Çmenden çmimet e ushqimeve dhe mjeteve shkollore

    408
    Çmimet e rritura për mjetet arsimore dhe ushqimet ndikuan në rritjen në tërësi të tyre, krahasuar me një vit më parë. Sipas INSTAT, ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 1,9 %, nga 2,0% që ishte vjet. Rritja vjetore e çmimeve në muajin gusht sivjet u ndikua kryesisht nga grupet “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,65 pikë përqindje, “Pije alkoolike dhe duhan” me +0,24 pikë përqindje dhe “Shërbimi arsimor” me +0,15 pikë përqindje. Me më pak ndikim rezultuan grupet “Komunikimi” dhe “Hotele, kafene e restorante”, të cilat kontribuuan vetëm me 0,02 pikë përqindje rritje në çmimet e konsumit. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me -0,12 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Veshje dhe këpucë” kanë kontribuar me -0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe “Mallra e shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me -0.04 pikë përqindje secili. Çmimet e grupit “Shëndeti” kanë kontribuar me -0.03 pikë përqindje. Ndryshimet më të mëdha vjetore të çmimeve për grupet kryesore, krahasuar me muajin gusht 2014 vërehen tek grupet “Shërbimi arsimor” me 10,4 %, “Pije alkoolike dhe duhan” me 6,7 %. Edhe çmimet e grupit “Ushqime dhe pije joalkoolike” u rritën me 4,2 %. Kjo rritje tregon se bujqësia ende nuk po arrin të plotësojë kërkesat e konsumatorëve me prodhime vendi. Ndryshe nga këto produkte, rezultojnë produktet blegtorale, duke dëshmuar një sektor më të konsoliduar në rritjen e prodhimit vendas. Në gusht u ulën 4% çmimet e nëngrupeve “qumësht djath e vezë”, “kafe, çaj e kakao” me 0,4 %, “peshk” me 0,1 %, etj. Por ulja më e madhe e çmimeve u vu re në grupet “Transporti” me 1,9 %, “Veshje dhe këpucë” me 1,6 %, “Shëndeti” me 0,9 % etj. Ndryshimi mujor i indeksit të çmimeve është 0,8 %. Krahasuar me muajin korrik, rritja më e madhe e çmimeve u vu re tek grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 2,0 %. Ulja më e madhe mujore i takoi grupit “komunikimi” me 1,1 %. Krahasuar me një muaj më parë çmimi i euro-diezelit u ul me 2,1 % dhe çmimi i benzinës u ul me 1,7 %.
    Sigal