Dekanët: Mbeten problem i pazgjidhur ambientet, mësimi do jetë më dy turne

    456
    Sigal

    FORUM/Flasin për “Telegraf” dekanët e fakulteteve për mungesën e ambienteve

    Fillimi i vitit të ri akademik 2012-2013 vjen më një problematikë shqetësuese për drejtuesit e universiteteve dhe për studentët që duhet të përballen me mësimin me dy turne për shkak të mungesës së ambienteve. Janë mbi 130 mijë studentë që do të ulen në auditorë, ndërkohë që më shumë se 22 mijë studentë do të ulen për herë të parë. Këtë vit ashtu si edhe me parë një pjesë e madhe e këtyre studentëve janë të detyruar që të ndjekim mësimin me turne për shkak të mungesës së ambienteve. Mungesa  më e madhe e ambienteve është më e dukshme në Universitetin e Tiranës që ka dhe numrin më të lartë të studentëve, por nuk përjashtohen edhe universitete të tjera në qytete të ndryshme. Fillimit të këtij viti si të mos i mjaftonte mungesa e ambienteve për të zhvilluar mësimin, i janë shtuar edhe radhët e studentëve të viteve të para që presin nëpër sekretari për dorëzimin e dokumenteve. Regjistrimi për vitet e parë do të vazhdojë edhe gjatë kësaj jave, pasi ndryshe nga vitet e tjera, ata do të fillojnë studimet në datën 15 tetor. Ndërkohë që, vitet e tjera më lartë, do të vazhdojnë normalisht. Tarifa për t’u regjistruar në fakultet është 1600 lekë dhe është standarde për të gjithë studentët. Duke u kthyer sërish tek mungesa e ambienteve për zhvillimin e mësimit janë prononcuar për “Telegraf” disa nga dekanët e Fakulteteve të Tiranës. Ata në një zëri e kanë pohuar problemin që ekziston dhe janë shprehur se kanë bërë kërkesë për zgjidhjen e kësaj çështje. Por ajo që duket është se tani me fillimin e vitit të ri akademik nuk është marrë ndonjë masë konkrete për zgjerimin e ambienteve në ndonjë nga fakultetet që kanë një problem të tillë. Në lidhje me këtë problematike janë shprehur: Dekani i Shkencave të Natyrës Prof. Mynyr Koni, Dekani i Histori-Filologjisë Prof. Shezai Rrokaj, Dekani i Gjeologji-Minierave Prof. Përparim Hoxha.

    DEKANI I SHKENCAVE TË NATYRËS PROF. MYNYR KONI

    Vështirësia e parë është mjedisi, dhe ne këtë vit na shtohet edhe një vit, pasi deri më tani kemi pasur dy vite tek Teknologjia e informacionit, këtë vit ajo bëhet cikël i plotë. Ne kemi rreth 500 studentë më shumë po ta marrim përafërsisht , kjo do të thotë që kërkon shtesën e katër grupeve, në vitin e parë, 4 në vitin e dytë dhe po ashtu 4 grupe të tjera në vitin e tretë. Kështu që mjedisi është një nga vështirësitë tona të mëdha. Ne kemi negociuar me Rektoratin e Tiranës, jemi duke përgatitur edhe një material për t’ja paraqitur MASH-it dhe Këshillit të Ministrave, për ti dhënë një zgjidhje. Por kemi një sinjal pozitiv, pasi ka filluar ndërtimi i një godine 6- katëshe dhe kjo do na ndihmojë shumë. Së dyti është çështja e stafit akademik. Unë kam shtuar 3 pedagogë tek informatika, dhe numri i tyre nga 15 ka shkuar në 18 dhe do kalojmë edhe dy pedagogë dhe do bëhet 20 numri i tyre.

    DEKANI I HISTORI-FILOLOGJISË PROF. SHEZAI RROKAJ

    Po të kemi parasysh standardet natyrisht që janë të pamjaftueshme, ne e kemi 0,5 metër katror për student. Kemi nevojë për ambiente, por shpresojmë që me kampusin e ri që do bëhet do të ketë një zgjedhje për problemin e ambienteve. Në punojmë me kohë të zgjatur deri në orën tetë të darkës. Ndërsa përsa i përket infrastrukturës brenda fakultetit, do të thoja që janë mobiluar të gjitha ambientet me dërrasa dhe me banka. Në kemi marrë dy laboratorë për gazetarinë. Ndërsa përsa i përket stafit ne do të marrim katër persona të kualifikuar për vitin e ri akademik.

    DEKANI I GJEOLOGJI-MINIERAVE PROF. PËRPARIM HOXHA

    Me normat që ka sot arsimi universitar në fushat inxhinierike mesatarisht një pedagogu i bie të punojë me 12- 15 studentë, ndërsa ne këtë numër e kalojmë. Aktualisht raporti pedagogë-studentë  1- 25 studentë. Kjo pasi numri në total i studentëve është 1570. Kjo gjë në kushte inxhinierike është shumë e vështirë dhe kërkohet një staf i dyfishuar.  Ndaj dhe punimet laboratorike ne i bëjmë në grupe të mëdha dhe jo me 5 apo 10 studentë. Them se ka ardhur koha që në arsimin e lartë publik të bëhen investime më të mëdha për të përballuar të gjitha këto probleme që unë përmenda pak më lartë. Ne kemi kërkuar dhe hartuar strategji të fakultetit për marrjen e projekteve të ndryshme. Natyrisht ne kemi marrë në konsideratë se kush janë aspektet kryesore të tregut të punës. Ne kemi gjykuar se në përmbushjen e këtyre objektivave na duhen dhe ca pajisje dhe laboratorë të rinj.