“Depolitizimi duhet të fillojë që nga përzgjedhja e Kryetarit të KQZ-së”

385
Sigal

INTERVISTA/Saimir Vishaj, jurist: “Komisioni i Ligjeve nuk zbatoi ligjin për përzgjedhjen e kandidatëve për Kryetarin e KQZ-së”

Saimir Vishaj, kandidoi për Kryetarin e KQZ-së, pasi besoi në kriteret e ligjit  Kodi Zgjedhor, por, në intervistën për “Telegraf”, zoti Vishaj pohon se, procedura u përshkel dhe Kryetarja e  re e KQZ-së është e përzgjedhura e PD-së. Për amnistinë, zoti Vishaj e cilëson “amnistia e turpit”, pasi nuk rehabiliton personat që nuk kanë rrezikshmëri shoqërore, edhe pse janë dënuar për vepra penale deri në 10 vjet, ndërsa do të përfitojnë hajdutët. Prokurori i ri, thotë zoti Vishaj, do të jetë një hap i parë i fitimit të besueshmërisë për Drejtësinë, nëse Kryeprokurori nuk do të zgjidhet nga politika.

– Zoti Vishaj, procedura e zgjedhjes së KQZ-së u zbatua sipas ligjit?

– Kriteret që ishin përcaktuar nga Kodi Zgjedhor për zgjedhjen e Kryetarit të KQZ-së nuk u zbatuan nga Komisioni i Ligjeve, por, përkundrazi, kandidatët u paragjykuan, para se të përzgjidheshin kandidatët sipas kritereve. Në datën 23 shtator, kur ne, kandidatët për Kryetarin e KQZ-së, u dëgjuam në Komisionin e Ligjeve, çdo gjë ishte paragjykuar. Në Kuvend ndodhet një procesverbal, ku pasqyron që deputetët e PD-së, në Komisionin e Ligjeve kanë votuar për kandidatët e tyre, me 9 vota, ndërsa në datën 23 shtator, çuditërisht, po këta 4 kandidatë që ishin përzgjedhur nga PD-ja, që kishin marrë më parë 9 vota, morën 14 vota nga deputetët e PD-së.

– Në këtë rast, a nuk duhej kontestuar kjo shkelje e ligjit, qoftë nga kandidatët e tjerë, por edhe nga vetë opozita?

– Për mendimin tim ka shkelje të ligjit, sepse nga 4 kandidatë që votoi PD-ja, 2 kandidatët nuk plotësonin kriteret, duhet të ishin hequr për të zgjedhur një katërshe tjetër votimi, me dy kandidatët e tjerë, që vijonin me numrin më të madh të votave. 2 kandidatët që u përcollën  për në parlament, për të votuar Kryetarin e ri të KQZ-së, nga Komisioni i Ligjeve, ishin një shkelje flagrante e ligjit.

– Sipas jush, përse opozita nuk këmbënguli në kontestimin e procedurës, por u tërhoq?

– Opozita u tërhoq, mbase është pjesë e programit të saj, që KQZ-ja nuk i intereson, pasi beson te elektorati, por unë vij nga shoqëria civile dhe nuk më interesojnë lojërat politike, as të pozitës dhe as të opozitës.

– Një Kryetar i KQZ-së, që është zgjedhur vetëm me votat e maxhorancës, a është premisë e që KQZ-ja të jetë  e paanshme në zgjedhjet e  2013-s?

– Nuk besoj që fati i zgjedhjeve të 2013-s të varet te Kryetari i KQZ-së. Në qoftë se administrata zgjedhore vepron drejt, mendoj që KQZ-ja veçse t’i legalizojë rezultatet, i mbetet.

– Sipas kontestimeve të PS-së, ish-kryetari i KQZ-së luajti rol përcaktues në rezultatet zgjedhore të 2009-s dhe 2011-s.

– Nuk besoj të përsëritet njëanshmëria, pasi ligji i ri ka mjaft ndryshime që duhen përshëndetur, pasi shumë vendime të rëndësishme do të merren me votë të cilësuar.

– Kjo a nuk është dëshmi që dy forcat kryesore politike, duan të ruajnë monopolin politik, edhe mbi institucionet e pavarura, sikurse është KQZ-ja?

– Besoj se po, derisa forcat politike ranë dakord në heshtje për zgjedhjen e kandidaturave për Kryetarin e KQZ-së. Ato “përkujdesohen” në bazë të interesave partiake, e jo në shërbim të funksionimit normal të demokracisë.

– Si e vlerësoni rolin e shoqërisë civile në procesin e integrimit?

– Ka kohë që shoqëria civile kërkon të ngrejë zërin, përballë këtij muri që janë marrëveshjet e dy forcave politike. Ndaj në këto momente shoqëria civile ndihet e pafuqishme për të sjellë sadopak zhvillim. Unë kisha mbështetjen e 300 shoqatave në mbarë vendin, për të kandiduar për Kryetarin e KQZ-së, për t’i dhënë një impuls të ri institucioneve kushtetuese, por ishte e pamundur që të arrija një qëndrim pozitiv nga dy forcat politike, pavarësisht se mora 9 vota nga Komisioni i Ligjeve.

– Që roli i shoqërisë civile, në procesin e integrimit, nuk është ai i kërkuari, në cilën kryefjalë duhet ta vëmë theksin?

– Në çminimin ose në atributet që i jep institucioneve të Kushtetutës statusi i nëpunësit civil, sepse në qoftë se institucionet kushtetuese do të jenë në ballë të zbatimit të ligjit, e të mos jenë të emëruar nga politika, edhe shoqëria civile do të jetë më afër realitetit e do t’i dëgjohet zëri.

– Sa është tërhequr mendimi i grupeve të interesit në reformat e 12 prioriteteve?

– Përsa i përket reformave të ligjeve në Kodin Penal, ne jemi ftuar, por shpeshherë edhe jemi anashkaluar. Ju përmend rastin e fundit të ligjit për amnistinë. Ku është një ligj nga më të ulët në këndvështrim profesional. Një herë vjen 100 -vjetori i Pavarësisë dhe në këtë ligj duhet të përfitonin një shtresë më e gjerë që vuajnë dënimin. Që kjo amnisti, e turpshme, do ta quaja, përfitojnë vetëm hajdutët e nuk përfitojnë një shtresë më e gjerë. Një intelektual, që ka bërë një shkelje të rregullave të qarkullimit, që ne e quajmë aksident dhe është dënuar me dy vjet burgim, duhet ta vuajë dënimin, kur me amnistinë, fitojnë vetëm personat që vjedhësit.

– Ju shikoni kontekste politike te amnistia, ndërkohë, kur kritika bën fjalë për sfondin e zgjedhjeve të 2013-s?

– Jo nuk ka lidhje. Pjesa që është marrë me ligjin, bën më shumë veprime taktike, për të heqë një grup që janë ordinerë, ndërsa përsa i përket veprave me rrezikshmëri të mesme dhe të lartë shoqërore, nuk i kap fare. Duhet të bëjmë protestë përpara Komisionit të Ligjeve, sepse kemi një mundësi që ky Komision Parlamentar të mos e kalojë p’ligjin për amnistinë, por të rregullojë edhe veprat penale që nuk kanë rrezikshmëri shoqërore,  që u ka mbetur deri në 3 vjet. Shteti në të tilla festa kombëtare, duhet të dëftojë humanizmin e tij.

– Sipas jush, çfarë duhet të bëjë më shumë Komisioni i Ligjeve?

– Mendoj, që dy janë mundësitë. Të rrisë masën për përfituesit, deri në tre vjet, për dënimin e mbetur, si edhe të rritë numrin e veprave penale që parashikojnë dënim deri në 10 vjet burgim. Nuk mund të anashkalohen masat e dënimit, që nuk kanë rrezikshmëri shoqërore, që shkojnë deri në 10 vjet, sikurse janë shkelësit e rregullave të qarkullimit rrugor, ndërkohë veprat penale, si vjedhjet, që janë shumë të përhapura, ata përfitojnë nga ky ligj i amnistisë. Ndaj unë e cilësoj të turpshme këtë amnisti, derisa shoqërisë civile nuk i është marrë fare mendimi. Kjo amnisti është nga më të turpshmet. Deri tani kemi amnistinë e 1997, 2003 e 2005-s, por amnistia e 2012-s solli zhgënjim te avokatët, te të dënuarit dhe të administrata e burgjeve. Kemi edhe mbipopullim të burgjeve, e kjo amnisti do të jepte edhe një mundësi rehabilitimi edhe shumë personave.

–  Statusi i kushtëzuar, çfarë shije ju la?

– Te ne mungon fryma e dashamirësisë midis forcave politike, e kjo paskëtaj, reflektohet në bazë.

– Ju si jurist, kritikën për progresin e pakët të shtetit të së drejtës dhe besueshmëria e ulët për drejtësinë, e shikoni të lidhur me kuadrin ligjor, apo raportet që ka ndërtuar politika?

– Nuk na ka munguar kuadri ligjor dhe orteku i drejtësisë ka ikur poshtë e më poshtë. Ajo që na shqetëson është besimi i pakët që ka populli te gjyqësori. Hapin e parë do ta shikojmë në përzgjedhjen e Prokurorit të Përgjithshëm.

– Faleminderit!