Ç’thotë për Lushnjen e atëhershme, udhëtari i njohur anglez Eduard Lir

    474
    Sigal

    (Viti 1848, Eduart Lir në Lushnje)

    Praninë dhe qëndrimin e tij në Lushnjë, gazetat  angleze të kohës e japin që në titull. Natyrisht që  kjo nuk mund te jetë rastësi. Eduart Lir ishte dikushi, me siguri diçka më shumë se një piktor i  peizazhit. I gjithë shkrimi tërheq vëmendjen, shton imagjinatën. Jemi tamam në një fshat si Lushnja  e atëhershme. Atëherë, çfarë ka në thelb ky udhëtim në kohë?

    Eduart Lir u lind më 12 maj 1812 në periferi të Londrës, në një familje të thjeshtë angleze. Duket  disi e çuditshme, por ai ishte fëmija i njëzet i familjes. Thuhet që pati një adoleshencë të vështirë. Babi i Eduartit humbi të gjithë pasurinë e familjes në disa investime të dyshimta dhe përfundoi në burg. Vetë Eduarti u rrit nga motra e tij e madhe. Mësojmë gjithashtu se ai vuante nga sëmundja epileptike dhe nga azma. Sidoqoftë, që i vogël ra në sy për vizatimet e tij, të cilat përpos se ishin mjaft precize, ishin dhe mjaft të bukura. Pasioni i tij i madh ishte vizatimi me karakter zoologjik, me pak fjalë pikturimi i zogjve. Falë kësaj aftësie, ai arriti të gjeje punë si piktor natyralist. Midis vitit 1830 dhe 1832 Eduart  Lir publikoi një nga veprat më të bukura dhe të mirë ilustruara, dedikuar papagallëve, me titull “Illustrations of the family of Psittacidae or Parrots”.

    Çuditërisht, në vitin 1837 ai hoqi dorë papritur nga ilustrimi zoologjik dhe u dedikua tërësisht në pikturimin e peizazheve. Këtu talenti i ri ra në sy të dy politikanëve at e bir, Edward Smith Stanley XIII, konti i Derby, dhe djalit të tij Edwart Smith Stanley XIV. Për hir të së vërtetës, kanë qenë dy politikanë me influencë të gjerë në parlamentin britanik. (Ky u fundit u zgjodh për tri herë resht Kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, gjithashtu drejtoi edhe Ministrinë e Jashtme Britanike).

    Eduartin fillimisht ata e ftuan si mysafir në shtëpinë e tyre, pastaj edhe e punësuan. Mësojmë gjithashtu se ishin pikërisht dy politikanët në fjalë ata që i mundësuan Eduartit fondet për udhëtimet e tij ne  Lindje, siç parapëlqehej të thuhej në atë kohë për Ballkanin.

    Për të qenë të sinqertë, mendojmë se Liri nuk është nisur prej mecenateve të tij bosë thjesht për të  pikturuar peizazhe të Ballkanit. Sidomos kur ata janë anglez dhe vendimmarrës në politikën  shtetërore të mbretërisë. Logjika e do të mendosh se këto udhëtime dhe informacioni i nxjerr prej tyre mund t’i kenë shërbyer jo pak administratës angleze, e cila në atë kohë ishte mjaft e interesuar për të testuar gjendjen dhe atmosferën politike që po kalonte kjo pjesë e perandorisë osmane. Mjafton të kujtojmë se vetëm një vit më parë (1847), në Shqipërinë e Jugut shpërtheu një kryengritje e fuqishme. Por duam të sqarojmë se ky nuk është objekt i bisedimit tonë, pasi jemi të interesuar për vendet që ai eksploroi. Për t’u rikthyer tek Eduart Lear, mund të themi vetëm se ai e kaloi pjesën më të madhe duke udhëtuar në vende të ndryshme. Ne maj 1848, udhëtari i rrallë nga  Anglia e largët mbërriti edhe në Lushnjë. Pikërisht këtu nis edhe hulumtimi ynë.

    Në vitin 1848 Lir udhëtoi në tokën shqiptare pothuajse dy herë, në maj dhe në nëntor të po atij viti. Nga këto udhëtime, ai la jo vetëm mbresat e shkruara, por edhe një shumëllojshmëri skicash mjaft interesante. Madje, edhe vizatime me bojëra uji, të cilat e bëjnë më të bukur vëllimin kushtuar vendit të Shqiponjave. Disa prej atyre vizatimeve janë ruajtur tashmë në koleksione publike apo private, sidomos ato britanike dhe amerikane. Kjo është e gjitha e ruajtur në rreth njëqind vepra, të cilat kanë kontribuar në pjesën më të madhe për të rritur ndërgjegjësimin në Evropë për aspekteve të ndryshme të një vendi që deri më atëherë ishte injoruar pothuajse krejtësisht. Në veçanti, Revista “Journals of a Landscape Painter in Albania & C botuar në Londër në vitin 1851 shtëpia botuese Richard Bentley, përmban njëzet litografi me tre ngjyra që artisti i vizatoi sapo u kthye në Angli. Në këtë vepër, Liri përshkruan skena të ndryshme të peizazhit dhe pjesë nga jetesa e shqiptarëve. Por edhe përmes shkrimit në anglisht, autori nuk nguron të nxjerrë në pah vlerësimin dhe entuziazmin e tij për natyrën shqiptare, e përshkruar në të gjithë shumëllojshmërinë e saj, për malet, lumenjtë, liqenet, por edhe për dëshmitë arkeologjike dhe artistike. Ai përshkruan zakonet e popullit shqiptar, traditat dhe veshjet e ndryshme. Në ekskursionet e tij, Eduart Lir ndihmohet nga një udhëzues shqiptar, Gjergi Kokalli, i cili e shoqëroi pothuajse në të gjithë Shqipërinë.

    Ne po ndalemi tek qëndrimi i tij në Lushnjë, të tregojmë se çfarë pa ai këtu dhe si e përshkruan atë. Në faqe 175 ai shkruante: “U nisëm në mesditë. Beratin nuk shpresoj se do e arrij sonte, por Leustrin, i cili është vetëm gjashtë orë prej këtu, duhet të synojmë pasi edhe moti duket se favorizon këtë gjë, por vetë Eduart Lir jep shpjegimin e tij në fund të faqes së ditarit me shënim. Leustri është Lusna, fshati në të cilin ai ishte drejtuar për të vajtur në Berat. Dhe bëhet fjalë pikërisht për Lushnjën, padyshim. Përcaktimi i vendbanimit si “Lusna” për këdo që studion gjuhësi nuk është i rastësishëm; shkurt mund të themi se kjo është forma fillestare e evolucionit të emërtimit Lusna- Lusnia më pas në Lushnjë. Në faqen 180 të shënimeve të veta, ai vazhdon përsëri me përshkrimin e  mjedisit dhe ndërkohë jep disa të dhëna mjaft interesante: “[Pas shumë] përpjekjesh midis baltës dhe ujit, mbërritëm në Leustri, në orën 10:30. Por duke shpresuar se do arrinim në Berat, unë nuk [doja] të ndaloja, me përjashtim të pushimit të kuajve, në një han buzë rrugës, kati i së cilës ishte okupuar nga një tregtar nga Shkodra, i cili ishte rehatuar aq sa rrethanat ja lejonin-duke pasur parasysh se as bukë as ujë nuk mund të merrej, për shkak të shiut të fuqishëm”.

    Ndonëse janë vetëm pak rreshta të kursyer, ato janë të rëndësishme për kumtin që na dërgojnë. Mund të themi se Eduart Lir ishte ndofta i pari evropian që qëndron në Lushnjen e pushtuar prej shumë shekujsh nga turqit osman. Liri përmend një han në anë të rrugës. Ai ka qenë duke ardhur nga Tjermi (Çerma). Në krah të majtë, tamam në hyrje të qytetit ndodhej “Hani i Salushes”; pavarësisht se nuk e përmend, ai e përshkruan atë me vetëm një kat. Mjafton t’i hedhim një sy fotos për të kuptuar se bëhet fjalë për këtë hanë te fig.2. Ai tregon edhe për tregtar nga Shkodra, i cili qëndronte aty. Arsyeja mund të lidhet edhe për faktin se Lushnja ishte një qendër midis jugut dhe veriut dhe këtu ndalonin kalimtarë dhe tregtarë të shumtë.

    Niko FERRO dhe Andrea LIKO