Dëmshpërblimi i të internuarve po mbahet “peng” nga Parlamenti

    390
    Sigal

    Flet Reshat Kripa, kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës

     Disa prej kategorive të të dënuarve politikë po vijojnë që të marrin dëmshpërblimet e tyre sipas vendimit të këshillit të ministrave. Por ndërkohë që, ka edhe kategori që nuk kanë marrë asnjë këst nga dëmshpërblimi që u takon që të marrin. Këto pagesa sipas përfaqësuesve të këtyre shoqatave nuk janë bërë për arsye të ndryshme, ku nuk mungojnë edhe ato politike. Një nga kategoritë që ende nuk ka marrë dritën jeshile për marrjen e ndonjë kësti është edhe kategoria e të internuarve politike.

    Në lidhje me këtë kategori ka dhënë një prononcim për “Telegraf”,Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, Reshat Kripa, i cili ka bërë të ditura edhe arsyet përse nuk kanë dalë dëmshpërblimet për këtë kategori. Sipas tij kategoria e të internuarve politikë po mbahet “peng” nga parlamenti pasi nuk është miratuar një projektligj që ka të bëjë me këtë kategori. Projektligji që pritet të miratohet nga parlamenti në muajin shtator ka të bëjë me njohjen e vendimit të komisionit trepalësh. Njohja e këtij vendimi do ti hapte rrugë edhe kësaj kategori sipas zotit Kripa. Sipas tij të afërmit e të dënuarve duhet të kenë ose një dokument të lëshuar nga Arkivi e Ministrisë së Brendshme ose dokumentin e komisionit trepalësh. Po ashtu është i vlefshëm edhe dekorimi i Presidencës, nëse ka. Këto tre dokumente duhen.

    Pagesat e të pushkatuarve pa gjyq

    Pas një periudhe të gjatë pritjeje ka filluar edhe dëmshpërblimi i të pushkatuarve pa gjyq. Në lidhje me këtë zoti Kripa ka theksuar se: “Ka filluar pagesa për kategorinë e të pushkatuarve pa gjyq. Opinioni është informuar që me datë dy gusht ka dalë vendimi 497 i Këshillit të Ministrave, ku janë të listuar 5160 ish të dënuar dhe 301 të pushkatuar. Sapo ka dalë vendimi i Këshillit të Ministrave të interesuarit kanë filluar që të interesohen dhe të dorëzojnë dokumentet që duhen për këto kategori për të përfituar dëmshpërblim. Me datën tre shtator ka kaluar kontingjenti 1 sipas informacioneve që kemi  parë për pagesë, ku janë rreth 45 dosje dhe do të vazhdojë sistematikisht”. Por këto dosje kanë kaluar për pagesë dhe duhet të dinë të interesuarit që pagesa kërkon edhe një afat kohor të shkurtër për derdhjen e lekëve. “Realizimi i pagesave bëhet me interval dyjavor. Pra, brenda dy javësh pasi është mbyllur lista” ka sqaruar Kryetari i Shoqatës Antikomuniste të të Përndjekurve Politikë Demokratë të Tiranës, Reshat Kripa.

    E vërteta për këstet e tjera

    “Po vazhdon normalisht shpërndarja e këstit të dytë dhe është një hap i mirë edhe pse e theksoj që duhet të kishte filluar edhe më shpejt. Normalisht, sipas ligjit, për çdo vit duhet të kishte nga një këst” vijon më tej kryetari I shoqatës. Por ai thekson se: “Ka filluar shpërndarja e kësteve për personat mbi 65 vjeç dhe që jetojnë, unë do të isha i mendimit që të likuidoheshin të gjithë ata persona që janë gjallë, pavarësisht moshës. Sipas listës së Ministrisë së Financave, janë gjallë mbi 3000 persona dhe nuk duhet ndonjë shumë e lartë që të likuidohen këta persona. Pastaj duhet të fillohet edhe me të tjerët që janë fëmijët e të pushkatuarve”.