Deputetët: Komision hetimor për kompaninë italiane “Todini” sh.p.k

    353
    Sigal

    Rruga Levan-Tepelenë/ “Todini” sh.p.k, firma italiane që rrezikoi jetën e shtetasve shqiptarë  dhe drejtuesve të mjeteve

    Reshjet e para të shiut të rëna ditët e fundit dhe që  shkaktuan rrëshqitjen e dheut në aksin Levan- Damës, në afërsi të fshatit Kremenarë, të Komunës Fratar në Fier duket se vetëm sa  hoqën koren e plagës të segmentit më të përfolur të boshtit të Jugut, Levan-Tepelenë. Kjo rrugë, e cila ju besua fatkeqësisht kompanisë italiane “Todini” sh.p.k ,tregoi se shqetësimi i qytetarëve, specialistëve, ekspertëve por edhe i një pjese të politikës se kjo kompani nuk ka garanci për zbatimin e  projekteve  të këtij niveli, u faktua me rrëzimin dhe nxjerrjen jashtë përdorimit të rrugës. Masive të mëdha dheu dhe gurët e  rrëzuar mbi autostradë vazhdojnë të mbajnë të kufizuar këtë segment, duke ngritur në gatishmëri edhe forca të tëra policie me tre turne. Për të gjitha këto firma italiane “Todini” duhet vënë para përgjegjësisë  dhe ekspertët e rrugëve dhe organet e hetimit duhet ta konsiderojnë si rast tepër të rrezikshëm dështimin  e këtyre punimeve, për të cilat shteti shqiptar ka dhënë miliona euro. Vetëm dje në një intervistë për “Telegraf”, deputeti i zonës së Fierit, Arion Muçaj u shpreh i revoltuar, duke thënë që veprimet e firmës “Todini” janë më shumë se kriminale, ndaj kjo kompani le të shkojë dhe të rregullojë shtëpitë e atyre që e përkrahin, por jo akset kombëtare të Shqipërisë.  “Argjinatura mbrojtëse prej betoni, që në pamje të parë dukej shumë e madhe dhe habiti të gjithë ku ra,  e panë atë rrëshqitje, tregoi se ishte vetëm disa centimetra dhe nga brenda ishte mbushur me dhera”. Kaq mjafton, që Prokuroria e Përgjithshme të fillojë urgjentisht hetimet dhe të çojë në dyert e qelive ata që me veprimet apo mosveprimet e tyre u bënë shkak për rrezikimin e jetës dhe pronës së dhjetëra e qindra qytetarëve të pafajshëm. E pra, kur një gjë të tillë e thotë përfaqësuesi i sovranit, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, organet e hetimit të Qarkut të Fierit, Prokurorisë së Përgjithshme dhe Kontrollit të Lartë të Shtetit duhet të hetojnë në lidhje me zbatimin e projektit të rrugës. A janë bërë analizat gjeologjike të tokës, në të cilën u krye rrëshqitja dhe nëse jo, kush mbanë përgjegjësi për këtë ? A e ka marrë në dorë supervizori segmentin rrugor dhe çfarë ka relatuar ai ? A është mbajtur garancia financiare dhe nëse jo kush  mbanë përgjegjësi, si  dhe plotë e plotë shkelje  të tjera të tjera, të cilat duhet të vënë me shpatulla pas murit shkaktarët e tragjedisë së rrugës Levan-Tepelenë. E në radhë të parë, ajo që duhet të ndihet e turpëruar është firma italiane zbatuese “Todini” si dhe ata që kanë vënë votën për të shpallur fituese këtë firmë dhe tani rrinë të strukur për gjëmën që u bëri kjo kompani banorëve të zonës dhe gjithë aksit të Jugut të Shqipërisë. Burime për gazetën “Telegraf” bëjnë me dije, se për vonesat që ju shkaktuan kompanive të ndryshme, banorëve të zonës si dhe rrezikimi i  jetës  në afërsi të fshatit Kremenarë, por edhe në zona të tjera të këtij aksi, do të detyrojnë deputetët që shumë shpejt të kërkojnë ngritjen e një grupi hetimor për të zbardhur të vërtetën e punimeve të firmës italiane “Todini” në rrugën Levan-Tepelenë.