullata e Përgjithshme e Shqipërisë në Milano ndodhet në një adresë të re. Më në fund u largua nga sheshi qendror i Duomos, vend prestigjioz por pak i përshtatshëm për pritjen e qytetarëve, e që nesër (1 korrik) do të jetë në ambientet e reja në rrugën Giovanni Battista Pirelli, 30, pranë (as 500 metra) stacionit qendror të trenit (shtyp mbi hartën përbri për ta zmadhuar). Ky ndryshim ishte paralajmëruar në fund të janarit, kur konsujt Luljeta Çobanaj dhe Rezart Shkëmbi u kishin kërkuar këtë gjë kryeministrit Rama e ministrit të Jashtëm Bushati gjatë vizitës që bënë në konsullatën e Milanos. Kryeministri mbështeti kërkesën e tyre për kalimin e konsullatës në hapësirë të re, edhe për faktin se pranë konsullatës pritet të atashohet edhe konsulli i Kosovës dhe ajo do të fillojë të funksionojë si përfaqësi e të gjithë shqiptarëve. “Do të kalojmë diku tjetër në mënyrë që të kemi më shumë ambiente për konsullatën tonë këtu dhe që të ofrojmë shërbime sa më të mira”, – tha atëherë edhe ministri Bushati.

    Konsullja e Përgjithshme, Luljeta Çobanaj thotë tani për Shqiptariiitalise.com se puna për gjetjen e selisë së re nisi menjëherë e tani janë të kënaqur për mjediset e reja. “Për disa arsye: nga 1 korriku do të kemi në dispozicion 350 metra katrorë (mëse dyfishi i ambienteve që kemi në sheshin e Duomos), në një kat të parë me hyrje më vete. Për më tepër qiraja do të jetë 30% më e vogël se ajo e paguar deri tani”. “Në konsullatën e Milanos jemi tre konsuj e një staf teknik prej tre personash për pasaportat dhe kemi një fluks ditor prej 150 qytetarësh. – vazhdon konsullja që shton se së shpejti numri i personave që do t’i drejtohen Konsullatës do të rritet ndjeshëm – Brenda korrikut, e njëjta seli do të përdoret edhe nga një staf konsullor i Republikës së Kosovës. Konsullata do të jetë vërtet e të gjithë shqiptarëve. Në hyrje të saj do të jenë tre flamuj, shqiptari, kosovari dhe italiani, dhe e shkruara “Eja të flasim shqip” me të cilën do t’u japim mirëseardhjen të gjithëve”. “U kërkojmë ndjesë qytetarëve për ndërprerjen e shërbimit për një javë e kërkojmë mirëkuptimin e tyre. – përfundon konsullja duke kujtuar që konsullata do të qëndrojë mbyllur nga 23 deri në 30 qershor – Ishte periudha minimale e nevojshme për transferimin në zyrat e reja ku të gjithë do të gjejnë padyshim një mjedis më të përshtatshëm për një shërbim cilësor”.

    K.B./Shqiptari i Italisë