Deputetët ndajnë përqindjet me mjekët e spitaleve

    71

    Skandali/ Aparaturat prishen në shtet, që pacientët të shkojnë në privat

    Shërbimi shëndetësor në vend ndodhet në kaos. Çuditërisht, në spitalet shtetërore, aparaturat e diagnostikimit apo të trajtimit për pacientë prishen, mbeten për një kohë të gjatë pa rregulluar, ose në raste të tjera edhe kur blihen, nuk montohen. Shërbimi i diagnostikimit me anë të këtyre aparaturave kushton nga 1200-1500 lekë në shtet, për të siguruarit, ndërkohë që në privat kushton nga 25 000-30 000 lekë. “Mosfunksionimi” i qëllimshëm i këtyre aparaturave në shtet, bën që pacientët t’u drejtohen, apo të drejtohen (nga vetë mjekët e spitaleve shtetërore) te privati. Dhe, sigurisht, pacientët që kanë urgjenca nuk mund të presin derisa të “rregullohet” pajisja në shtet, kështu që janë të detyruar t’i drejtohen privatit. Gazeta “Telegraf” në kryetitullin e datës 5 shtator zbardhi skandalin e radhës në shëndetësi, nëpërmjet denoncimit të qytetarit Xhevahir Ahmetlli, i cili rrëfeu sesi mjekët e Urgjencës së Kardiologjisë në QSUT e drejtuan tek një klinikë private për të operuar gruan. Ndërsa vetë ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja, në fillimet e tij është shprehur se “në spitalet shtetërore ka një “dorë të zezë” që prish pajisjet me të cilat diagnostikohen pacientët në vend” duke premtuar se do ta ndalë atë dorë. Por realiteti është i njëjtë, madje më keq, edhe tani pas një viti që ministri Beqja menaxhon shëndetësinë në Shqipëri. Dërgimi i pacientëve drejt spitaleve private dhe menaxhimi jo adeguat i QSUT-së, ishin dy nga problematikat që ngriti deputeti i PS-së, mjeku Ylli Ziçishti në Komisionin e Shëndetësisë. Duke iu drejtuar ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, Ziçishti nënvizoi ndër të tjera se “shumë prej mjekëve i dërgojnë pacientët, edhe te privati, sepse përfitojnë përqindje lekësh”.

     Spitali i Durrësit 2 muaj pa rezonancë

    Ka më shumë se dy muaj që rezonanca në në spitalin shtetëror të Durrësit është e prishur. Ndaj pacientët janë të detyruar të shkojnë e ta marrin këtë shërbim te privati, që, për çudi, asnjëherë nuk prishet. Po, nëse di çmimet për marrjen e këtij shërbimi si në shtet ashtu dhe në privat, nuk do të përbënte çudi të madhe ky fakt. Pasi, një rezonancë e thjeshtë kushton 25 mijë lekë në shtet për të gjithë të pasiguruarit, ndërkohë që në privat kushton sa dyfishi, mbi 40 mijë lekë për një rezonancë në një pjesë të trupit. Thuhet se në qytetin e Durrësit ka urdhër nga deputetë aktualë të zonës që rezonanca në shtet të mos funksionojë, me qëllim që pacientët të shkojnë në bizneset private të tyre.

     Spitali i Beratit, 5 muaj pa skaner

    Qytetarët e Beratit kanë 5 muaj që shërbimin e skanerit e paguajnë shumë shtrenjtë. Vetëm 2 javë funksionoi skaneri i ri në spitalin shtetëror të Beratit dhe më pas doli jashtë funksionimit, duke i lënë pacientët 5 muaj pa këtë shërbim. Pacientët janë të detyruar të diagnostikohen te privati me çmime shumë herë më të shtrenjta. Ndërsa kompania e pajisjeve mjekësore që ia ka shitur skanerin spitalit nuk shkon t’ia riparojë. Burime për “Telegraf” thonë se e njëjta kompani i ka shitur skanerin klinikës private që është afër spitalit shtetëror. Si ka mundësi, që u prishka vetëm skaneri në spitalin shtetëror, ndërsa ai në klinikën private jo?!

    Skaner

    1 200 lekë me sigurime në shtet

    12 mijë lekë pa sigurime në shtet

    Mbi 20 mijë lekë në privat

      Rezonancë

    2 500 lekë me sigurime në shtet

    25 mijë lekë pa sigurime në shtet

    Mbi 40 mijë lekë në privat