Dalan BUXHELI/ Rrënohen varret dhe lapidarët e dëshmorëve, qeveria po hesht!

    485
    Sigal

    Vazhdon rrënimi i varrezave të dëshmorëve dhe simboleve për mungesë investimesh nga qeveria

    Më 5 maj Ditën e Dëshmorëve të Atdheut u zhvilluan homazhe përkujtimore në Varrezat e Dëshmorëve në mbarë vendin. Zyrtarët të lartë, ministra e deputetë, me makina luksoze e kostume firmato, vendosën kurora pranë Obeliskëve që ngrihen në varrezat e dëshmorëve të rrënuara e të nxira nga bloza sepse nuk është vënë dorë për restaurimin e pastrimin e tyre për mbi 20 vjet. Nuk munguan të dalin para kamerave me fjalime steriotipe që përsëriten çdo vit dhe që nuk thonë asgjë për këtë gjendje skandaloze pa guxuar të shkojnë pranë varreve të dëshmorëve sepse atje do të ndesheshin me pjesëtarët e familjeve të dëshmorëve që të fyer e të dëshpëruar vendosnin lule mbi varre të thyera e në shumë raste emrat e tyre me germa të hequra. Atje mungon shtiza e flamurit, dhe flamuri kombëtar, ndriçimi elektrik, gjelbërimi, uji, dhe dhomat muze të shkatërruara totalisht. Në varreza, kullosin bagëti të imta e të trasha sepse mungon rrethimi dhe rojet janë hequr nga pushtetarët vendor duke lënë kështu dorë të lirë keqbërësve për shkatërrimin e tyre. Çuditërisht këtë 5 Maj protokolli i Ministrisë së Punëve të Jashtme nuk përfshiu kurorën e organizatës kombëtare për dëshmorët e atdheut në ceremonialin zyrtar. Këta zyrtar që janë në ato funksione me gjakun e të rënëve guxojnë e heqin nga protokolli vendosjen e kurorës së organizatës tonë, e cila i përket te vendoset e para në çdo 5 Maj e 28-29 Nëntor. Kjo tregon edhe një herë keqdashjen e tyre ndaj vlerave të dëshmorëve të atdheut dhe familjeve të tyre.

    Sa larg Amerikës jemi në nderet që i bëhen dëshmorëve?

    Në Amerikë java e fundit e Majit i përkushtohet përkujtimit të të rënëve. Ceremonia solemne hapet nga Presidenti, ku marrin pjesë familjet e dëshmorëve dhe autoritete të larta të kongresit. Festimet vazhdojnë në të gjitha shtetet e Amerikës deri në fund të majit. Gjatë gjithë kësaj jave qysh në mëngjes deri në orën 8 të mbrëmjes nuk reshtin vizitat tek varret e dëshmorëve, mijëra njerëz me lule ndër duar e me flamur të vegjël mbulojnë varret e memorialet. Muzika funebër nuk pushon, ashtu siç nuk pushojnë dhe vizitat në muzeume dhe në familjet e të rënëve. Zyrtarët tanë, ndonëse me ligj obligohen të marrin masa e të organizojnë përkujtimin e 5 Majit, nuk bëjnë asgjë. Në këtë 5 Maj në qytetin e Tiranës Lulzim Basha, Kryetar i Bashkisë, nuk bëri asnjë dekor në qytet gjithashtu nuk lejoj të valëvitej asnjë flamur. Vazhdojnë të mbajnë të zëna nga tezgat e tregtarëve ambulant lapidarin ku ka rënë hero i popullit Qemal Stafa si dhe lapidarin në Pazar të Ri, ku është varur në litar “Heroi i Popullit” Shyqyri Ishmi, me gjithë protestat tona ato kanë rënë në vesh të shurdhët. Ndryshe ndodh kur festojnë datat themeluese të partive ose ngjarje të tjera partiake harxhohen miliona për dekor e mitingje duke skuqur qiellin me lëshimin e fishek zjarreve. Kush ka vizituar varret e ushtarëve francez të luftës së parë botërore në Korçë mbetet i befasuar nga mirëmbajta dhe administrimi i tyre, siç janë ngritur në Këlcyrë varret simbolike të ushtarëve Grekë të mbushur me eshtrat e banorëve të Kostinës, pasi eshtrat e tyre prej vitesh janë kthyer ne Greqi.

    Kjo tregon se shtetet e tyre investojnë për mirëmbajtjen e tyre, ndërsa shteti ynë duke e lënë rrënimin e varreve të dëshmorëve, pjesëtarët e tyre ndjejnë brengosje se nuk vlerësohet akti dhe vepra e tyre kur edhe në varre nuk prehen të qetë, dhe me të drejtë precipitohet mendimi se ata kotë janë vrarë. Për gjendjen e varrezave të dëshmorëve dhe simboleve, i është përcjellë Kryeministrit në fillim të vitit projekt preventivi i detajuar me vlerë lekësh për restaurimin e varrezave në mbarë vendin. Që në prag të 70 vjetorit të çlirimit të jenë të restauruara. Në fillim të majit zhvilloj mbledhjen e parë Komisioni i Festës i drejtuar nga zëvendës Kryeministri Niko Peleshi ku ngritëm fortë zërin dhe kërkuam alokimin e fondeve dhe fillim e punimeve për restaurimin e tyre, por jemi në fund të muajit maj dhe akoma gjendja vazhdon të jetë e pa ndryshuar. Me të drejtën ligjore që na jep statusi i dëshmorit të atdheut rikujtojmë se lufta antifashiste Nacionalçlirimtare 1939-1944 përbënë epopenë më të lavdishme në vargun e luftërave që ka zhvilluar populli shqiptar gjatë historisë së tij shumë shekullore, për liri, pavarësi kombëtare e sovranitet shtetëror. Me luftën antifashiste Nacionalçlirimtare, Shqipëria u inkuadrua në sistemin e marrëdhënieve ndërkombëtare në anën e koalicionit botëror antifashist si aleate e popujve dhe e shteteve që luftonin kundër fashizmit. Në sajë të luftës së vendosur e pa kompromis, me dhjetëra mijë shqiptarë të moshave më të reja e të afta për punë lanë frontet e punës e të veprimtarive ekonomike e dolën malit me armë në dorë për të luftuar ushtritë pushtuese e bashkëpunëtorët e tyre. Në sajë të heroizmit dhe të vetëmohimit të 28 mijë Dëshmorëve të Atdheut që u vetë sakrifikuan për Shqipërinë e lirë u arrit fitorja e madhe e lavdishme më 29 nëntor 1944. Me qindra qenë burrat e gratë në lulëzim të moshës që u arrestuan, burgosën ose u dërguan në kampet e përqendrimit brenda e jashtë vendit. Heroizmi masiv i luftërave të lirisë, i veprimtarive të frontit e të këshillave nacionalçlirimtare, të reparteve e njësive partizane u ngjasin legjendave të trimërive të rrallë të paraardhësve të mëparshëm të historisë së vendit tonë. Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare e popullit shqiptar pasuroj më tej traditat luftarake e atdhedashurinë. Ajo ishte për masat e gjëra të qytetit e të fshatit një shkollë e vërtetë se si luftohet për liri, pavarësi, e sovranitet shtetëror dhe si mbrohen ato në rast rreziku.

    Trashëgimia, heroizmi si dhe aktiviteti revolucionar i heronjve dhe dëshmorëve mbeten burim frymëzimi dhe respekti për të gjithë. Ditën për të cilën ata vaditën tokën arbërore me gjakun e tyre të kristaltë mbeten të pa harruar në kujtesën tonë. Heronjtë dhe dëshmorët e atdheut janë gjithmonë pranë nesh. Emrat dhe kujtimi i tyre janë të pavdekshëm. Historia me shkronja të arta do të përshkruaj heroizmin e tyre. Dhe ne çdo ditë do të përulemi para kujtimit të tyre. Dëshirojmë dhe shpresojmë një ndjesi të tillë të ndjehet edhe tek qeveritarët. Ky është mesazhi i organizatës kombëtare për dëshmorët e atdheut drejtuar qeverisë që të mbaj premtimet e dhëna për ndryshimin e gjendjes skandaloze të varrezave të dëshmoreve dhe simboleve me fonde e masa konkrete. Si dhe rikthimin e të drejtave të familjeve të dëshmorëve të mohuara nga Sali Berisha me ligjin 9650 datë 27.01.2006 që përjashton nga shpërblimi financiar fëmijët e vëllezërit e motrat e dëshmorëve të luftës antifashiste Nacionalçlirimtare. Duhet mbajtur parasysh se çdo grusht dhe i kësaj toke ende pikon e rrjedh gjak nga plagët e dëshmorëve të atdheut. Të punosh për të ndryshuar jetën e dëshmorëve është detyrë parësore e strukturave shtetërore e të gjitha niveleve. Kombi ka për detyrë të shpaguaj gjakun e dëshmorëve me nderim të përjetshëm ndaj tyre. Në vazhdim të kësaj idesë mund të themi se kombi që lë në heshtje historinë dhe heronjtë e tij i lë të veniten, të treten, atëherë arrin një ditë që kalbet e shuhet si komb. Ne ndjehemi të brengosur se mesazhet tona jo të gjithë i dëgjojnë për të mos thënë se ka jo pak që edhe na pengojnë. Ndaj mesazhi ynë duhet të dëgjohet e të vlerësohet që në festimet e 70- vjetorit të çlirimit të gjithë së bashku të shkojmë të bëjmë homazhe e të vendosim lule të freskëta mbi varret e dëshmorëve të restauruara. Dëshmorët na presin jo vetëm familjet e tyre, por në radhë të parë brezin e ri, brezin e moshës së tyre kur ata ranë duke ngritur kështu në një stad të ri të traditës përjetësinë e tyre, kjo do të jetë pamja më e bukur dhe më madhështore e kësaj feste.