Dako në Jubë: Zhvillojmë turizmin, mbështetur në një bujqësi moderne

439
Stacioni i rradhës në rrugëtimin e takimeve të Vangjush Dakos me zgjedhësit ka qenë fshati Jubë, një nga zonat më të largëta por edhe më të pasura të Durrësit ku deti, toka bujqësore dhe pasuritë e tjera natyrore ndërthuren mrekullisht me njëri-tjetrin. Fjalën e tij me banorët e kësaj zone, kandidati i Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkinë e Durrësit, Dako, e ka nisur me një angazhim: ”Nisim menjëherë nga puna për ndërtimin e rrugës që lidh Jubën me bregun e detit,” – ka thënë ai.
Dako ka prezantuar për bashkëbiseduesit projektin e tij për zhvillimin e Durrësit, dhe veçanërisht të Jubës, si pjesë e rëndësishme e zonës rurale dhe vijës bregdetare. Zhvillimi i turizmit i mbështetur nga një bujqësi moderne janë dy shtyllat ku mbështetet projekti për zhvillimin ekonomik të kësaj zone me potenciale të mëdha zhvillimi, e cila mund të konsiderohet si Kalifornia e Shqipërisë, është shprehur kreu i bashkisë së qytetit bregdetar. “Pasuri shumë e madhe që kemi është deti, dhe ju jeni shumë pranë tij e nuk keni një rrugë për të shkuar atje. Detin ta shikojmë si një burim fitimi, si një burim zhvillimi, si një mundësi për ndërtimin e resorteve turistike ku të mund të vijnë e të pushojnë turistë të shumtë. Është një mundësi për të ndërtuar hotele, për të ndërtuar struktura në dobi të turizmit, dhe sa më shumë turistë, aq më shumë vende pune, aq më shumë mundësi për të nxjerrë në treg produktet bujqësore bio nga arat tuaja. Juba është një nga zonat më të begata të Durrësit, Kalifornia e Shqipërisë. Juba ka toka shumë pjellore, ka mundësi shumë të mëdha që ne të zhvillojmë një bujqësi të përparuar me teknologji të lartë, por edhe me investime konkrete për këtë zonë”, është shprehur Dako.
“Ne do të ndërhyjmë me projekte për të përmirësuar infrastrukturën e të gjithë zonës rurale të Durrësit, e cila i është bashkëngjitur bashkisë së re të Durrësit me ndarjen e re administrativo-territoriale. Do të ndërhyjmë në çdo lagje, në çdo rrugë për të çuar asfalt, rrugë e drita në të gjitha banesat e zonës,” – tha kandidati i ASHE-s, Vangjush Dako.
Sigal