Çlirim Hoxh/ Ishulli i Sazanit të kthehet në një qendër turistike, sot është i braktisur nga të gjithë!

3208
Sigal

Si duhet vepruar që të shmangim shkatërrimin e zonave bregdetare që dikur konsideroheshin si zona ushtarake

(Vijon nga numri i kaluar)

Ishulli i Sazanit është i vetmi ishull në ujërat detare shqiptare dhe pika më perëndimore strategjike e Vlorës në raport me Kanalin e Otrantos. Sazani është 11 milje larg Portit të Vlorës ose 17 km dhe 9 km larg nga Triporti. Sazani ka një sipërfaqe të përgjithshme prej 5.7 km2. Ishulli i Sazanit ka një gjerësi prej rreth 2 km. Sazani dhe Karaburuni janë larg nga njëri-tjetri 4.8 km në të ashtuquajturin Mezokanal. Të dhënat gjeologjike e nxjerrin ishullin e Sazanit si pjesë e Karaburunit dhe njëkohësisht si pronë të Dukatit. Sazani ka një reliev të thyer me një vijë bregdetare që shkon në rreth 12 km me përbërje shkëmbore monolitike. Porti i Sazanit gjendet në pjesën lindore të tij dhe ka qenë i përdorur qysh në lashtësi. Ishulli i Sazanit ka disa gjire, ku më të njohurit janë: Gjiri i Japrakut, Gjiri i Shën Kollit dhe Gjiri i Admiralit që është një plazh i mbushur me zall. Gjithashtu Sazani ka disa shpella dhe zgavra, ku më e përmendur është shpella e Xhehnemit. Sazani është shpallur në vitin 2001 si zonë turistike me përparësi me prioritet zhvillimin e turizmit aeronaval. Sazani i parë që nga Vlora ka dy kodra të ngjashme shkëmbore monolite në paraqitjen e parë, lartësia e të cilave shkon në 342 m. Kodra veriore është e lartë 342 m, kurse kodra jugore ka një lartësi prej 331 m. Sazani është një ishull i pasur për nga ekosistemi që përfaqëson dhe i mbrojtur për shkak se ka qenë një bazë ushtarake vazhdimisht. Gjatë kohës së Luftës së Ftohtë ishulli i Sazanit mori një përparësi nga ana e mbrojtjes ushtarake. Sazani mund të quhet me plotë kuptimin e fjalës si ishull bunker. Punimet dhe investimet e shumta në fushën e mbrojtjes e bënë Sazanit të militarizuar në mënyrë të tejskajshme. Sazani ka qenë në unison me Bazën Ushtarake të Pasha Limanit, ku ndanin një pjesë të rëndësishme të Flotës Ushtarako-Detare të Shqipërisë. Ashtu si në Karaburun, Sazani ka pasur bateritë kundërajrore dhe detare të instaluara në të gjitha anët e tij, si dhe anijet ushtarake të kohës. Për ishullin e Sazanit është folur shumë, ndërkohë që, Enver Hoxha e kishte quajtur atë “Shkëmb Graniti”. Në fakt Sazani kishte pamjen natyrale të një fortese, por militarizimi i ishullit e ktheu atë në një kryqëzor të fuqishëm në Kanalin e Otrantos. Pas viteve ‘90 fuqia dhe lavdia e Sazanit u zbeh dhe eksodet e shumta drejtë Italisë bënë që të rrëmbeheshin disa anije ushtarake nga ishulli dhe t’ia mbathnin drejtë perëndimit. Në kohën e Kryeministrit Pandeli Majko, ky i fundit u shpreh publikisht për kthimin e Sazanit në ishull turistik mbushur me lojëra fati si kazino etj, me qëllim frekuentimin e tij nga miliarderët e botës. Sazani shërbeu gjatë tranzicionit edhe si vendstrehim i trafiqeve, por më pas aty u instaluan radarët e Guarda di Financës italiane si dhe anije të kësaj njësie speciale, për mbikëqyrjen dhe parandalimin e kalimit të gomoneve dhe skafeve drejtë brigjeve puljeze. Në Sazan do të vinte një ditë edhe ish-Kryeministri italian Silvio Berluskoni shoqëruar nga ish- Kryeministri Fatos Nano, me qëllim për të takuar dhe parë nga afër Grupin Naval 28-të  të Batalionit “San Marko” të dislokuar në ishull. Sazani ka qenë i banuar qysh në lashtësi. Sipas Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, në Sazan ka pasur një fshat me emrin Sebep, por që u sulmua nga Ali Pashë Tepelena për mos bindje dhe banorët e tij u larguan dhe një pjesë e tyre u vendos në Zvërnec duke krijuar aty fshatin Zvërnec të Vlorës. Sipas Prof. Gaçes në librin e tij “Ibrahim Abdullai”, banorët e fshatit Sebep të ishullit të Sazanit e kishin prejardhjen nga Dukati dhe Himara.

Llogoraja si pjesë e Karaburunit.

Llogoraja është pjesë e Karaburunit dhe një nga parqet kombëtar më joshës të Shqipërisë. Llogoraja është gati  në epiqendër të maleve të Akrokerauneve, ose maleve të rrufeve për të cilat Homeri thoshte se ka lindur Zeusi. Parku Kombëtar i Llogorasë si pjesa nga nis Gadishulli i  Karaburunit ka një sipërfaqe prej 1010 ha dhe shtrihet në veriperëndim të vargmaleve Çikë-Lungar dhe është pjesë e Dukatit si juridiksion dhe i Orikumit si administrim territori, por që është shpallur Park Kombëtar kategoria e II sipas IUCN, në vitin 1966. Habitatet më të rëndësishme të Llogorasë (vend i dialogut të burrave në Dukatit në shekuj) janë: kullotat, livadhet subalpine, alpine, rrëpira dhe vende shkëmbore, pyje të dominuar nga rrobulli, pyjet e pishës së zezë, pyje të bredhit, pyje të përzier etj. Këto habitate janë të një rëndësie të veçantë për disa lloje kafshësh si: kaprolli, derri i egër etj, për shkak se  e përdorin natyrën si vend riprodhimi. Në aspektin ornitologjik, zona e Llogorasë si pjesë e Dukatit, Karaburunit dhe maleve Akrokeraune paraqitet si më e rëndësishmja me 6 lloje shpendësh dhe kanë statusin e llojeve të rralla dhe të rrezikuara (Kali i Qyqes, Shkaba, Shqiponja gjarpërngrënëse, Shqiponja e maleve, Shqiponja e vogël, Shqiponja bisht-vizuar), por ndeshen gjithashtu edhe shumë lloje të tjera shpendësh si: disa lloje skifterësh, pëllumbi i egër, disa lloje qukapikësh e dallëndyshesh, bufi, kukuvajka dervish, lauresha, dy lloji larashi, grifsha, pesë lloje bilbilash, dy lloje tushash, gushëkuqi, tre lloje trishtilash, harabeli, gardalina, 4 lloje cerlash etj.. Numri total i shpendëve në Parkun Kombëtar të Llogaras është 78, ndërkohë që, kafshët më të përmendura në këtë park janë: Urithi i verbër, miu i Thomasit, ketri si specie e rrallë, ujku gjithashtu, kunadhja leshverdhë, iriqi interesant, dhelpra e kuqe, derri i egër, macja e egër dhe kaprolli si specie të rrezikuara. Rënia e zjarreve të qëllimshme e kanë dëmtuar disa herë Parkun Kombëtar të Llogaras, i bukur dhe i njohur për pyjet magjik dhe ujërat e kristalta të borës. Në Llogora piqet keci në hell, bëhet arapashi fantastik, shijohet mjalti me hoje dhe kosi i deles është thel si askund në botë.

Historia shkruan e thotë

Dukati ka qenë një krahinë  e madhe ku përmblidheshin 100 fshatra, një pjesë e të cilave në Gadishullin e Karaburunit. Parku Kombëtar i Llogaras është pjesë jetëdhënëse e Dukatit mbuluar me plotë të dhëna historike që dëshmojnë për lashtësinë dhe kulturën e këtij komuniteti. Studiues të shumtë vendas dhe të huaj si baroni Eduart Lir, Karl Paçi, Evlija Çelebi, Henri Holland, Hjuz, Ugolini, Jericeliu, Edit’h Durham, etj., kanë shkruar për Llogaranë si një nga perlat e natyrës së virgjër shqiptare. Që nga koha e Perandorisë Romake na vijnë kronikat e luftërave të Cezarit me Pompeun në vitet 48 para Krishtit. Llogoraja dhe Oriku përmenden si shesh-beteja të këtyre ushtrive gjatë kohës së Luftës Civile Romake. Historiani grek Appiani në veprën e tij “Historia Romana” në librin e dytë vë në dukje se Cezari dhe ushtria e tij u shpërndanë në malet Akrokeraune për shkak të stuhisë. Edhe sot Llogoraja është e mbushur me toponime të tilla cezariane duke filluar nga bregu i detit në plazhin e Palasës, i cili quhet “Plazhi i Cezarit” për shkak të zbarkimit të Perandorit të Madh të Romës. Po ashtu kemi “Sheshi i Cezarit”, “Shkëmbi i Cezarit” dhe “Qafa e Cezarit”. Vendasit bëjnë të ditur se edhe Pirua i Epirit bënte pushimet në Llogora, për të kuruar bronkopneumoninë, duke praktikuar përzierjen e mjaltit me rigonin dhe ujin e ftohtë të borës. Udhëtar dhe studiues të dëgjuar gjerman, austriak, anglez, francez, grek dhe italian kanë shkelur në Llogora. Piktori i madh anglez Eduart Lir shkruante në ditarin e tij në vitin 1848 për bukuritë e Llogarasë. “Ikëm nga Dukati dhe u ngritëm lartë e më lartë përmes gurëve e pishave madhështore. Ishte një monopat zigzag në faqen tepër të pjerrët të malit që është i vetmi komunikim mes Himarës dhe Vlorës”, shkruante midis të tjerave Lir. Kur ecën këtej të duket sikur fluturon. Një studim për faqen e Llogorasë  na jepet edhe nga  Karl Patchi në përshkrimin e tij, të botuar në Vjenë në 1908. “Një mjegull e dendur dhe një shi rrëke bëri që të mos e shikonim majën e Shën Thanasit, pastaj u rrethuam nga një pyll pishash trup mëdha, me drurë të tjerë me gjethe që arrinin  gjer në qafën e Llogorait. Pylli ngjitet edhe në anën tjetër të malit të Qores. Këtu dita vjen duke u shtuar dhe shihen sheshe të mbuluara me dëborë”. Edhe konsulli francez Pukvil që shërbeu për një kohë të gjatë në oborrin e Ali Pash Tepelenës na jep të dhëna interesante për Llogoranë. Banorët që jetonin në pjesën lindore të Akrokerauneve quheshin Japuri, emër që vjen nga Japigia e Epirit, shprehet Pukvili. Por ajo që është interesante është fakti se emrat e Llogorasë, Karaburunit, Dukatit etj., përfshihen edhe nën emrin gjeografik “Malet Akrokeraune”, ndërsa në shekullin e XIII, edhe nën emrin “Beganita” Në dokumentet e Venedikut dhe burimet e tjera osmane bëhet fjalë për zotërimin e këtij vendi nga pushtuesit normanë që përkon me vitin e largët 1081, me venedikasit në vitin 1205 dhe gjermanët. Kjo krahinë më 1272 bëhet pjesë e mbretërisë së Arbërisë, ku ka një lulëzim të tregtisë, blegtorisë e pemëtarisë. Në shekullin e XIV Princesha Rugjina Balsha si dhe familja e madhe feudale e Arianitëve ndikuan pozitivisht në organizimin e jetës. Banorët e kësaj zone u përfshinë disa herë në luftime dhe kryengritje të armatosura nën udhëheqjen e Gjergj Arianitit në vitet 1431-‘32, duke u përfshirë në Krahinën e Himarës dhe të Labërisë. Duhet thënë se, në shekujt e XVII dhe XVIII pyjet e Karaburunit dhe Llogorasë u shfrytëzuan nga francezët dhe austriakët. Duhet theksuar fakti se gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit kjo zonë mori një gjallëri të veçantë, kur në Dukat dhe Llogora erdhi vet Abdyl Frashëri. Kontributi i kësaj treve gjatë shpalljes së Pavarësisë, Luftës së Vlorës më 1920, Luftës Nacional-Çlirimtare dhe proceseve demokratike, janë evidente dhe meritojnë vlerësimin maksimal.