Daniele Deda/ Poezi

    370
    Sigal

    LLUM PËR LUMË

     U shtriva, u shtriqa, u kënaqa në llum,

    vrava çastin që dhemb në kokën e dritësuar,

    dhe llumi për lumë më hargalisi shumë,

    pafundësisht ju dhashë natës së errësuar.

    E vara, e ndera në qiellin e grisur,

    dhimbjen e pandjerë që nuk më torturonte,

    dhe era e çmeritur, e çmendur kokëkrisur,

    në njohjen e dhimbjes time më ftonte.

    E unë shumë e zënë në llum duke notuar,

    injorova, anashkalova banimin në jetën time,

    gjithë kohës pandalur u gjenda duke vrapuar,

    në ikje pa paskthime!

     

    E FSHEHUR RRI…

     

    Në njerëz të kërkoja pa ditur se ku

    ti e mjera ishe duke u përpëlitur,

    në njerëz, ku një copë letër ka vlerë e kumt,

    çirreshe duke bërtitur.

    Të kërkoja në ditën pa dritë, pa shkëlqim,

    në natën zemërthyer ty të kërkoja,

    të prisja të shndrisje si dielli në agim,

    e unë të të kundroja.

    Të ndjeva, ishe fshehur diku, e çliruar

    në zemra fëmije,

    se në njerëzit pa shpirt me urrejtje pasuruar,

    ti s’kishe lënë as hije!