Çmendet çmimet në bregdet, zyrtarët shullëhen në diell

    414
    Këta nuk janë shqiptarë. E dëgjova ta thoshte një grua në Qeparo. Ia thoshte një pronari restoranti (i thënçin). Kishte ngrënë së bashku me 5 të tjerë të rritur e dy fëmijë dhe i kishte ardhur fatura 24 mijë lekë të rinj. Ishin nga Lushnja dhe ua kishte “futur”, shqiptari nga Qeparoi. Dëgjova të ankoheshin dhe në një tavoline buke në një restorant (i thënçin), në plazhin e Livadhit. U kishte shkuar fatura 18 mijë lekë, për katër veta, ndërkohë që kishin marrë nga një makaronë, sallatë, një me fruta deti dhe një mix me peshq, normalë për nga madhësia. Në një plazh tjetër, po në Livadh, nuk të lejonin që të kishe termus me vete, as ujë, vetëm e vetëm që ta blije ujin deri në 200 lekë, në lokalin e plazhit. Edhe në Llaman, ankoheshin dy çifte të rinjsh, konsumatorë alkooli, sepse një birre, më è lira, kushtonte, 350 lekë. Edhe në Dhërmi, ishte e njëjta situatë. Nuk mbeteshin mbrapa as barakat restorante në Porto Palermo. Kudo e njëjta situatë. Shqiptarë të Jugut që mprehnin përditë “sëpatën”, për shqiptarët e pjesës tjetër të Shqipërisë. Kasaphanë çmimesh, në kufijtë e të pamundurës, absurdes. Shqiptarë që ankoheshin për shqiptarët. Që nuk u blinin dot një pije frutash fëmijëve se çmimi varionte nga 250 lekë deri në 300 lekë. Dhe e gjitha kjo, vetëm e vetëm se shqiptarët e Bregut kanë detin afër, madje në shumë raste e kishinkthyer në pronë të tyre edhe detin. Vetëm për kaq, asnjë kusht higjenik, asnjë cilësi në shërbim, vetëm “rrjepje”, në mes të ditës me diell. Shqiptarët të lënë në mëshirë të fatit, të pambrojtur nga makutëria e shqiptarëve të Bregut, të cilët justfikohen me atë se, punojmë vetëm 30 apo 40 ditë në vit dhe kjo medemek ju jep “të drejtën” të “rrjepin” shqiptarët e tjerë, të cilët shkojnë për detin, që ështe edhe i tyre, në Jug të Shqipërisë. Dëgjova që të gjithë këta më sipër, betoheshin se verën tjetër, nuk do shkonin më në Jug. Eh, sikur të ndodhte vërtet! Por më parë, atje duhet të shkojë shteti e tu kthejë detin shqiptarëve dhe normalitetin e çmimeve, për pushime normale e me dinjitet.
    Ergys Alushi
    Sigal