DAR: Provimi i licensimit për mësuesit zhvillohet 3 javët e para të muajit korrik

    78
    Provimi i shtetit për profesionin e mësuesit do të zhvillohet tri javët e para të muajit korrik. Të drejtën për të hyrë në këtë provim e kanë të gjithë kandidatët që kanë mbaruar për mësuesi dhe kanë përfunduar me sukses praktikën profesionale. Nëse në këtë provim kandidatët dalin me sukses, atëherë u lind e drejta e ushtrimit të profesionit të mësuesit. 
    Agjencia Kombëtare e Provimit njofton mësuesit se testimi për ta starton në fillim të muajit korrik dhe do të zgjasë tri javët e para të muajit korrik, pra nga data 1-22 korrik 2015. Drejtoria Arsimore Rajonale Tiranë njofton se kandidatët që janë përsëritës, duke nisur nga sot dhe deri në datë 30 qershor mund të bëjnë regjistrimin pranë DAR Tiranë duke nisur nga sot, pra datë 25 qershor deri në datë 30 qershor mund të bëjnë regjistrimin në drejtori arsimore. Kandidatët që mbarojnë me sukses praktikën profesionale këtë vit shkollor 2014-2015 janë të regjistruar.
    Sipas Drejtorisë Arsimore Tiranë, kandidatët të cilët kanë zhvilluar praktikën profesionale pranë DAR Tiranë në vitin shkollor 2014-2015 janë të regjistruar. Ndërsa kandidatët të cilët janë diplomuar pas datës 12 janar 2011 dhe pas diplomimit kanë punuar në një institucion publik/privat, do të pranohen në provimin e shtetit vetëm nëse kanë të dokumentuar një vit (12 muaj) pune në librezën e punës. Ndërsa për sa i përket tarifës, ajo vjen në rritje në mënyrë progresive, në varësi të herëve që kandidati i është nënshtruar provimit të shtetit. 
    Nga 10 mijë lekë që paguan kandidati që i nënshtrohet provimit për herë të parë, ata që do të testohen për herë të dytë e kanë 12 mijë lekë, testimi për herë të tretë e ka tarifën 15 mijë lekë, për herë të katërt 17 mijë lekë, ndërsa më të lartë e kanë ata që testohen për herë të pestë, pasi duhet të paguajnë 20 mijë lekë.