De Biazi: “Një humbje që më dhemb shumë”

499
Sigal

Trajneri i Kombëtares: “Të sulmonim do të ishte një vetëvrasje”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, e cilësoi jë humbje të dhimbshme atë me Zvicrën (2-0), kjo dhe për faktin se golat nuk erdhën si rezultat i sulmeve të rrjedhshme të kundërshtarit, por për shkak të gafës së mbrojtes në të parin, dhe me një penallti në të dytin. “Është një humbje që të dhemb, sepse ishim duke bërë një ndeshje të mirë, po i kontrollonim mirë. Kemi pësuar një gol në një moment në të cilin mund ta kishim evituar me qetësi. Më vjen keq për këtë, sepse më pas kur Zvicra kaloi në avantazh, do ta shfrytëzonte shumë mirë kundërsulmin”, – tha tekniku italian i përfaqësueses sonë. De Biazi ka argumentin e tij në lidhje me skemën që ai përdori në ndeshjen kundër zviceranëve, ku luajti me një sulmues të vetëm dhe me një lojë më shumë me nuanca mbrojtëse. I pyetur, nëse do të ishte më mirë një skemë agresive, De Biazi tha: “”Nëse donim të bënim vetëvrasje po. Në fakt kjo që bëmë ishte ajo që duhet të bënim, të luanim një ndeshje inteligjente, po e kontrollonim mirë ndeshjen, nuk po krijohej asnjë rrezik dhe në gabimin e parë tonin ata janë gjetur përpara portës. Ndoshta kjo është gjëja që më ka lënë shijen më të hidhur”. Shqipëria ka marrë tri pikë nga dy ndeshjet e para, një fitore 3-1 me Qipron dhe një humbje 2-0 me Zvicrën, ndërkohë që në muajin tetor do të luajmë kundër Islandës (po me tri pikë) dhe Sllovenisë (asnjë pikë). Por, çfarë do të ndryshojë De Biazi në Kombëtaren e tij? “”Do të kërkojmë gjithmonë të përmirësojmë cilësinë e lojës sonë. Do të kërkojmë të jemi më shumë skuadër dhe do të kërkojmë të rregullojmë ato gjëra që për momentin nuk po funksionojnë”.

_______________________________________________________________________________

GRANIT XHAKA: “SHQIPËRIA E FORTË”

Mesfushori shqiptar Granit Xhaka, i cili dha pasimin e golit të parë të Zvicrës, tha: “Nuk ka qenë shumë e lehtë për ne të luanim kundër Shqipërisë, pasi kemi gjak shqiptari. Babin dhe mamin i kam shqiptarë dhe këtë e dinë të gjithë. Shqipëria ka një skuadër shumë të fortë me lojtarë të rinj dhe unë uroj që të vazhdojnë të luajnë kështu, pasi edhe kundër Zvicrës bënë një paraqitje të mirë. Nuk mund të them se luajtën keq. Unë shpresoj të shkojmë deri në Brazil, jam i bindur se do t’ia arrijmë”.

_______________________________________________________________________________

VALON BEHRAMI: “KRENAR PËR SHQIPTARËT”

Mesfushori shqiptar i Zvicrës, Valon Behrami, tha s ai është krenar për atë që ai ka arritur, por dhe për tifozët shqiptarë që kishin ardhur në stadiumin e Lucernës. “Shqipëria ka një skuadër luftarake, luajti mirë dhe nuk u dorëzua, por më duhet të them se Zvicra është më lart aktualisht dhe ka më shumë kualitet, sot kemi treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë. Tatuazhi i shqiponjës? E kam thënë se jam krenar që jam shqiptar, pas luftës kisha dëshirë të bëjë këtë tatuazh, pasi jam i lidhur më vendlindjen. Atje është toka ime, familja ime dhe do ta mbaj për githë jetën. Jam krenar edhe për tifozët shqiptarë, më vjen mirë kur i shoh duke festuar”.