Deni Turhani:“Më shumë femra në Kuvend, politika bëhet më humane”

1240
Sigal

Deni Turhani, kandidate për deputete e PR-së, në Qarkun e Tiranës

Kandidimi shënon një moment të rëndësishëm në jetën time.

Deni Turhani, një gazetare e suksesshme, tashmë është edhe një kandidate për deputete, në Qarkun e Tiranës me siglën e PR-së. Zonja Turhani, në intervistën për “Telegraf”, kandidimin e saj për deputete, e cilëson si momentin më të rëndësishëm në jetën e saj. Zonja Demi, pohon, se duke qenë gazetare, duke jetuar e njohur jetën në çdo qelizë të saj, do të ketë obligim moral, që të ngrejë zërin në Kuvend për problemet e qytetarëve dhe të kërkojë zgjidhjen  e tyre. Nga ana tjetër, zonja Deni thotë se, prania e sa më shumë femrave në Kuvend, e bën edhe politikën më humane, më paqësore.

– Zonja Turhani, ç’do të thotë për ju kandidimi dhe cila është ambicia juaj?

– Kandidimi shënon një moment të rëndësishëm në jetën time. Kam një përvojë si gazetare si moderatore, si njeri që njeh nga afër problemet e këtij vendi. Duke qenë gazetare, kam patur rastin të njoh vështirësitë, me të cilat ndeshen qytetarët. Duhet njerëz të guximshëm të ngrenë zërin në Parlament për  problemet e tyre dhe të kërkojnë zgjidhjen e tyre. Së dyti, unë mendoj se, sa më shumë gra dhe vajza të bëhen pjesë në Parlament, aq më paqësore dhe humane bëhet politika shqiptare. Gratë dhe vajzat kanë një rol të rëndësishëm në politikën shqiptare dhe unë besoj se, duke shkuar në parlamentin e ardhshëm, do jem zëri i qytetarëve të zonës që unë përfaqësoj dhe jo vetëm. Përmes votës së tyre të lirë dhe të besuar, do më jepet mundësia për të gjetur modalitete dhe mekanizma më të përshtatshme, për t’i lehtësuar jetën për  mirëqenien e qytetarëve të vendit tim, duke qenë deputete e PR-së. Nëpërmjet zërit dhe punës sime me qytetarët  do të dimë të përçojmë dhe t’i japim vlerën tre shtyllave kryesore që PR-ja e mbron me fanatizmin më të madh Familjen, Pronën, Kombin.

– Qeverisjen 8-vjeçare si do ta vlerësonit?

– E shikoj në dy këndvështrime të ndryshme. Si një qytetare e thjeshtë, mund të them se qeverisja e vendit nga Kryeministri  Sali Berisha vazhdon të ndjekë logjikën e fortë të një lideri të paprekshëm, mbi organizimin dhe këmbënguljen që i parashtron si aspiratat më të rëndësishme, që shteti shqiptar të përfaqësohet denjësisht në mbarë rruzullin tokësor.  Si përfaqësuese e PR-së, e quaj qeverinë “Berisha” një qeverisje të suksesshme. Shqipëria doli nga një vend i pozicionuar në kategorinë e shteteve të dështuara në një vend anëtar të NATO-s. U hoq regjimi i vizave për qytetarët shqiptarë në zonën Shengen, ndërsa pavarësisht krizës europiane dhe botërore, Shqipëria ruajti parametrat pozitiv ekonomik, rriti rrogat, pensionet dhe investimet, sidomos në infrastrukturë.

– Cila është alternativa e PR-së që i afron elektoratit?

– Ju e dini se,  PR-ja, prej themelimit të saj, ka patur  profilin e saj të spikatur që ka ndryshuar shumë edhe nga partitë e tjera të spektrit të djathtë. Për këtë kanë punuar shumë gjithë republikanët shqiptarë, por veçanërisht i ndjeri Sabri Godo dhe zoti Fatmir Mediu. Familja, Prona, Kombi, janë disa nga alternativat më të qëndrueshme të PR-së. Ky vend do të mund të ecë përpara vetëm, duke zbatuar alternativën e PR-së, në themel të së cilës është sipërmarrja e lirë, prona dhe baza e shoqërisë, familja. Në këtë tronditje të fortë sociale, që ka pësuar shoqëria jonë, si rezultat e tranzicionit të gjatë, rikthimi tek forcimi i qelizës së kësaj shoqërie, siç është familja, është një dallim i madh i programit tonë. Unë i ftoj të gjithë votuesit shqiptar t’i besojnë kësaj alternative.

– Përse jeni optimiste se PR-ja do të jetë parti parlamentare dhe cili është parashikimi juaj?

– Besoj shumë se qytetarë shqiptarë do të zgjedhin një alternativë të qëndrueshme, që i premton vendit një zhvillim të vazhdueshëm, të bazuar tek vlerat tona kombëtare, për të cilat ka shumë nevojë shoqëria jone. Unë besoj që koalicioni i djathtë, ku bën pjesë edhe PR-ja, do të rikonfirmohet më 23 Qershor, ndërsa PR-ja do të ketë grupin e saj parlamentar shumë të rëndësishëm.

– Ju si e shpjegoni që ka një acarim të klimës elektorale midis forcave politike, larg dialogut dhe debatit të qasjes së alternativave?

– Mendoj se natyrisht mund të kishte më shumë debate, dhe fokusime tek alternativat më të mira, por për herë të parë gjatë 20 vjetëve të fundit, fushata është fokusuar tek problemet ekonomike, si taksat, tatimet etj, të cilat nuk i  kemi ndeshur në fushatat e mëparshme. PR-ja është një parti e ekuilibruar dhe nuk është përfshirë në polemika shterpë, apo debate jashtë politike, personale etj, siç ndeshim nganjëherë në klimën e nxehtë politike shqiptare.

– Për shqiptarët, cili është më i rëndësishmi që presin nga 23 Qershori? Zgjedhje demokratike, apo fituesi?

– Mendoj se më e rëndësishme është arritja e standardeve më të larta të zgjedhjeve, se sa rezultati i tyre. Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s dhe tashmë kërkesat e ndërkombëtarëve ndaj saj janë shumë më të mëdha. Duhet që Shqipëria të mbyll kapitullin e zgjedhjeve problematike, aq më tepër të debatueshme. Ky problem i demokracisë shqiptare duhet të lihet pas, për të hyrë në një kapitull të ri të standardeve më të larta. PR-ja ka dhënë kontributin e saj në realizimin e zgjedhjeve demokratike, si një parti që e vë  interesin e vendit dhe kombit mbi atë partiak.

– Kur kampet politike tensionojnë acarimin elektoral, a nuk ka përplasje me interesat e elektoratit? ( të cilit më shumë i intereson procesi i integrimit, se sa fituesi).

– Shpesh herë ka një hendek mes interesave të elektoratit dhe partive politike, apo mospërputhshmëri mes tyre. Mendoj se qytetarëve shqiptarë u intereson një proces zgjedhor i drejtë dhe i ndershëm dhe një rezultat i pakontestueshëm nga partitë dhe ndërkombëtarët. PR-ja beson se do të kemi një proces të ndershëm dhe një rezultat që shkon sipas frymës së popullit.

 – Do të ketë pasoja për progresin e integrimit nëse zgjedhjet nuk zhvillohen me standarde, pavarësisht fituesit?

– Natyrisht që, do të kishte pasoja. Ndërkombëtarët kanë shfaqur shenja lodhje dhe nervozizmi nga problematika e mosnjohjes së zgjedhjeve nga partitë, sidomos nga opozita e këtyre 8 viteve të fundit. Në këtë mënyrë, Shqipëria do të humbiste shansin për të marrë statusin e vendit kandidat.  Ky do të ishte një dënim jo për politikën, por për vetë popullin, i cili e dëshiron dhe meriton integrimin.

Alternativa që ofron PR-ja, për qyetarët

 – Cila është alternativa e PR-së që i afron elektoratit?

– PR-ja i ofron të gjithë qytetarëve rritjen e nivelit të jetesës dhe iniciativa për një familje të shëndoshë, shqetësimet e qytetarëve të përcillen sa me drejtë për të  gjetur zgjidhjen më të mirë, në mënyrë që të gjithë të bashkuar rreth emblemës së kësaj partie, suksesi i së cilës daton 22 vjet më parë, të kapërcejë problemet social-ekonomike që po kalon. Të dimë të përcjellim vlerat morale, të vërtetën themelore për shoqërinë tonë.

– Përse jeni optimiste se PR-ja do të jetë parti parlamentare dhe cili është parashikimi juaj?

– Lobimi i të gjithave,  ne  grave, për të qenë pjesë e integritetit të kësaj politike, përbën një forcë, e cila është e patjetërsueshme. Ndaj dhe Partia Republikane ka përfshirë tashmë brenda vetes, si asnjëherë tjetër, gra të thjeshta në dukje, por të pasura në shpirt dhe me shumë forcë në veprim.

 -Faleminderit!