Dëmet e përmbytjeve, qeveria nuk shpall gjendjen e emergjencës

591
Ndonëse situata ka qenë dhe mbetet shumë e rëndë, Këshilli i Ministrave heziton, pasi do të detyrohet të paguajë faturat. Berisha, thirrje Metës: Rama i papërgjegjshëm
Qeveria nuk ka vendosur për shpalljen e gjendjes së emergjencës civile në vend apo në qarqe të caktuar, ndonëse situata e përmbytjeve ka qenë tejet e rëndë gjatë ditës së djeshme. Parashikimet nuk janë aspak pozitive as për ditën e sotme, ndërsa ka nisur dalja e disa lumenjve nga shtretërit, duke rrezikuar jetën e shumë qytetarëve. Me një vendim të qeverisë në vitin 2012 janë përcaktuar edhe procedurat se si duhet të veprohet në rast të shpalljes së gjendjes së emergjencës civile, duke e detyruar ekzekutivin dhe pushtetin vendor të angazhohet në kompensimin financiar të të dëmtuarve. “Evidentimi i subjekteve të dëmtuara nga fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga veprimtaria njerëzore bëhet nga grupi i konstatimit, i cili ngrihet me urdhër të kryetarit të njësisë së qeverisjes vendore të dëmtuar”, thuhet në një nga pikat e para të vendimit. Aty përcaktohen edhe procedurat e vlerësimit të dëmeve, vlerësimit financiar dhe miratimit të dëmshpërblimit. “Ministria e Brendshme paraqet projektvendimin për miratim në Këshillin e Ministrave, me vlerën e dëmeve të shkaktuar nga fatkeqësia në objektet pronë private, së bashku me listën emërore të përfituesve, si dhe vlerën e dëmeve të shkaktuara në objektet sociale e publike”, thotë vendimi, pasi detajon mënyrën e vlerësimit të dëmeve për banesat, orenditë e pajisjet, infrastrukturën, bizneset, kulturat bujqësore e blegtorale, mjetet mekanike, makineritë dhe agregatet bujqësore, si dhe në objekte social-kulturore. Gjithashtu, parashikohen edhe një pagesë financiare për familjet që humbasin familjarët si pasojë e fatkeqësive. Por shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme nuk po ndodh, ndërsa qytetarët janë të detyruar të marrin vetë masa, edhe pse një pjesë e dëmeve vijnë për shkak të abuzimeve nga shteti dhe zyrtarët e tij. Mungesa e investimeve serioze për t’i bërë ballë përmbytjeve apo investimet e bëra keq e “të dëmtuara” nga abuzimet financiare rëndojnë sot mbi qytetarët. Ata duhet të paguajnë vetë dhe të presin që shteti të zgjohet pas kalimit të emergjencës. Edhe atëherë, për shumë qytetarë të dëmtuar do të nisë një kalvar i gjatë përpjekjesh për të vlerësuar saktë dhe drejtë pronën që u është dëmtuar dhe aq më tepër për të pritur marrjen e dëmshpërblimit përkatës. 

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme është kërkuar dje edhe nga opozita, nëpërmjet ish-kryeministrit Berisha dhe kreut të grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili. Megjithatë kryeministri nuk e ka pranuar një kërkesë të tillë, duke u mjaftuar me një falënderim për kryetarin demokrat, Lulzim Basha, për mirëkuptimin, por edhe për qëndrimin e mbajtur gjatë ditës së premte për përmbytjet.
Sigal