Danal Cana: Emigrantët bëjnë çdo punë përveç administratës shtetërore

    524
    Sigal

    INTERVISTA/  Flet gazetari i emigracionit në Greqi, Danal Cana

    Problemet e emigracionit shqiptar në Greqi nuk kanë të sosur. Por shumë prej tyre vijnë për shkak të heshtjes së shtetit shqiptar. Humbja e gjuhës shqipe nga fëmijët, mos vazhdimi i procedurave për legalizim, burokracia e shtetit grek, problemet e toponimeve në pasaportat e fëmijëve, rritja e numrit të papunësisë, janë maja e ajsbergut të problemeve të tyre.

     – Cilat janë problemet e emigrantëve sot?

    Sot që flasim, emigranti shqiptar përballet me shumë probleme. Natyrisht që kriza që ka përfshirë Greqinë vitet e fundit, ushtron presionin më të madh mbi emigrantët dhe familjet e tyre. Emigranti është një fushë e hapur provash, i cili merr goditjet e para të krizës, ose e thënë ndryshe, është një mburojë e vendasve për t’u përballuar me krizën.
    Pse e them këtë? E them për disa arsye, sepse gjendja në të cilën është lënë emigranti detyrimisht që do përballet i pari me papunësinë, mungesën e të ardhurave, mungesën e përballimit të shpenzimeve të domosdoshme të përballimit të jetesës. Kjo është një pyetje që ka brenda shumë përgjigje, megjithatë po them më kryesoret. Ajo që e bën të tronditet familja e emigrantit shqiptar në Greqi, e para është ligjërimi. Ligji i bashkimit familjar është virusi më i keq që kanë mundur të fusin në respektimin e të drejtave.
    Kur një padrejtësi bëhet me ligj, ajo nuk quhet padrejtësi për tutorin, por bëhet burg dhe skllavëri për vuajtësin. Që këtej zë fill garancia e punësimit, e qëndrimit, e lirisë së veprimit, e shkollimit e shumë të tjera. Këtu nuk ka moshë, sepse ata që përfitojnë nga bashkimi familjar janë më tepër të rinjtë, brezat që u rritën në emigracion në Greqi dhe që sot ndihen të pasigurt të kenë një vend pune, një shkollim, një ëndërr për të ardhmen.
    – Ku hasni më shumë probleme për legalizimin?
    Problemet e legalizimit fillojnë që nga ligji i aprovuar në parlamentin grek dhe deri tek burokracia e paimagjinueshme greke. Janë ligjet që të nxjerrin të pa ligjshëm dhe janë  po ato që i shkundin xhepat emigrantit me mënyrën më të pa drejtë duke e shtyrë nëpër zyra pa shpresë, nëpër avokatë etj..
    – Sa emigrantë shqiptarë ka sot në Greqi?
    Me gjithë largimet e shumta, të cilat janë prezente çdo ditë, llogaritet që në Greqi sot të kenë mbetur rreth gjysma e numrit të vitit 2000. Afërsisht, jo me statistika zyrtare, sepse edhe këta nuk e dinë mirë se sa janë, por përafërsisht, mbi bazën e disa informacioneve që jepen nga shoqatat, sot në Greqi duhet të jetojnë akoma rreth 500 mijë emigrantë, të lodhur, të gjymtuar, të sakatuar, pa mbështetje, pa drejtësi,e plotë probleme të tjera.
    – Sa emigrantë janë kthyer dhe sa mund të kthehen në të ardhmen?
    Statistikat vendase flasin për një largim 40 – 50 %.
    – Cilat janë punët që bëjnë sot emigrantët?
    Emigrantët bëjnë çdo punë përveç administratës shtetërore, ushtrisë dhe policisë, në të cilat ndalohet me ligj punësimi i të huajve.  Po fushat më të gjera, ku ka më tepër pjesëmarrje të emigrantëve  është turizmi, bujqësia, ndërtimi.
    – Po punësimi sezonal a ka dhënë rezultat?
    Punësimi sezonal është kryesori tek emigrantët, sidomos ata që jetojnë nëpër ishujt e Greqisë, ku edhe turizmi është sezonal.
    – Sa shoqata emigrantësh ka sot në Athinë dhe a jeni në unitet apo të përçarë?
    Nuk mund të them një numër të saktë të shoqatave, sepse krijimi i tyre ka shkuar gati tek përfaqësime individuale, por ka shumë shoqata,të cilat janë në dy grupe të mëdha;
    Lidhja e Shoqatave Shqiptare në Greqi (LSHSHG) dhe Federata e Shoqatave Shqiptare (FSHSHG).Këto janë dy grupime, të cilat nuk kanë marrëdhënie të mira me njëra- tjetrën, por duan ta hedhin në barkut njëra- tjetrën, sepse po të kishin bashkëpunim do ishte ndier edhe në respektimin e të drejtave të emigrantit.
    – “Agimi i Artë” a ju ka nxjerrë probleme juve si individ apo shoqatë?
    Përsa i përket “Agimit të Artë” si parti politike është kundër çdo të huaji dhe ka sjellë jo pak probleme edhe tek aktivitet e shoqatave shqiptare, si ndalimin e hapjes së shkollave në gjuhën amtare, zvarritjet e ligjërimit dhe anulimin e ligjit për marrjen e në/shtetësisë greke nga fëmijët e rritur atje.
    – Si mësohet gjuha shqipe nga fëmijët e emigrantëve dhe a ju ka ndihmuar shteti?
    Për mësimin e gjuhës shqipe, vetëm në Athinë e Selanik ka ndonjë kurs privat, por jo në shumë vende dhe për këtë përgjegjësia bie direkt mbi shtetin shqiptar, i cili nuk kërkon zbatimin e marrëveshjes dypalëshe të vitit 1996-të. Mbas shumë presioneve që bëhen akoma në Greqi për ndryshimin e identitetit të shqiptarëve, me ofrimin e dhënies së pasaportave greke për disa emigrantë homogjen kryesisht, gjuha shqipe është braktisur edhe nëpër shumë familje shqiptare.
    – Si i keni marrëdhëniet me ambasadën, a ju ndihmon ajo për probleme të ndryshme?
    Ambasada shqiptare është vetëm si numër, plotëson numrin e trupave diplomatike në Greqi apo e thënë ndryshe sa për të marrë rrogat e tyre, sepse nuk është në asnjë aspekt pranë emigrantit.
    – A ka ende sekserë në ambasadë për pasaportat dhe shërbimet e ndryshme?
    Unë them se ka, për probleme të certifikatave, pasaportave, vonesave etj..
    – Cila parti politike në Greqi i mbështet më shumë emigrantët?
    Partia politike që paraqitet më afër emigrantëve, e cila e ka provuar ligjërisht është SYRZA, e cila është në opozitë, me kryetar Aleksis Cipras.
    – A ka ende shenja racizmi në Greqi dhe si shfaqen ato?
    Të thuash se nuk ka racizëm në Greqi, është njëlloj si të thuash se nuk ka zezak në Afrikë! Nuk e them për ngjyra raciste, por është absolute sepse atje është vendi i njerëzve me ngjyrë! Aq më tepër sot, me ardhjen e partisë naziste në Parlament, “Xrisi Avgji” racizmi është dilema e ditës.
    – A janë emigrantët të interesuar për të votuar?
    Emigrantët janë shumë të interesuar për të votuar por, kush i mbështet? Çfarë kushtesh kanë? Çfarë premtojnë? Çfarë bëjnë?
    Emigrantët po përdoren si top futbolli tani nga partitë e ndryshme dhe të gjitha kanë të njëjtin qëllim, mos respektimin e statusit të emigrantit, gjë që nuk e dinë të gjithë emigrantët këtë dhe rendin sipas gënjeshtrave të njërit dhe tjetrit politikan.