Çmontohet dhe vidhet makina e Ditmir Bushati

445
Sigal

Flet deputeti Bushati: Ja si më grabitën makinën në mesnatë

Çmontohet dhe vidhet makina e deputetit të PS, Ditmir Bushati. Lajmi konfirmohet për gazetën “Telegraf”, ekskluzivisht, nga vetë deputeti Bushati. Ngjarja ka  ndodhur në garazhdin e një pallati pranë Kopshtit Botanik, ndërkohë që, Bushati dyshon që çmontimi të jetë kryer gjatë mesnatës. Deputeti i cili ka denoncuar aktin thekson së automjetit personal të tij tip “Mercedes” i janë grabitur shumë pjesët e çmontueshme, si kofano, targat, kasetofoni etj.. Bushati njofton se e ka denoncuar menjëherë ngjarjen në polici, ndërkohë që thekson se, “nuk mund të them nëse vjedhja ishte tendencioze”. Ilir Gjoni, njëri nga deputetët e Partisë Socialiste ka paraqitur dje në Facebook-un e tij, pamjen tronditëse të makinës së masakruar, të Ditmir Bushatit, nën komentin: “Makina e Ditmir Bushatit sot në mëngjes e “zhveshur” paq nga hajdutët. Kemi rend jo shaka”.

Ditmir Bushati: Zoti Bushati, çfarë iu ndodhi me makinën?

Atë që shihni. Më kanë grabitur gjatë natës dhe përveç kësaj ma kanë shkatërruar gjithçka në makinë…

Ku e kishin lënë makinën?

Makinën e lashë në darkë te parkingu i zakonshëm. Por kur vajta në mëngjes e pashë në gjendje skandaloze.

Çfarë kishte ndodhur?

Gjatë natës, apo në orët e para të mëngjesit, këtë nuk mund ta them, kanë hyrë brenda në garazh dhe kanë bërë grabitjen. Pastaj e kanë masakruar, duke e bërë makinën sikur i ka rënë bomba.

Çfarë iu kishin vjedhur në makinë?

Më kishin vjedhur gjithçka. Duke filluar nga xhamat e makinës, dokumentet, pasqyrat, parakolpin, si edhe çdo gjë tjetër që mund të vidhej. Kjo është diçka shumë e rëndë.

A njoftuat policinë dhe a bëtë denoncim për vjedhjen që iu është bërë?

Po, e bëra denoncimin, që në mëngjes, por nuk mund të them nëse shpresoj të zbardhet ndonjë gjë, apo jo.

Çfarë të thanë në polici?

Mbajtën shënimet përkatëse dhe bënë procesverbalin. Por ngjarja është e pashpjegueshme.

Si ka mundësi që hajdutët të hyjnë kaq lirshëm në garazhin tuaj?

Nuk e di. Por dikush në drekë kur mori vesh se çfarë më kishte ndodhur brenda në garazh më tha: Më mirë ta kishe lënë makinën në rrugë, se sa të mbyllur me çelës. Sepse me sa duket, kjo nuk ndryshon gjë.

A e mendoni se kjo është një punë hajdutësh, apo çështje politike?

Të them të drejtën, për momentin nuk mund të vë asnjë emër dhe nuk mund të them asgjë. Do të pres hetimet dhe procedurat e policisë.

Sa lekë iu ka kushtuar “Benz”-i juaj?

Ju lutem, kjo gjë tani nuk ka rëndësi.

Ilir Gjoni ironizon Ramën

“Bushatit i vodhën syzet dhe nuk lexon dot programin e Rilindjes”, shkruan në Facebook deputeti Gjoni. Menjëherë pas ngjarjes, deputeti Ilir Gjoni ka ironizuar me Ramën dhe Bushatin duke shkruajtur në Facebook: “E mo….. e keqja nuk ishte makina, por syzet se na ngelet programi Rilindjes pa lexuar pastaj”. Në këtë mënyrë ai shpreh pakënaqësinë e tij ndaj trajtimit që i bën Rama deputetëve, por edhe ndaj servilizmit të krerëve të PS-së për të lexuar me laps në dorë, shënimet e programit të PS-së, e cila është quajtur nga kreu rozë, si “programi i Rilindjes”. Më tej, nëpërmjet shënimeve të Ilir Gjonit mësojmë se e njëjta ngjarje ka ndodhur edhe me ish- deputetin rozë Sherif Bundon. Në këtë rast, Gjoni shpreh ironinë e tij edhe ndaj uniformave blu, të cilat nuk arrijnë të kapin fajtorët, por kurdoherë mbledhin gëzhojat e krimeve, ose pincat dhe çelësat e hajdutëve. Për këtë  Ilir Gjoni thotë tekstualisht: “Po po madje qenka “operacion” i njohur për policinë. Të njëjtën skenë kishin pasur para dy ditësh edhe me Sherif Bundon”. Në këtë mënyrë, duket se brenda Partisë po tronditet së tepërmi besimi reciprok dhe po përhapet ironia. Kjo tregon se në prag të 23 Qershorit, Rama jo vetëm që nuk ka mundur të sheshojë kontradiktat e tij me deputetët, por ai po vazhdon t’i thellojë ato. Madje rasti i Bulqizës e përforcon më së miri, përçarjen.