Dallëndyshe Nazëraj: Shkolla e Sevasterit, 10 dekada qendër dije edhe atdhedashurie

2156
Sigal

*Drejtoresha e shkollës “Q. Hoxha”

Sevaster-Vlorë

Në 100 vjet, përgatiti breza luftëtarësh dhe intelektualësh që lanë gjurmë në fusha të ndryshme

Në përpjekjet e mëdha për arsimin tonë kombëtar një vend të veçantë zë edhe çelja e shkollave në gjuhën shqipe, me të cilat rilindësit tanë të mëdhenj ndriçuan mendjet dhe zemrat e shqiptarëve për çlirimin e atdheut nga robëria e gjatë otomane dhe shpalljen e Pavarësisë Kombëtare. Në këtë frymë të Rilindjes Kombëtare edhe në kërkimin e Kudhe Grehotit në Vlorë qysh në fund të shek. XIX dhe në fillim të shek. XX, u përhapën “Abetaret” e Sami Frashërit. Gjurmët e kësaj veprimtarie arsimore kombëtare u shfaqën me arrestimin dhe internimin në viset e largëta të Perandorisë Otomane të atdhetarit Baba Sali Matohasani, i cili përhapte në këtë krahinë “të shkruarit shqip” ndër katunde.

Në fillim të shek. XX, mësuesit shëtitës si Kristo Karbunara, Beqir Velo Kanina dhe Hamza Isai, përhapnin fshehurazi mësimet e abetares dhe shkrimin e shqipes. Një kontribut të veçantë në përhapjen e arsimit shqip në këtë trevë dhe në krahina të tjera ka dhënë edhe klubi atdhetar “Labëria” në Vlorë, anëtar të cilët ishin edhe mjaft atdhetarë të njohur të Sevasterit. Edhe pleqësia e Sevasterit përkrahu Kongresin e Manastirit dhe përhapjen e gjuhës shqipe. Me shpalljen e Pavarësisë Kombëtare 1912, Qeveria e Vlorës me Ismail Qemalin dhe ministrin e Arsimit, Luigj Gurakuqi, çelën një varg shkollash shqipe, midis tyre edhe shkollën e Sevasterit. Mësuesi i parë i saj ishte intelektuali Qazim Hoxha, i cili pasi kreu edhe një kurs të shkurtër për mësues në Berat, dha një kontribut të çmuar për arsimimin e banorëve të kësaj treve.

Ende në kujtesën e banorëve janë të gjalla kujtimet dhe mbresat për çeljen e kësaj shkolle shqipe në shtëpinë e thjeshtë të Gude, ku mësuesi Qazim Hoxha tërhoqi jo vetëm fëmijët e vegjël, por edhe të rriturit 15-20- vjeçarë në shkollën e mbrëmjes, dy herë në javë. Në dhjetor 1912, këtë shkollë e vizituan edhe përfaqësuesi e Qeverisë së Vlorës, ministri i Luftës, Mehmet Pashë Dërralla dhe mësuesi i shquar Jani Minga, të cilët i ndihmuar shkollën me libra e mjete mësimore.

Shkolla shqipe e Sevasterit, ashtu si ajo e qytetit të Vlorës, Kaninës, Duhatit, Tragjasit, Tërbaçit, Vranishtit, Matogjinit, Bratit etj., ishin dallëndyshet e para, të cilat nën drejtimin e Qeverisë së Vlorës i dhanë një nxitje të madhe zhvillimit të arsimit kombëtar.

Në shkollën shqipe të Sevasterit u përgatitën mjaft nxënës të talentuar, të cilët në kohët më pas u bënë intelektualë e atdhetarë të zot në shërbim të Atdheut. Një plejadë e tërë mësuesish shërbyen në këtë shkollë si: Qazim Hoxha, Nuro Ahmeti, Xhemil Duka, Emin Çiftja, Esat Abdullai, Sadik Çobani, Rrahim Hamo, Harilla Panajoti, Reshat Çajupi, Zenel Muço e mjaft të tjerë në vitet 1913-1940, krijuan traditën e arsimit në Sevaster. Nga kjo shkollë nisën udhën në fushën e diplomacisë, ushtrisë, ekonomisë, bujqësisë, por edhe në auditorët e shkollave të mesme e universitet, qindra nxënës të cilët kishin mësuar me abetaren e Sami Frashërit dhe Sevasti Dakos, me këndimet e Naim Frashërit e Jani Mingës. Ishin nxënësit e kësaj shkolle që u rritën së bashku me Atdheun e tyre dhe morën pjesë në Luftën e Vlorës më 1920 si dhe në mbrojtjen e Atdheut nga rreziqet e kohës.

Në vitet 1930, u ngrit shkolla e re në qendër të fshatit, për të cilën financuan vetë fshatarët dhe atdhetari Bektash Çorrushi, shkolla u pajis me orendi e tekste mësimore. Në vitin 1942 nga shkollë fillore u organizua në shkollë 7-vjeçare dhe në vitet 1971-1972, u ngrit edhe shkolla e mesme.

Në vitet e Demokracisë kjo shkollë, me mësues të përgatitur e me shkolla të larta në të gjitha profilet, ka bërë mjaft ndryshime në organizimin e një mësimdhënieje e mësim-nxënieje bashkëkohore. Në vargun e mjaft shkollave shqipe, shkolla që mban emrin e mësuesit të parë Qazim Hoxha në Sevaster çdo ditë e më tepër po krijon një fytyrë të re në proceset e informimit të arsimit tonë kombëtar, duke u bërë përherë një vatër e ngrohtë për t’i pajisur nxënësit me dituri bashkëkohore. Shkolla e mesme e bashkuar “Qazim Hoxha” në Sevaster të Vlorës, në këtë 100- vjetor të lindjes së saj, e kremtoi këtë ditë me një manifestim të bukur artistik e letrar, ku u përfshinë mjaft nga nxënësit e prindërit me gëzimin e tyre të ligjshëm.