Daut ZERAJ/ Shtetin mund ta drejtojë kushdo, por jo kushdo mund të ketë rol në histori

    451
    Sigal

    Në kuadrin e përkujtimit të 70 vjetorit të çlirimit të atdheut zhvillohen veprimtari të ndryshme përkujtimore. Në mediat televizive zhvillohen debate dhe analiza për luftën Nacional Çlirimtare, për rolin e saj në të ardhmen e Shqipërisë, por dhe rolit të personazheve që e drejtuan atë. Madje analistë, historianë, por edhe pseudo të tillë bëjnë krahasime për rolin e tyre në Historinë e Shqipërisë. Diçka e tillë nuk ka të keqe nëse bëhet brenda parametrave normale të objektivitetit. Por kur në gjithë këtë ka tendencë, atëherë situata bëhet shqetësuese. Dhe kjo, jo vetëm për ata që e kanë përjetuar historinë dhe ngjarjet, jo vetëm për historianët e paanshëm, por, edhe për njerëzit e zakonshëm të këtij vendi. Kështu vazhdon aventura e sharlatanëve për të bindur opinionin publik se nga partizanët, e udhëhequr nga Enver Hoxha, në Luftën Nacional Çlirimtare nuk janë flijuar jetë njerëzish. Madje për të justifikuar qëndrimin bashkëpunues me pushtuesit të organizatave të Ballit Kombëtar dhe Legalitetit, thonë në mënyrë idiote se kjo luftë çlirimtare nuk ishte e nevojshme, pasi pushtuesit mund të iknin vetë. Në fakt, nuk është ky objekt i këtij shkrimi, është diçka tjetër që lidhet pazgjithshmërisht me të, është fjala për përpjekjet që bëhen nga këta pseudo historianë e analistë, për vlerësim e rivlerësim të protagonistëve të cilët kanë lënë gjurmë në Historinë e Shqipërisë. Në ekranet televizive shfaqen çdo ditë gjithfarëlloj drejtues emisionesh e njerëzish të tjerë të tipit Marku, Gurakuqi apo Peka, që shprehin opinione të cilët me papërgjegjshmërinë e tyre arrijnë deri në marrëzi, sidomos kur vjen fjala për rolin e Enver Hoxhës në histori, por edhe personazheve të tjerë. Këta lloj njerëzish arrijnë deri aty sa të falsifikojnë në mënyrë të papërgjegjshme, falsifikim të cilin ua kanë vënë në dukje protagonistë okularë të ngjarjeve si z Parallaku, një luftëtar i luftës për çlirim, por dhe i vuajtur i diktaturës dhe të tjerë, gjithashtu. këta pseudo bëjnë çmos të minimizojnë e denigrojnë për ta çuar në harresë rolin e Enver Hoxhës dhe të evidentojnë rolin e Sali Berishës në histori, në 100 vitet e fundit. Është për të ardhur keq që gazetarë të tillë të cilët mundohen të krijojnë të tilla opinione, u mungon minimumi i formimit për temat që diskutohen. Nëse u mungon formimi janë për t’u qarë hallin por, nëse e bëjnë qëllimisht, atëherë duhet bojkotuar për të mos thënë më tepër. Kjo, pasi të flasësh për figurat historike të shtetit shqiptar, për 100 vitet e fundit dhe të mos përmendesh Ismail Qemalin, siç bën z Peka, kur shfaq në ekranin e televizionit të tij Sali Berishën, por jo Ismail Qemalin, këtë mund ta bëjnë vetëm njerëz me mangësi të theksuara. Kjo, pasi Ismail Qemali është themeluesi i Shtetit Shqiptar, fakt që njihet dhe është pranuar në mënyrë unanime nga të gjithë shqiptarët, edhe pse historianë e analistë të llojit pseudo, janë munduar ta minimizojnë rolin e tij. Gjë kjo, e cila u vu re me rastin e përkujtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, ku gati sa nuk u tha që nga ky lloj, se flamurin e Pavarësisë e ngriti mbreti Zog, parë në këndvështrimin e nderimit që ju bë këtij të fundit. Është interesante ta thuash, por ka një linjë logjike të këtyre që mund t’i quajmë pseudo, pasi kanë të njëjtën pikë referimi. Të rehabilitojnë gjithçka antikombëtare të së kaluarës, për të justifikuar sjelljet antikombëtare të së sotmes, që sigurisht pasqyrohen në kushte të reja. Se, që të kërkosh me insistim ti vësh rol historik Sali Berishës në historinë e njëqind viteve të fundit, minimalisht është e pajustifikuar. Kjo pasi ai nuk është shfaqur në asnjë moment as si revolucionar dhe as si kundër revolucionar. Përkundrazi, u përfshi në një valë lëvizjesh, fillimisht për t’i penguar ato si përfaqësuesi më i zellshëm i regjimit të kaluar. Kur pa se vetë regjimi në përshtatje me situatën ndërkombëtare i neglizhoi lëvizjet që u quajtën demokratike, u kthye në pjesëtar të tyre. Janë një sërë makinacionesh enigmatike të cilat jo pak herë janë bërë objekt diskutimi, që e nxorën në krye të qeverisjes së re dhe që pas sollën shkatërrim total të Shqipërisë. Duhet thënë këtu, se në vend të tij mund të ishte kushdo tjetër nga komunistët e vijës së ashpër, por kjo nuk ka aspak rëndësi, ndërkohë që ata që me apo pa të drejtë vuajtën pasojat e diktaturës komuniste nuk patën asnjë rol. Por dëmi më i madh, Shqipërisë dhe imazhit të saj ndërkombëtar, i erdhi më pas e sidomos në vitin 1997 e në vitin 1998. Nuk mund ta akuzosh atë si autor të gjithçka ndodhi pasi ashtu si rrodhën ngjarjet kushdo që të ishte në atë situatë në krye mund ti ndodhnin. Por të thuash ka rol historik, kjo nuk qëndron, sidomos në këtë lloj sistemi nuk ka mundësi të luash rol historik, pasi nuk je dhe nuk mund të jesh zot i të gjithë pushteteve. Madje arrihet deri aty sa të bëhen krahasime të pamundura me rolin e Enver Hoxhës, duke harruar se ky ishte udhëheqës në një sistem tjetër dhe që është krejt normale që ashtu si është përgjegjës për të metat ashtu dhe duhet t’i njihen meritat nëse ka. Kjo, pasi ai për aq sa ishte, ishte në tërë kuptimin zot i vendit. Në këtë kuptim çdo përpjekje për t’i veshur z. Berisha rol historik, është rezultat i mendësisë të së kaluarës dhe si e tillë është e destinuar të dështojë.