De Biazi: “Jemi pa fat, grup i vështirë”

481
Sigal

Trajneri i Kombëtares flet pas njohjes së kundërshtarëve: “Të gjitha ekipet kanë futbollistë të mirë”

Portugalia, Serbia, Danimarka dhe Armenia. Këta janë katër rivalët e Shqipërisë në Grupin I të eliminatoreve të “Euro 2016”. “Qershiza mbi tortë” është Franca, por ndeshjet më të nuk kanë vlerë pikësh, pasi vendi organizator i Kampionatit Europian merr pjesë “virtualisht” në kualifikuese, pasi është kualifikuar direkt, si një nga 24 finalistët. Në fakt, goglat e Nisës dhe pamjet televizive na “dhuruan” një pamje trishtuese të trajnerit të përfaqësueses shqiptare, Xhani De Biazit dhe presidentit i FSHF, Armand Duka. Një grup relativisht i vështirë për kuqezinjtë tanë, të cilët kanë përballë tyre ekipe shumë të forta. Nga vazoja e parë, u përzgjodh Portugalia, ekip me të cilin jemi përballur disa herë dhe në përgjithësi sfidat me luzitanët kanë qenë pozitive, ku vlen të përmendet se kemi arritur të barazojmë edhe në “Estadio Da Luz”, ndërsa kemi bërë ndeshje të mira edhe në “Qemal Stafa”,

DE BIAZI

Duke folur për mediat shqiptare, De Biazi pohoi se, nuk ishim me fat, por nga ana tjetër bëri thirrje për përqendrim maksimal. “Nuk ishim me fat, mendoj që është short i vështirë pasi kemi kundërshtarë më të fortë. Një short që askush nuk e dëshironte. Do të marrim parasysh realitetin dhe do të japim maksimumin në një grup të vështirë, duke kërkuar kualifikimin. Mendoj që i joni është grupi më i vështirë në këto eliminatore. Të tjerët duket sikur kanë ndeshje miqësore. Është e vështirë të gjesh një kundërshtar për tu mundur. Të gjitha ekipet kanë futbollistë të mirë. Edhe Armenia ka një superyll si Mkitarian. Ky është një grup i vështirë por do ti marrim ndeshjet një e nga një. Ne shqiptarët duhet të kalojmë detet dhe malet. Duhet të japim maksimumin të bëhemi të fortë dhe të tregohemi optimist”. Me të njëjtin mendim me trajnerin e përfaqësueses është edhe numri një i FSHF Armand Duka, që e cilëson shumë të fortë grupin edhe pse në Shqipëri skuadra mund të rrëmbejë disa pikë.

KUNDËRSHTARËT

Janë të njohur për ne, edhe me Serbinë luajmë për herë të parë, nëse nuk do ta merrnim në konsideratë faktin që, kemi luajtur pesë herë por me emrin Jugosllavia. Danimarkën dhe Portugalinë, për herë të fundit i kemi pasur kundërshtarë në grupin e eliminatoreve të Botërorit 2010 (Afrika e Jugut). Kundër danezëve kemi 1 fitore (1-0), 1 barazim (1-1) dhe dy humbje (4-0 dhe 3-0).  Me Portugalinë kemi arritur një barazim heroik pa gola në Bragë, ndërkohë që Kristiano Ronaldo me yjet e tjerë luzitanë fituan në Tiranë 1-2, me një gol në minutat e fundit. Nuk mungon njohja dhe me kundërshtarin tjetër Armeninë, skuadër që u mund vetëm gushtin e kaluar 2-0 në miqësoren e luajtur në Tiranë nga skuadra e Xhani De Biazit. Grup i vështirë dhe i ekuilibruar, që na vë përballë yjeve si Portugalia e Ronaldos, e kundërshtarëve si Serbia në një nga sfidat më të ndiera për gjithë kuqezinjtë është ky verdikti i parë i një aventure të re që nis për kombëtaren shqiptare atë të realizimit të ëndrrës për të shkuar në euro 2016.

 Bilanci në Europianë

 Bilanci i ndeshjeve të luajtura është 83 ndeshje, 12 fitore, 20 barazime dhe 51 humbje, 62 gola të shënuar, 154 të pësuar.

Ndeshja e parë

 Më 29 qershor 1963, me një ndeshje të humbur 4-0 me Danimarkën, kur fillon dhe debutimi ndërkombëtar i Shqipërisë në Europë

KALENDARI I SHQIPËRISË

7 shtator 2014 (20:45)

Portugali–Shqipëri

11 tetor 2014 (20:45)

Shqipëri–Danimarkë

14 tetor 2014 (20:45)

Serbi–Shqipëri

29 mars 2015 (18:00)

Shqipëri–Armeni

4 shtator 2015 (20:45)

Danimarkë–Shqipëri

7 shtator 2015 (20:45)

Shqipëri-Portugali

8 tetor 2015 (20:45)

Shqipëri–Serbi

11 tetor 2015 (18:00)

Armeni–Shqipëri

Ljubisha Broçiç, serbi që e bëri Shqipërinë, kampione të Ballkanit

 Shqipëria gjatë gjithë historisë së futbollistike me Kombëtaren e madhe ka fituar vetëm dy trofe ndërkombëtarë, Kampionatin Ballkanik të vitit 1946, të organizuar në Tiranë, dhe turneun “Rothmans” të zhvilluar në Maltë në vitin 2000, kur trajner ishte Medin Zhega. Pikërisht në trofeun e parë të Shqipërisë, dha kontributin e tij serbi Ljubisha Broshiç, një nga teknikët më të mirë të Ballkanit e më gjerë, i cili gjatë karrierës së tij të gjatë, drejtoi disa nga klubet më të mëdha në botë, si Juventusi e Barcelona. “Në vitin 1946, kur u organizua Ballkaniada në Shqipëri erdhi Ljubisha Broçiç. Një trajner i pasionuar, shumë i zoti. Nga më të mëdhenjtë e Jugosllavisë. Më vonë ai ka drejtuar Juventusin, Barcelonën. Broçiç gjithmonë e ka thënë se në Shqipëri kishte gjetur një kontingjent të shkëlqyer lojtarësh. Portier Xhakomino Pozelli, Sllave Llambi, Loro Boriçi, Qamil Teliti, Bule Vathi, Pal Mirashi, Besim Fagu, Zihni Gjinali. Humbëm fatkeqësisht 3-2 me Jugosllavinë, por mundëm Bullgarinë (2-0) e Rumaninë (1-0). Pasi fitoi Kampionatin Ballkanik, me mbarimin e kontratës në krye të skuadrës erdhi Adem Karapici.

 Sfida të nxehta me Serbinë

 Dy ndeshjet me Serbinë – e para, në Beograd më 14 tetor 2014 dhe ajo e kthimit në Elbasan, më 8 tetor 2015 – janë dhe më të shumëpriturat për tifozët e dy vendeve, kjo dhe për vetë sfondin e marrëdhënieve historike tepër të acaruara midis dy vendeve. Në fakt, ndeshemi për herë të parë me Serbinë, edhe pse më përpara me Jugosllavinë janë zhvilluar plot 5 ndeshje zyrtare, nga të cilat nuk kemi arritur të marrim asnjë fitore (një barazim dhe katër humbje). Sfida ka një rëndësi të veçantë për kombëtaren tonë, aq më tepër që vjen në një moment, kur Kosova ka fituar të drejtën e përfaqësimit në ndeshje miqësore.

Ndeshjet me Jugosllavinë

7 tetor 1946, Tiranë

Shqipëri-Jugosllavi 2-3

(Kampionati Ballkanik)

Trajner: Ljubisha Broçiç

14 shtator 1947, Tiranë

Shqipëri-Jugosllavi 2-4

(Kampionati Ballkanik)

Trajner: Adem Karapici

27 qershor 1948, Beograd

Jugosllavi-Shqipëri 0-0

(Kamp. Ballkanik Euro.Q)

Trajner: Adem Karapici

14 maj 1967, Tiranë

Shqipëri-Jugosllavi 0-2

(Kampionati Europian)

Trajner: Loro Boriçi

12 nëntor 1967, Tiranë

Jugosllavi-Shqipëri 4-0

(Kampionati Europian)

Trajner: Loro Boriçi

Reagimi i kundërshtarëve 

Bento: “Nuk është grup i lehtë”

 Druloviç: “Grup shumë i fortë”

Trajnerët e ekipeve kundërshtare kanë reaguar në mënyra të ndryshme, por shqetësimi është pothuajse i njëjtë, si për Benton e Portugalisë; Olsenin e Danimakës, Druloviçin e Serbisë.

 PAULO BENTO, PORTUGALI

“Nuk është grup i lehtë dhe do të na duhen shumë përpjekje. Danimarka dhe Serbia do të luftojnë me ne për kualifikimin dhe në të kaluarën kemi pasur shumë probleme kundër këtyre skuadrave. Armenia dhe Shqipëria nuk janë favorite, por kjo është vetëm në teori. Synimi për Euro 2016 është i njëjti si gjithmonë, but duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, ashtu si deri tani”.

 Morten Olsen, Danimarkë

“Nuk kishte shumë rëndësi se cilat skuadra do të na binin nga vazot 5 dhe 6, pasi në çdo vazo kishte skuadra të mira, por në përgjithësi duhet të jemi të kënaqur. Kemi përvoja të ndryshme me Armeninë, ndërsa me Shqipërinë nuk kemi humbur kurrë. Jemi renditur sipër Portugalisë në eliminatore të mëparshme, ndërsa Serbia është faktor i panjohur. Megjithatë, nga belgët kam dëgjuar se janë skuadër në progres e sipër dhe Beogradi është gjithmonë fushë e vështirë. Shpresoja të shmangia skuadra nga Evropa lindore, megjithatë udhëtimi për në Beograd nuk është shumë i gjatë. Shoh shanse të mira në këtë grup dhe po i pres me dëshirë edhe miqësoret me Francën”.

 LJUBINKO DRULOVIÇ, SERBI

“Mendoj se është grup shumë i fortë. Portugalia është pa diskutim favorite dhe ne do të bëjmë gjithçka për të përfunduar në vendin e dytë. Ndeshjet do të jenë të forta, është një grup që kërkon të jesh plotësisht i përqendruar në çdo takim. Danimarka është një skuadër tipike skandinave, por me teknikë shumë më të mirë. Shqipëria dhe Armenia duan përherë më tepër. Janë skuadra vërtet të vështira në fushën e dyte dhe do të jetë kompeticion interesant”.

Kundër Danimarkës, goli i parë në Europë

 Legjenda Panajot Pano është autori i golit të parë të Shqipërisë në Europë, që firmosi edhe fitoren e parë të Kombëtares sonë në eliminatoret e Kampionatit Europian. Një gol në fitoren 1-0 me Danimarkën, më 30 tetor të vitit 1963. Panajot Pano gjatë një interviste përpara se të ndahej nga jeta (19 janar 2010) e përshkruan kështu golin historik të kuqezinjve”.

Ndeshjet e bujshme

 Fitorja e parë historike i përket Zyber Konçit në triumfin 1-0 kundër Danimarkës në turin e dytë kualifikues të Euro 1964-s (30.08.1963), me një gol brenda 180 sekondave të para të realizuar nga Panajot Pano.  Në Europian, Shqipëria barazoi 0-0 me Gjermaninë (17 dhjetor 1967), duke i hequr asaj të drejtën për të marrë pjesë në finalet e Euro 1968. Fitore të bujshme janë ato me Turqinë (3-0, Euro 1972) dhe Rusinë (3-1, Euro 2004). Shqipëria ka pasur performancën e saj më të mirë në kualifikueset e Euro 2008, kur arriti të grumbullojë 11 pikë, por pa mundur të shkojë në “play-off”.