Dalan Buxheli/ Edhe Rama bashkohet me Berishën kundër familjeve të dëshmorëve

    439
    Në media lexova shkrimin me titull “Qeveria miratoi vendimin për rritjen me 2 mijë lekë të ndihmës ekonomike për familjet e dëshmorëve”. Sipas gazetës bëhet fjalë për rreth 400 familje, të cilat do të përfitojnë një rritje të ndihmës që jepet shtesë në masën 40 % dhe na qenka ngarkuar Ministria e Mbrojtjes për të kryer të gjitha procedurat për të nxjerrë emrat e familjeve që do të marrin shpërblimin, i cili deri tani ka qenë në masën 5 mijë lekë në muaj, vetëm për 400 familje dëshmorësh që do të përzgjidhen prej ministres Kodheli pa përfshirë familjet e dëshmorëve të LANÇ për faktin se në vendim është përcaktuar mosha 18 vjeç kur pjestarët e familjeve të dëshmorëve të LANÇ janë mbi 70 vjeç. Për t’i dhënë rëndësi artikulli na thotë se ky vendim lidhet me një nga premtimet që ka bërë Ministrja Kodheli, qysh në kohën kur mori detyrën dhe është një premtim që po finalizohet tashmë me familjet e dëshmorëve (!). Ky është mashtrim i radhës që fyen rëndë e nëpërkëmb familjet e dëshmorëve të LANÇ, pasi sipas këtij vendimi përfitojnë ndihmë financiare 400 familje dëshmorësh ku përjashtohen familjet e dëshmorëve të LANÇ­it. Ku e gjeti ministrja Kodheli të drejtën të përzgjedhë 400 familje dëshmorësh që do të financohen dhe mbi çfarë kriteri do të bëhet përzgjedhja e tyre pa u dakortësuar me Organizatën për Dëshmorët e LANÇ dhe dëshmorëve të tjerë të atdheut? Pse bëhen këto diferencime kur ligji 8607 datë 27 04. 2000 “Statusi i Dëshmorit të Atdheut i ndryshuar” dhe VKM Nr.151 datë 25 040 2002, thotë se të drejtën e shpërblimit financiar e përfitojnë gjithë familjet e dëshmorëve të atdheut që u është njohur statusi i dëshmorit të atdheut me vendim të Komisionit Qendror të miratuar nga qeveria. 
    Përjashtimi nga qeveria Berisha
    Sali Berisha me ardhjen e tij në pushtet me ligjin nr.9650 datë 11.02.2006 përjashtoi nga shpërblimi financiar vetëm pjestarët e familjeve të dëshmorëve të LANÇ kryesisht për motive politike, pasi sipas këtij ligji përfitojnë shpërblim financiar familjet e dëshmorëve nën moshën 18 vjeç ose kur kryejnë studimet e larta deri 25 vjeç, ndërsa vëllezërit dhe motrat i përjashtoi nga trungu familjar dhe shpërblimi, veprim që bie ndesh me ligjin 8607 “Statusi i Dëshmorit të Atdheut i ndryshuar, kur dihet se fëmijët e dëshmorëve të LANÇ janë të paktë pasi dëshmorët e LANÇ ishin beqarë, ata që jetojnë janë mbi 70 vjeç, po ashtu dhe vëllezërit e motrat që janë gjallë janë mbi 70 vjeç. Praktikisht vendimi i qeverisë që paraqitet me aq bujë si një premtim i mbajtur nga Kodheli i përjashton familjet e dëshmorëve të LANÇ nga shpërblimi financiar, të cilat kanë dy vjet që e prisnin nga kualicioni i majtë në plotësimin e premtimeve të bëra gjata fushatës zgjedhore të vitit 2013 dhe çuditërisht lë në fuqi ligjin e Sali Berishës. Shtrohet pyetja me këtë vendim të qeverisë çfarë përfitojnë pjestaret e familjeve të dëshmorëve të LANÇ? Ky vendim mbështet ligjin e Berishës që i përjashtoi nga shpërblimi finaciar familjet e dëshmorëve të LANÇ qysh në vitin 2006, ndërsa familjet e dëshmorëve të tjerë që kanë rënë ose bien pas çlirimit të vendit, kanë përfituar dhe vazhdojnë të përfitojnë të plotë shpërblimin finaciar. Një qëndrim të tillë e konsiderojmë përpjekje në vazhdën e shkurorëzimit të vlerave të dëshmorëve të LANÇ dhe të popullit shqiptar. 
    Qëndrimi mospërfillës ndaj dëshmorëve 
    Qëndrimi mospërfillës ndaj dëshmorëve është vërejtur dhe gjatë fushatës së zgjedhjeve lokale të 21 qershorit, që në asnjë rast kryetarët e partive politike dhe kandidatët që garojnë për kryebashkiakë, nuk kanë thënë asnjë fjalë për gjendjen shkatërruese të varrezave të dëshmorëve të atdheut në mbarë vendin, për masat që duhen marrë për restaurimin e tyre, të cilat mbështetur në ligjlacionin në fuqi janë në kompetencë të bashkive. Populli shqiptar u ngrit në LANÇ pa dallim feje, krahine dhe ideje si të gjithë popujt e tjerë të Europës, në luftën kundër murtajës fashiste dhe me luftën e tij të madhe, me gjakun e 28 mijë dëshmorëve, zuri vendin e merituar në kualicionin e madh antifashist. Dëshmorët dhe heronjtë e kësaj lufte kanë qenë dhe do të mbeten lavdia e kombit tonë ndër shekuj. Kërkesa jonë e drejtpërdrejtë është shfuqizimi i ligjit të Sali Berishës nr.9650, 11.02.2006 dhe rikthimi i të drejtave të mohuara të familjeve të dëshmorëve të LANÇ, që janë përbuzur e nëpërkëmbur për mbi 8 vjet nga të drejtat e tyre të ligjshme.
    Sigal