Damian Gjiknuri kërkon të burgosë 70% të popullsisë

    85

    Partia e Punës së Riorganizuar: Futja në Kodin Penal të nenit të posaçëm, për ata që nuk paguajnë energjinë, është skandaloze

    Marko Dajti: Qeveria s’mund të burgosë dot 70 % të popullsisë

    Futja në Kodin Penal të nenit të posaçëm për ata që nuk paguajnë energjinë është skandaloze për kreun e Partisë së Punës së Riorganizuar, Marko Dajtin. Për Dajtin këto masa shtrënguese, për ata që nuk paguajnë energjinë, nuk garantojnë ndëshkimin e paguesve, por kërcënojnë me mbijetesë shtresat më të varfra të popullsisë. “Kryeministri aktual duhet ta ketë të qartë se nuk ka asnjë shans ta fitojë një betejë kundër afro 70 për qind të popullsisë që është në limitet e varfërisë, por në këtë mënyrë i shkurton ditët qeverisë që ai drejton”, shprehet në deklaratën e tij kreu i PPR-së. Dajti paraqet dhe skemën e diferencuar të pagesës së energjisë, e cila do të ishte mënyra më e mirë edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët për të paguar, pa i kërcënuar me burgim. Sipas Dajtit  popullsia duhet të ndahet në kategori, sikurse është e ndarë edhe në pagimin e taksave. Kështu zona e tretë do të paguajë vetëm koston e mirëmbajtjes së rrjetit, ku përfshihen zonat e thella që nuk kanë asnjë mundësi mbijetese. Në zonën e dytë, që do të paguajë çmimin sipas kostos, përfshihen banorët e qyteteve larg nga kryeqyteti si dhe zona fshatare pranë qyteteve. Ndërsa në zonën e parë duhet të hyjnë qytetet e mëdha dhe zonat industriale e turistike, të cilët do të paguajnë natyrisht një çmim në të cilin përfshihet edhe fitimi i shtetit. Më poshtë gazeta “Telegraf” jep të plotë deklaratën e kreut të PPR-së, Marko Dajti:

    Deklarata

    Partia e Punës e Riorganizuar kundërshton me forcë iniciativën e ndërmarrë nga ministri i Energjetikës, Damian Gjiknuri  për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për konsumatorët si dhe paketën e masave shtrënguese të planifikuar nga Këshilli i Ministrave për garantimin e pagesës. Ne e konsiderojmë si skandaloze futjen në Kodin Penal të nenit të posaçëm për ata që nuk paguajnë energjinë, pasi kjo nuk garanton ndëshkimin e abuzuesve, por kërcënon me mbijetesë shtresat më të varfra të popullsisë.

    Kryeministri aktual duhet ta ketë të qartë se nuk ka asnjë shans ta fitojë një betejë kundër afro 70 për qind të popullsisë që është në limitet e varfërisë, por në këtë mënyrë i shkurton ditët qeverisë që ai drejton. Nëse do t’i hedhë lakun në qafë kësaj mase njerëzish që mezi arrijnë të sigurojnë bukën e gojës, qeveria do të ndezë një zjarr që nuk do të arrijë dot ta shuajë pa mbërritur në dyert e Parlamentit dhe Kryeministrisë. Revolucionet kanë fshirë nga faqja e dheut edhe dinasti mbretërore qindravjeçare e jo më një qeveri që zbythet sa herë i kërcëllin dhëmbët. As ish-anëtari dhe tradhtari i Partisë së Punës, shoku Sali Berisha, megjithëse i shitur te kapitali vendas dhe i huaj, nuk i ka dënuar masat popullore me kërcënimin e urisë dhe errësirës, me bukën e fëmijëve.

    PPR i kërkon Kryeministrit dhe ministrit të linjës të tërhiqet nga një akt i tillë agresioni ndaj shtresave më të prekura të popullsisë. Ne i sugjerojmë qeverisë të marrë në konsideratë programin e PPR për këtë çështje, program i cili lufton varfërinë, por edhe garanton ekzistencën e shtetit. Sipas këtij programi, popullsia duhet të ndahet në kategori, sikurse është e ndarë edhe në pagimin e taksave. Në këtë mënyrë, zona e tretë do të paguajë vetëm koston e mirëmbajtjes së rrjetit. Në këtë zonë duhet të përfshihen zonat e thella që nuk kanë asnjë mundësi mbijetese. Në zonën e dytë, që do të paguajë çmimin sipas kostos, përfshihen banorët e qyteteve larg nga kryeqyteti dhe që nuk kanë as turizëm dhe as industri si dhe zona fshatare pranë qyteteve. Ndërsa në zonën e parë duhet të hyjnë qytetet e mëdha dhe zonat industriale e turistike, të cilët do të paguajnë natyrisht një çmim në të cilin përfshihet edhe fitimi i shtetit. Kjo skemë e diferencuar do të ishte mënyra më e mirë edhe për të ndërgjegjësuar qytetarët për të paguar, pa i kërcënuar me burgim dhe errësirë. Të mos harrojmë se në kohën e Enver Hoxhës qytetarët shqiptarë paguanin vetëm koston e prodhimit.

    PPR i drejtohet me një thirrje të veçantë edhe deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë: Pasi Kryeministri dhe ministrat  po fusin në punë gratë, motrat, vajzat, djemtë, vëllezërit, kushërinjtë dhe të afërmit e tyre  dhe nuk mendojnë qoftë edhe një ditë  të vetme  për ato nëna që nuk kanë t’u japin bukë fëmijëve të vet.

    Zef Preçi: “Ndëshkimi me burg” për ata që s’paguajnë energjinë, kushton më shumë për taksapaguesit shqiptar

    “Ndëshkimi me burg” si masë e pritshme nga qeveria për familjarët dhe bizneset që nuk paguajnë energjinë e konsumuar, është politika më e gabuar që mund të ndiqet. Kjo, sepse numri i shkelësve të ligjit është tepër i madh (mund të llogaritet në rreth 150-200 mijë familjarë dhe disa mijëra biznese në shkallë vendi), se për shkak të varfërisë që ekziston në vend, një pjesë e konsiderueshme e tyre do të ishte e gatshme më mirë të vuante dënimin me burg më mirë sesa ta paguante detyrimin në të holla. Nëse kjo masë do të zbatohet së afërmi (siç u përmend në këtë draft ligj që thuhet se po përgatitet), një numër jo i vogël biznesesh do të mbyllnin aktivitetin dhe do të dilnin nga tregu duke shtuar papunësinë në vend. E të mos harrojmë edhe diçka që nismëtarët e këtij amendimi ligjor në Kodin Penal mund të mos e dinë fare se mbajtja në institucionet e vuajtjes së dënimit (burg) e një të dënuari të zakonshëm kushton mesatarisht rreth 70 mijë lekë (të reja) në muaj. Dmth nëse ndiqet kjo rrugë do të duhet të investojmë në shtimin e vendeve të vuajtjes së dënimit dhe do të paguajmë të gjithë, me siguri më shumë se energjia që paguajmë sot edhe për atë pjesë të familjeve dhe të bizneseve që nuk paguajnë energjinë që konsumojnë. Personalisht, nuk jam në dijeni nëse një nismë e tillë ligjore (që në thelb rrit agresivitetin e shtetit) ka qenë diskutuar në negociatat e qeverisë me FMN-në, por nëse është diskutuar dhe qeveria mendon të ndërmarrë një politikë të tillë, mendoj se do të jetë kundërproduktive dhe jam pesimist në arritjen e qëllimit të shpallur të saj…

    Çmimi i energjisë elektrike drejt rritjes. Kreu i ERE-s paralajmëron heqjen e fashave

    Enti Rregullator i Energjisë po merr në konsideratë heqjen e fashës së mbrojtur të konsumit deri në 300 kilovat. Kryetari i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti, i pranishëm në Komisionin Parlamentar të Veprimtarisë Prodhuese, u shpreh se, konsumatorët shqiptarë do të paguajnë çmim të njehsuar të energjisë elektrike. “Struktura e çmimit, e cila është në dy blloqe, nga pikëpamja e zbatueshmërisë kompania ka hasur probleme, sepse vlerësimi i çmimit në dy blloqe do të thotë që mekanizmi i leximit duhet të jetë shumë korrekt që lidhet me datat e leximit, pra duhet të respektosh periudhën njëmujore. Por nuk është vetëm ky një nga faktet, sepse brenda kësaj strukture ekziston mundësi që të abuzohet me konsumatorin”, tha Ahmetaj.

    Sipas kreut të ERE-s po shkojmë drejt njehsimit të çmimit të energjisë, duke hequr fashën deri në 300 kilovat. Në këtë mënyrë do të penalizohen 75 % e familjeve shqiptare që nuk e kalojnë këtë prag dhe kjo do të thotë një rritje automatike e faturës mujore për ta. Edhe një herë qeveria shqiptare penalizon ata që paguajnë, pasi masa e rritjes do të varet pikërisht nga çmimi i ri që do të përcaktojë qeveria. Aktualisht çmimi i energjisë llogaritet me dy blloqe. Për konsumin deri në 300 kilovat në muaj, familjarët paguajnë 7.7 lekë, ndërsa për sasinë që konsumohet mbi këtë fashë çmimi është 13.5 lekë. Gjasat janë që çmimi i njehsuar, të jetë ndërmjet të dyve.

    I pyetur nga deputetët për rivendosjen e sistemit të pagesës me anë të faturave aforfe, Ahmetaj tha se, “faturat aforfe janë të domosdoshme duke marrë në konsideratë numrin e lartë të ndërtimeve informale”. Në Komision gjithashtu u diskutua edhe strategjia e liberalizimit të mëtejshëm të tregut energjetik, ku brenda një viti konsumatorët e lidhur në sistemin e tensionit të mesëm do të mund të zgjedhin furnitorin e tyre.