“Deja vu”, në bulevarde vetëm makinat e “Byrosë Politike”

    491
    Sigal

    Paketa e re Fiskale, makinat e vjetra supertaksim nga 1 janari

    Duke filluar që nga janari i vitit 2014 mbajtja e një makine shumëvjeçare do të quhet luks. Kjo, pasi paketa e re fiskale 2014 që po përgatit Ministria e Financave, në këshillim nga ekspertë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, parashikon ndërhyrje rrënjësore në sistemin e taksimit të tyre. Sipas politikës së ndjekur, do të stimulohet së tepërmi shitblerja e atyre të rejave, ndërsa do të “ndëshkohen” ato që janë prodhuar para shumë viteve. Sipas Ministrit Ahmetaj kjo taksë mund të dyfishohet për vitin 2014, në përputhje me detyrimet e kësaj industrie në BE. Por nga ana tjetër, jemi të ndërgjegjshëm për të ardhurat mesatare mujore të një familjeje në Shqipëri. Familjet me të ardhura të ulëta, as që e mendojnë të blejnë një makinë, qoftë kjo edhe me kosto të ulët. Ndërsa familjet me të ardhura mesatare, që me shumë kursime i lejojnë vetes këtë blerje, është e logjikshme që do të gjejnë një automjet, i cili është me një vit prodhimi të vjetër, por që kushton pak. Atëherë kush i posedon automjetet e reja në Shqipëri? Kuptohet, që ajo shtresë e popullsisë me të ardhura mbi nivelin mesatar dhe ato të nivelit të lartë. Mesa duket, do të rikthehet koha, kur  në Bulevard qarkullonin vetëm makinat e Byrosë Politike. Në fakt, më shumë se “deja vu”, ky është një diskriminim financiar dhe ekonomik i shumicës së popullsisë shqiptare, të cilët nuk kanë mundësi të shpenzojnë aq shumë para për të blerë një makinë të kohëve të fundit. Nëse vendoset ky taksim i dyfishtë për automjetet e vjetra, atëherë  pjesa më e madhe e popullsisë do të detyrohen t’i shesin këto automjete “të përçmuara” nga shteti. E gjithë kjo është një sarkazëm e hidhur, që nëpërkëmb pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare. Ndërsa përsa i përket standardeve europiane, qeveria duhet ta dijë se paga mesatare mujore e një qytetari europian nuk është sa në Shqipëri. Ndërsa propozimi i distributorëve dhe koncensionarëve që shesin autovetura të reja në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese është i tepruar dhe i pa argumentuar. Është absurde kërkesa e koncensionarëve që autoveturat e vjetra mos të kalojnë moshën pesëvjeçare, ndërkohë që autoveturat që shesin distributorët tanë dhe të huaj kanë çmimet më të larta në rajon, krahasuar kjo me autovetura të një moshe e të një marke. Rënia e shitjeve, sidomos për markat e njohura, lidhet pikërisht me çmimet e larta. Koncesionarët duhet ta kuptojnë se rënia e shitjeve, sidomos për markat e njohura, lidhet pikërisht me çmimet e larta që ata mbajnë në tregun tonë. Vetë deputetët në Komisionin Parlamentar të Veprimtarive Prodhuese e rrëzuan propozimin në fjalë me argumentet që lidhen me mundësitë që kanë shqiptarët për të blerë autovetura me zero kilometër.

    Distributorët: Ndaloni hyrjen e makinave të para 2008-s

    Importuesit e makinave të reja i kërkojnë qeverisë që të ndalojë futjen në Shqipëri të makinave me vit prodhimi para vitit 2008. Kërkesa është prezantuar para komisionit të Veprimtarisë Prodhuese nga Shoqata e Distributorëve Ligjorë të Makinave të Reja dhe Klubi i Automobilit, të cilët theksuan nevojën e një ndërhyrjeje ligjore për të bërë të mundur ndalimin e hyrjes në Shqipëri të të gjitha atyre automjeteve që nuk respektojnë normat europiane ‘Euro 5’, ku përfshihet standardi i çlirimit të karbonit në ambient dhe ai i sigurisë. Sipas tyre, tregu i makinave në vend është i çorganizuar dhe në shumicën e rasteve informal, çka ata kanë theksuar se sjell së pari uljen e sigurisë së jetës jo vetëm për shkak të aksidenteve, por edhe të ndotjes së mjedisit, por edhe një evazion të madh financiar.

    Debati, Deputetët: Edhe ne e kemi të vështirë të blejmë makinë me 0 km

    Në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese deputetët e majtë dhe të djathtë kanë deklaruar se nuk janë kundër koncesionarëve dhe se tregu duhet të jetë i barabartë për të gjithë, por as vetë deputetët nuk kanë mundësi financiare për të blerë makina me kilometrazh zero. “Unë jam deputet dhe e kam të vështirë që të blej një makinë me zero kilometra me të ardhurat që kam. Në këto rrethana, imagjinoni dhe pjesën tjetër të popullsisë. Se çdo njeri do të donte të kishte një makinë me zero km”, u shpreh socialisti Besnik Bare. Po ashtu dhe demokrati Ardian Turku tha se “pjesët e këmbimit te koncesionarët në Shqipëri janë 20%-40% më të larta së në vendet e tjera të BE-së”.