Debat par Aktin Normativ, Bode: Ne zgjeruam skemën e pensionistëve!

    384
    Sigal

    Maxhoranca dhe opozita fajësuan njëri-tjetrin sa i takon aktit normativ për pensionet e parakohshme për ish-ushtarakët. Gjatë seancës dëgjimore të Ministrit të Financave kërkuar nga opozita në komisionin Parlamentar të Ekonomisë dhe Financave deputeti i PS-së, Arben Ahmetaj akuzoi qeverinë se, ka shkelur vendimin e Gjykatës Kushtetuese përmes krijimit të akteve normative që bëjnë debitor këtë kategori. “Dua t’i kthehem logjikës së Gjykatës Kushtetuese. Ajo që unë ngrita me shqetësim ka një kontradiktë thelbësore një të drejtë të fituar në Gjykatë. Për shkak të retrospektivës që ka bërë vendimi i qeverisë në 2012 ka filluar t’i nxjerrë ushtarakët debitorë dhe ne e dimë që ligjet s’mund të kenë fuqi prapavepruese. Mbi të gjitha z. ministër kjo kthehet në një kosto pasi të gjithë ata që kanë shkuar në gjykatë me referencë vendimin e Gjykatës Kushtetuese kanë fituar të drejtën në gjykatën e shkallës së parë. Përtej kësaj vepron edhe përmbarimi për të marrë këto para dhe siç jemi në dijeni përmbarimi ka rritur koston. Sugjeroj në emër të opozitës të anulohet ky vendim i qeverisë dhe të hartohet një akt nënligjor transparent standard dhe të mos krijohen këto probleme që sot kemi”, tha Ahmetaj. Por, ministri Bode tha se ligji nuk u bë për të përmirësuar gjendjen e personave me status ushtarak, pasi u përjashtuan policët e burgjeve, zjarrfikëseve etj, po u bë për protagonizëm elektoral. “Ne sot paguajmë 5.2 miliardë lekë në vit më shumë pikërisht nga një protagonizëm elektoral që miratuat në 20 maj të vitit 2005”, deklaroi Bode. Sipas tij, ne zgjeruam skemën, pasi në vitin 2004 ishin 12 800 pensionistë ndërsa sot llogariten 22 mijë pensionistë. “Gjykata Kushtetuese ka lënë në fuqi ligjin që ne po zbatojmë aktualisht këtë ligj që ka lënë Gjykata Kushtetuese në fuqi. Gjykata Kushtetuese la në fuqi këtë ligj pasi në interpretimin e saj u vu në themel siguria dhe stabiliteti financiar të vendit. Shuma që ne paguajmë është 3.7 miliard lekë si masë pensioni dhe 1.5 miliardë lekë është pjesa e kontributit. Ligji i miratuar në 2005 ishte antilogjik pasi një pensionist do të merrte më shumë pension se paga neto që merrte kur ishte i punësuar”, deklaroi Bode.