Çlirim Hoxha/ Nuk mundet tu prishësh shtëpitë qytetarëve pa u siguruar më parë banesa të tjera.

    417
    Sigal

    Qytetarët e Vlorës, ata që banojnë mbi gjurmën e rrugës që lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën Transballkanike, kanë ditë që po protestojnë. Protestojnë me të drejtë sepse u ka shkuar INUK-u në derë dhe i ka lajmëruar se brenda 5 ditësh të mbledhin plaçkat dhe të largohen se shtëpitë e tyre do të shemben për shkak të projektit të rrugës. Askush nuk është kundër projektit të rrugës që lidh Autostradën e Vlorës  me rrugën Transballkanike, por logjika dhe normaliteti në një shtet demokratik të thotë: Përpara se të nisësh projektin, bëjë shpronësimin e banesave që do të prishësh. Dhe jo thjeshtë të bësh shpronësimin e banesave, por ti bësh me çmimin e tregut, me qëllim që qytetarët e tu të ndihen mirë dhe pa u dëmtuar në raport me kubaturën dhe shtëpitë që kishin. Pa u siguruar banorëve të zonës së bonifikimit në Vlorë shtëpi  të reja, ose shpronësim me çmimin e tregut, do të ishte gafa më e madhe që një shtet normal mund të bënte ndaj qytetarëve të tij. Nuk ka rëndësi nëse një pjesë e banesave janë me leje ndërtimi dhe një pjesë e tyre janë në proces legalizimi, rëndësi ka që Qeveria Shqiptare dhe institucionet e saj të tregohen në nivelin e lartë të përgjegjshmërisë dhe civilizimit. Nuk mund tu thuash qytetarëve të tu, dilni nga shtëpitë brenda 5 ditëve dhe shkoni ku të doni. Kjo do të ishte një vetëvrasje e shtetit ndaj besimit dhe normalitetit të qytetarëve të tij. Me të drejtë banorët e zonës së bonifikimit dolën ditën e diel në Sheshin e Flamurit për të protestuar, dhe nëse vërtetë shteti është i këtyre qytetarëve, atëherë është shtet që ka në planë të parë mbrojtjen e qytetarëve të vet nga padrejtësitë dhe arbitrariteti, për ndryshe ka fituar diktati pa logjik, forca e verbër dhe bërja e banorëve armiq të shtetit të vet. Unë nuk mendoi se shtëpitë e banorëve të bonifikimit në Vlorë do të prishen me një të rënë të lapsit, pa u zgjidhur shpronësimi i tyre me çmimin e tregut dhe pa u sistemuar secili prej tyre në një banesë tjetër. Edhe vet Qeveria dhe INUK nuk do të ndiheshin të qetë nga protestat e banorëve të bonifikimit në Vlorë, të cilët me të drejtë kërkojnë shtëpi të tjera në këmbim të shtëpive që do tu prishen për shkak të rrugës lidhëse Autostradë-Transballkanike. Një shtet normal nuk mund të mati forcën me qytetarët e tij, të cilët kanë vite që jetojnë në zona informale për shkak të lëvizjeve të pakontrolluara demografike të këtyre 25 viteve të fundit, nëse më parë nuk gjen zgjidhje të pranueshme për banorët që sot po jetojnë në ankthin e kërcënimit të INUK-ut dhe të ruspave të tij. Merreni situatën shtruar o njerëz të mirë me zyra dhe ruspa. Banorët e zonës së bonifikimit në Vlorë janë shqiptar si ju dhe ne të tjerët, dhe, edhe ata e duan shtetin dhe ligjin, por shteti dhe ligji duhet të jetë në mbrojtje të jetës së tyre dhe të fëmijëve të tyre, ndryshe nuk është shtet. Teoria, shkoni ku të doni brenda 5 ditësh, nuk bie erë normaliteti, por arbitrariteti. Për këtë qëllim protesta e banorëve të bonifikimit të Vlorë është një protestë e drejtë dhe kërkoi një zgjidhje ligjore brenda të gjitha të drejtave që kanë shtetasit e Republikës së Shqipërisë, për të jetuar dhe banuar atje ku ata ndjehen më mirë ekonomikisht, por edhe nga ana mjedisore. Ky INUK-u që ka në dorë ruspën e njeh edhe ligjin se si veprohet. Por nuk mundet që në palcën e dimrit të ngresh zgubthi banorët që i kanë banesat e tyre në proces legalizimi. Vet zoti Artan Lame Drejtor i ALUIZMI-t duhet të ndërhyjë për zgjidhjen e këtij problemi, duke kapërcyer procedurat e legalizimit për këta banorë, me qëllim që ata të kenë mundësi të zhvendosen diku tjetër me të njëjtën vlerë monetare si vlera e shtëpive ekzistuese. Vetëm kështu këta banorë do të ndihen të qetë e të gatshëm për të lëshuar shtëpitë e tyre në këtë mes dimri me kapacitet të plotë. INUK nuk ka të drejtë të luaj me jetën e banorëve të bonifikimit në Vlorë, por të ulet dhe së bashku me ALUIZMI-n të shpejtojë procedurat e legalizimit për këta banorë, me qëllim hapjen e dritës jeshile për fillimin e punimeve për ndërtimin e segmentit rrugor që lidh Autostradën e Vlorës me rrugën Transballkanike brenda qytetit. Banorët e bonifikimit në Vlorë thonë se, nëse instancat qeveritare nuk i japin zgjidhje problemit të tyre të drejtë, atëherë protestat do vazhdojnë dhe do përshkallzohen. Njeriu një jetë ka dhe ka të drejtë ta jetoi jetën duke pasur një shtëpi dhe duke banuar atje ku ai mendon se është i lirë të ndërtoi të ardhmen e tij.