De Biazi nis të gatuajë fitoren ndaj Norvegjisë

    56

     Trajneri i Kombëtares: “Dua një skuadër që, sulmon me shpatë dhe jo ta presë kundërshtarin me lule”

    Trajneri i Kombëtares, Xhani De Biazi, beson te fitorja me Norvegjinë, por ai kërkon që ajo të përgatitet me qetësi. “I dimë pikët e dobëta të tyre, por duhet të japim 110 për qind për ta fituar takimin”, – tha De Biazi gjatë konferencës së tij. Me shpalljen e listë, Kombëtarja shqiptare nisi zyrtarisht përgatitjet. Ndihmësit e De Biazit kanë zbritur në terren prej disa ditësh me pak lojtarë (kombëtarja shqiptare e futbollit vijon stërvitjen në ambientet e resorit “Tropikal” në Durrës. Që prej datës 23, nën urdhrat e përgatitësit atletik, Alberto Bele, stërviten rregullisht Jurgen Gjasula, Tefik Osmani, Renato Arapi, Sabien Lilaj dhe Edgar Çani. Ajo që bie në sy në listën e bërë publike pjesë vetëm 18 futbollistë, prej të cilëve 2 janë debutues me kombëtaren: Jurgen Gjasula dhe Azdren Llullaku. Nga sa tha vetë De Biazi, listës në fjalë pritet t’i shtohen edhe emra të tjerë të rinj më 3 qershor, kur dhe do të kompletohet grupi në stërvitjet dhe grumbullimin disaditor që ka startuar në Durrës. Në këtë pjesë të dytë të listës bëjnë pjesë lojtarë si Ergys Kaçe, Vullnet Basha dhe Amir Abrashi. Ndeshja Shqipëri-Norvegji, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2014, do të luhet më 7 qershor në stadiumin “Qemal Stafa”, në orën 20:30. Kuqezinjtë renditen të tretët në Grupin E, në kuotën e 9 pikëve në pesë ndeshje të luajtura deri më tani (3 fitore dhe 2 humbje, me golaverazh 6:5), aq sa ka edhe Islanda. Grupin tonë e udhëheq Zvicra e Xherdan Shaqirit me shqiptarë të tjerë, me 11 pikë.

       – Mister, po nisni grumbullimin për ndeshjen kundër Norvegjisë. Si e vlerësoni takimin?

    – E vlerësoj një ndeshje shumë të rëndësishme, për ecurinë tonë. Nuk e konsideroj një ndeshje thelbësore, pasi rruga është ende e gjatë. Dhe dikush që, bën disa llogari e kupton që nuk mund të jetë e tillë, në një kuptim apo në një tjetër. Ajo që unë kërkoj, është ta përgatisim ndeshje me qetësinë më të madhe të mundshme, pasi ka një vëmendje të madhe, veçanërisht nga ana e tifozerisë apo dhe vetë medias. Dikur ka qenë një shkretëtirë, sot (dje) është një pjesëmarrje maksimale. Na duhet të bëjmë një ecuri tjetër nga ajo që, kemi bërë deri tani. Këtu përfshihen përqendrimi dhe respekti ndaj kundërshtarit. E dimë se, në çfarë situate ndodhemi; e dimë forcën tonë dhe dimë besoj se kemi përulësinë e nevojshme.

    – Jeni në krye të Kombëtares prej një viti e gjysmë. Si do t’i përshkruanit?

    – Rruga që kemi përshkuar këtu e një vit e gjysëm më parë, është përmbledhur në 12 ndeshje, pesë zyrtare dhe shtatë miqësore. Duke parë dhe pritshmërinë dhe ato që kemi arritur, më duket se kemi ecur në rrugën e duhur. Kjo më jep kënaqësi, pasi të gjitha gjërat lindin nga poshtë, nga një rrugë e re dhe rriten me kohën. Pra, është durim për të mos vendosur shumë presion djemtë. Janë lojtarë që, kanë shumë dëshirë për të bërë gjëra të mëdha me ngjyrat e Shqipërisë, për të qenë sa më lart të jetë e mundur.

    – Publikuat një liste me vetëm 18 lojtarë dhe jo të plotë, përse?

    – Një pjesë e lojtarëve i kanë mbyllur kampionatet, ndërkohë që një pjesë më e vogël ende jo. Për momentin do të publikoj një listë prej 18 lojtarësh, pra ata që do të fillojnë stërvitjen të mërkurën (sot) deri më 1 qershor. Janë dy lojtarë të rinj në këtë grumbullim: Gjasula dhe Lullaku. Këtij grupi do t’i shtohen tetë lojtarë, nga data 3 deri më 7 qershor, ditën e ndeshjes. Emrat do të bëhen publike, më 2 qershor. Duhet të bëjmë shumë kujdes në aspektin fizik, dhe se kush lojtar i ka më të karikuara bateritë në këtë moment, për të dhënë një kontribut 100 për qind e ndoshta dhe më shumë.

    – Keni thirrur për herë të parë sulmuesin Llullaku, ndërkohë që keni lenë jashtë liste Xhevair Sukajn dhe Edmond Kapllanin. Llullaku nuk është i njohur në ambientin shqiptar. Cilat janë arsyet që e keni thirrur?

    – Është shumë e thjeshtë, për karakteristikat si lojtar qa ai ka: fizike dhe taktike. Llullaku është një lojtar që, mund të kryejë disa funksione gjatë lojës, mund të luajë si sulmues anësor, si nga e majta, ashtu dhe nga e djathta, mund të luajë si sulmues i maskuar pas sulmuesit të parë, kështu që më jep opsione për ta përdorur. Në vijën e parë, me Bogdanin, Salihin dhe Çanin, e kemi mbuluar mirë këtë vijë. Kështu që, mendova të thërras Llullakun. Për mua është një lojtar interesant dhe që e kam marrë në konsideratë. Gjithsesi, tashmë kemi një listë të madhe lojtarësh gjatë kohës që po punojmë së bashku. Dikur kishim 34 lojtarë, tani kemi 40 të tillë, të cilët janë në një vëzhgim të përhershëm. Ata që, nuk i kam thirrur nuk e kam bërë me lehtësi, por nuk janë thirrur nisur edhe kondicionet, por dhe në aspektin tekniko-taktik.

    – Kjo është një ndeshje delikate dhe euforia mund të jetë armiku kryesor i Kombëtares. Si keni menduar t’ua përcillni lojtarëve mentalitetin e duhur dhe a keni pasur momente të tilla në karrierën tuaj?

    – Çdo realitet ka dinamikën e vet. Unë besoj se, euforia të bën mirë në një farë mënyre, pasi të nxit, të jep stimuj. E rëndësishme është që, të mos biem viktimë e saj, por të jemi me këmbë në tokë. Siguria jonë është një: në raport me ndeshjen në Norvegji, ne duhet të kemi një përqendrim 30 herë më shumë. Norvegjia do të vijë këtu, e vetëdijshme se duhet të fitojë. Janë në një avantazh ndaj nesh, pasi kampionati në vendin e tyre ka filluar prej katër muajsh, kanë lojtarë që janë në kondicionin e tyre optimal. Gjysma e skuadrës është e kampionatit norvegjez apo suedez. E konsideroj një avantazh të tyre këtë. Për këtë unë jam i bindur, sipas filozofisë sime, se nëse nuk e njeh kundërshtarin në mijëra detaje, atëherë duhet të gjesh pikët e dobëta, për ta venë në vështirësi. Ne i njohim pikat e dobëta të kundërshtarit, ato pak që ka. Ne nuk duhet t’i mbivlerësojmë, apo nënvlerësojmë. Ne duhet të bëjmë ndeshjen tonë. Dua të bëj ndeshjen perfekte. Kjo është ajo pres nga të gjithë. Të gjithë ne jemi të vetëdijshëm që kjo është një ndeshje e vështirë. Nuk do të thotë se fituam në Oslo, dhe ta marrim këtë në Tiranë si një shëtitje. Është një ndeshje, shumë shumë e vështirë.

    – A do të luajë Ergys Kaçe nga minuta e parë?

    – Këtë nuk e di. Varet sesi do të përfshihet në grup. Është një lojtar i ri dhe së pari duhet ta shohim dhe ta vlerësojmë.

    – Në mungesë të Canës kush do të jetë kapiteni?

    – Ende nuk e kam vendosur pasi nuk di kush do të luajë. Duhet të bëjmë disa vlerësime, përfshirë dhe në këndvështrimin e kondicionit fizik. Duhet të dini një gjë se, lojtarët tanë janë në fundin e kampionateve të tyre, kështu do të shohim se kush ka kursyer energji.

    Në vitin 1998 barazuam 2-2 në Norvegji, ndërkohë që humbëm ndeshjen e kthimit 2-1 në Shqipëri. A ju frikësojnë këto statistika?

    – Jo, aspak. Nuk kam pse të merrem me këto krahasime, pasi lojtarët kanë ndryshuar nga të dyja ekipet. E rëndësishme për mua, është që ne të kemi një vazhdimësi në projekt. Të gjejmë lojtarët që, mund të japin maksimumin dhe në formën më të mirë.

    – Do të mungojnë Cana, Lila dhe Roshi. Si keni menduar t’i zëvendësoni?

    – Sigurisht, që ata janë futbollistë të rëndësishëm. Mungojnë Loriku, Andi, Odiseja. Për ne është e rëndësishme të gjejmë zëvendësuesit e duhur. Uroj që, ata të bëjnë punën e tyre dhe të japin 110 për qind dhe pas ndeshjes të gjithë t’i lavdërojnë.

    – Duke parë dhe mungesat, a do të kënaqeshit edhe me një barazim?

    – Nuk hyj kurrë në një ndeshje për të barazuar, por për të fituar. Këtë e kam thënë gjithmonë para ndeshjeve. Nuk dua të marr kurrë rezultatin minimal. Pastaj, sesi do të shkojnë gjërat në fushë është tjetër gjë. Ne duhet ta luajmë ndeshje, me inteligjencë dhe vëmendjen e duhur. Duhet të shfrytëzojmë të gjitha momentet për gol. Unë luaj për tri pikët gjithmonë. Pas ndeshjes, mund të jem i kënaqur edhe një pikë. Varet sesi do të shkojë ajo.

    – Të gjithë janë të kënaqur me punën tuaj me Kombëtaren. Këto ditë është diskutuar edhe për rinovimin e kontratës suaj. A e keni diskutuar për të?

    – Jo. Unë jam një i punësuar i Federatës. Kur të më thërrasë ajo, do të jemi gati të bisedojmë në lidhje me projektin e mundshëm për të ardhmen. Do të jem i kënaqur nëse do të flasim me Presidentin (Duka).

    – Presidenti Duka ka deklaruar se, ai dëshiron të rinovojë me ju…

    – Po, e di. I ndjek median dhe i lexoj gazetat shqiptare çdo ditë. Më bëhet qejfi, për atë që ka thënë presidenti. Midis nesh ka një raport të sinqertë dhe luajal. Nuk dëgjohemi shpesh në telefon, por megjithatë e di që midis nesh ka respekt dhe vlerësim reciprok.

    Lista paraprake

    1.Samir Ujkani       Kievo           Itali

    2.Etrit Berisha            Kalmar          Suedi

    3.Orges Shehi        Skënderbeu      Shqipëri

    4.Admir Teli         Karabak         Azerbajxhan

    5.Debatik Curri      Genshlebirlixhi Turqi

    6.Mërgim Mavraj      Greuther Furth  Gjermani

    7.Renato Arapi       Skënderbeu      Shqipëri

    8.Tefik Osmani       Teuta           Shqipëri

    9.Armend Dallku      Vorskla         Ukrainë

    10.Jurgen Gjasula    Duisburg        Gjermani

    11.Migjen Basha      Torino          Itali

    12.Ansi Agolli       Karabak         Azerbajxhan

    13.Armando Vajushi   Liteks          Bullgari

    14.Ervin Bulku       Sepahan         Iran

    15.Sabien Lilaj      Skënderbeu      Shqipëri

    16.Azdren Llullaku   Gaz Metan       Rumani

    17.Erjon Bogdani           Siena           Itali

    18.Edgar Çani        Katania         Itali

     Tekniku italian: “I kemi ndjekur çdo ditë me instrumentet tanë, për t’i përfshirë në projektin Shqipëria”

     “Miliona kilometra për të zbuluar lojtarët”

      – De Biazi, duke parë dëmtimin e Mehës, mungesën e Roshit, mungesën e Lilës të pezulluar, duket sikur Shqipëria ka një problem nga të dyja krahët. Mungojnë në listë lojtarë të tillë si, Vangjeli, Muzaka, Hyka, që mund t’i kishin plotësuar këto vende…

    – Çdo gjë varet nga nevojat që kemi pasur. Vangjeli ka pasur një dëmtim, por tani ai ka filluar të luajë. Nuk kam dashur të thërras lojtarë që, nuk janë në 100 për qind, pasi kam nevojë për futbollistë që japin 110 për qind. Një vit diellor, Vangjeli ka luajtur saktësisht 363 minuta. Luajti 90 minuta në finalen kundër Shahtor Donjeckut, ndërs për pjesën tjetër ka bërë shumë pak. Kemi folur, madje po u them se për të qëndruar shpesh në bankinë ka marrë dhe ndihmë mjekësore në gju. E kam thirrur së fundi, në ndeshjen me Kamerunin. I njëjti argument vlen dhe për Bakajn. Ai ka luajtur më shumë, por dhe ai ka qenë i dëmtuar. Në lidhje me Hykën, ai ka luajtur në pjesën e dytë të sezonit. Sipas meje, ai mund të bëhet shumë i rëndësishëm për këtë grup. Por, për momentin besoj se, prioritetet tona janë të tjera. Dua një skuadër që sulmon me shpatë dhe jo ta presë kundërshtarin me lule. Kundështarin duhet ta luftojmë me lojtarë që, janë gati për të gjitha opsionet. Përsa i përket thirrjes së Arapit, për mua ai bërë paraqitje të mira dhe më ka dhënë ato indikacione që unë prisja. Duhet të dini një gjë që, unë nuk i thërras lojtarët bazë të simpatisë apo antipatisë. Ajo që vlen për mua, është që ata të luajnë dhe mirë. Ne i ndjekim të gjithë në mënyrë të përditshme me instrumentat tanë, ose direkt në fushë ose përmes mjeteve të tjera. Në këto 16 muaj kemi miliona kilometra por, jo për të shkuar në pushime, por për të ndjekur lojtarët, për të folur së bashku dhe për të kuptuar sesi ata janë përfshirë në projektin tonë “Shqipëria”. Kjo është gjëja më thelbësore.

     Rikthim i Telit

     Admir Teli rikthehet në Kombëtare, në një nga ndeshjet më të rëndësishme të Kuqezinjve. Trajneri De Biazi e ndoqi në aksion, atë dhe Ansi Agollin, në takimin e fituar nga Karabaku i tyre ndaj Bakusë me rezultatin 3-1. Që të dy futbollistët shqiptarë kanë qenë decizivë në këtë fitore, madje Agolli ka dhënë edhe asistin e golit të dytë të shënuar nga Nadirov në minutën e 58- të. Karabaku është në vend të dytë në renditje në Azerbajxhan dhe ka siguruar pjesëmarrjen në Ligën e Europës për sezonin tjetër. Për herë të fundit, Admir Teli ka luajtur me ekipin Kombëtar kundër Katarit dhe Iranit, në miqësoret e 22 dhe 27 majit 2012.

      “Humbjet”, nga Kukeli te Meha

      Trajneri i Shqipërisë, Xhani De Biazi, nuk do të ketë në dispozicion disa lojtarë titullarë, për shkak të kartonëve dhe dëmtimeve. Kështu, kundër Norvegjisë nuk do jenë Lorik Cana dhe Odise Roshi (për shkak të kartonëve të verdhë) si dhe Andi Lila (për shkak të kartonit të kuq). Burim Kukeli dhe Alban Meha do të mungojnë për shkak të dëmtimeve që kanë pasur, dhe operacioneve që kanë kryer.

    Kombëtarja, super shpërblim në rast fitoreje

     Edhe pse nuk ka një qëndrim zyrtar për këtë çështje, mësohet se Federata Shqiptare e Futbollit, në rast të një tjetër fitoreje me Norvegjinë mund të mbushë xhepat e futbollistëve kuqezinj dhe stafit të ekipit kombëtar me një shumë të majme financiare. Natyrisht që do të jetë një shumë prej më shumë se 150 mijë euro për fitoren e Kombëtares Kuqezi në duelin e 7 qershorit ndaj Norvegjisë, një shumë kjo që i takon të jetë rreth 10 mijë euro për kokë lojtari. Për fitoren 1-0 në Oslo, ekipi u shpërble me 120 mijë euro.