Dënohet gjyqtari që kërkoi favore seksuale, por i shpëton burgut

535
Sigal

 I shpëton burgut
ish-gjyqtari i Beratit Shyqyri Çobo, i cili akuzohet se kërkonte favore
seksuale nga një grua për një çështje gjyqësore. Pavarësisht se Krimet e Rënda
e kanë dënuar me 2 vjet burg, ky dënim është konvertuar në 18 muaj shërbim
prove. Po ashtu, Çobo nuk mund të mbajë për 5 vite me radhë funksione publike.

AKUZAT

Mbi 300 telefonata e mesazhe në telefonin e një gruaje kanë qenë të mjaftueshme
për gjykatën që të vendosë pezullimin dhe më pas arrestimin e gjyqtarit të
Beratit, Shyqyri Çobo i cili akuzohet për korrupsion pasiv në formën e kërkimit
të favoreve seksuale. Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimin në bazë të
kallëzimit të dorëzuar nga shtetasja I.T. pranë Policisë Vendore, Berat.
Nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se kallëzuesja ka qenë
palë në një proces civil divorci, ku gjyqtar i çështjes ishte Shyqyri Çobo. Në
seancën e parë të atij procesi, gjyqtari i është ofruar kallëzueses që t’i
siguronte një avokat, meqë kjo e fundit nuk kishte mundësi financiare. Për këtë
arsye, ata shkëmbejnë numrat e telefonit. Pasditen e së njëjtës ditë, gjyqtari
i dërgon mesazh në telefon kallëzueses, ku, pasi e njofton për gjetjen e një
avokati, i kërkon në mënyrë indirekte që “ta konsiderojë mik”.

Në vijim, nga këqyrja e
aparateve dhe tabulateve telefonikë, rezulton se gjyqtari Çobo i ka dërguar
shpesh mesazhe dhe e ka telefonuar kallëzuesen. Kjo e fundit, megjithëse e ka
kuptuar qëllimin e gjyqtarit për krijimin e një lidhjeje intime, është ndjerë e
frikësuar për faktin se refuzimi i prerë nga ana e saj do të sillte si pasojë
humbjen në procesin gjyqësor ku ishte palë. Për këtë arsye, shtetasja I.T. i
është shmangur në çdo kohë gjyqtarit dhe e ka kallëzuar atë pranë Policisë
Vendore, e cila e referoi rastin pranë Prokurorisë për Krime të Rënda. Në vijim
të hetimeve, Prokuroria ka realizuar këqyrjen e telefonave, nga të cilët ka
rezultuar se për një periudhë gati 3-mujore para kallëzimit, gjyqtari Çobo
kishte kryer mbi 300 telefonata në drejtim të kallëzueses, si edhe një numër të
lartë mesazhesh me tekst. Në mesazhet e dërguara nga gjyqtari konstatohet qartë
tendenca e tij për të bindur kallëzueses që të krijonin një lidhje intime. I
pyetur si person nën hetim nga Prokuroria për Krime të Rënda, i dyshuari e ka
mohuar faktin se mesazhet e tij kanë pasur si qëllim kërkimin e favoreve
seksuale dhe se nuk ka pasur raporte jashtëgjyqësore me të pandehurën. Por, nga
provat e administruara gjatë procesit hetimor, rezulton e provuar se shtetasi
Shyqyri Çobo ka tentuar për një kohë të gjatë të krijojë lidhje intime me
kallëzuesen, e cila ishte palë në një proces gjyqësor të drejtuar prej tij në
Gjykatën e Beratit. Në këto kushte, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar
dyshime të arsyeshme se gjyqtari Shyqyri Çobo ka konsumuar elementët e veprës
penale të “Korrupsionit pasiv të gjyqtarit….”, parashikuar nga neni 319/ç i
Kodit Penal. Për këtë arsye, Prokuroria për Krime të Rënda kërkoi caktimin e
masës së sigurimit “pezullim nga detyra”. Gjykata për Krime të Rënda pranoi
këtë kërkesë ditën e Mërkurë, në dt. 29.06.2016.

MESAZHET

Mesazhi 1
Ende s’jam investuar në dobinë tuaj …Ndonëse statura juaj sociale
post¬martesore për një person të “performancës që unë disponoj – do të jetë
ekzigjencë jetësore, kuptohet që të shijosh “Triumfe… do të flasim!! Ok.

Mesazhi 2

Në qartësinë time sundon “Ideja” standarde se fshati xxxx përbëhet nga
“komunitete ‘që në aspektin intelektual demonstrojnë DEFICENCË!!! Shtetas të
quajtur Y.T. (babai i kallëzueses), për të qenë i sinqertë -Jo, nuk mendoj se e
njoh … Gjithsesi, do komunikojmë gjykoj… Si mendon ?/ OK??

Mesazhi 3

…Mirëmbrëma…Ju jeni potencialisht e emancipuar …E kupton se …”Miqësia që të
njoh progres – kërkohet komunikim dhe jo heshtje, aq më keq druajtje…
Mirënjohje!!

Mesazhi 4

Kurani shprehet se “Ndjenja njerëzore më fisnike që Zoti i ka dhuruar njeriut
është dashuria”!!

Mesazhi 5

Unë konstatova se –”sharmi yt femëror ishte tepër joshës dhe femëror… mos u
prezanto me “modesti (thjeshtësi) të tepruar… do më falësh 100 herë, por
“modestia “e tepruar është veti e njeriut ‘Naiv’ (budalla)… për atë performancë
që ke, duhet të ndjehesh krenare! Ok?

Mesazhi 6

Mos injoro CV¬në tënde intelektuale që disponon …Si e komenton shprehinë se
…”Miqësia shndërrohet në dashuri, ndërsa dashuria kurrrr nuk kthehet në
miqësi”…?

Mesazhi 7

Kurrë s’duhet të pretendojmë idealen, në këtë jetë makabër! Më pëlqen doktrina
sociale franceze se: “Në jetë të tjera duam, të tjera na duan dhe të tjera
kemi”!

Mesazhi 8

Të këshilloj tepër miqësisht që në konceptin apo në filozofinë perceptuese mos
reflekto mendësi fshatareske të natyrës provinciale duke u munduar të tregosh
moral, koha ka evoluar, ndaj duhet të jesh më elokuente me veten dhe në
shoqëri, OK?