“Cirku” 23 vjeçar me të pastrehët, 143 mijë familje pa çati

    375
    Mashtrimi me strehimin e familjeve të pastreha, ka nisur qysh në vitin 1992 e po vazhdon edhe sot pas 23 vjetësh. Në momentin që u realizua privatizimi i banesave ish-pronë shtetërore, ata që patën të tilla u bënë pronarë. Ata që ishin të pastrehë, pra pa banesa (sëmundje masive dhe e rëndë kjo e krijuar prej ish-sistemit komunist), mbetën të pastrehë në këto 23 vite. Po të pastrehë teorikë dhe praktikë, mbetën nga ky ligj privatizimi dhe ato familje, të cilat për shumë vite kanë banuar në shtëpitë e ish-pronarëve. Të gjithë këto familje, shteti dhe qeveria i përfshiu në një ligj tjetër special, duke i futur në disa lista të pastrehësh, të ndarë në disa kategori të veçanta dalluese nga njëra-tjetra. Me shpresën, se ky problem i madhe publik e jetësor për familjet pa çati do të zgjidhej shpejt, familjet e pastreha pranuan versionin shtetëror për mënyrën e strehimit dhe pritën marrjen një banese. Por edhe pse kanë kaluar 23 vite, ato vazhdojnë të presin dhe sipas skemës demagogjike të çdo pushteti që ka ardhur e ka ikur nga kolltuku me variantin “mashtro e shty vitet me premtime kot”. Fakti është ky: janë 143 mijë familje të pastreha, që po mashtrohen pa fund.
    Në zyrat e strehimit në bashkitë e vendit, madje edhe në kasafortat e Ministrisë së Rregullimit të Territorit, në Entin e Banesave dhe nëpër 56 bashki, dergjen prej 23 vjetësh listat e individëve dhe familjeve të pastreha, të cilat presin një copë strehë. Këto lista, sipas skemës mashtruese e demagogjike, hartohen dhe grisen, përpilohen e fshihen, pasurohen, zgjaten e zvogëlohen, riorganizohen me ndarje e nënndarje klasifikimesh ligjore për kategoritë dhe emergjencat e familjeve të pastreha. Pavarësisht se çfarë deklaron qeveria për 24 mijë familje të pastreha, në realitet në Shqipëri figurojnë 143 mijë familje të evidentuara të pastreha, pa llogaritur mijëra familje të tjera, të cilat nuk figurojnë në asnjë listë. Shteti, për të përligjur mos strehimin, po vazhdojnë të përdorin si vegël bashkitë dhe disa ministri kukulla, për të luajtur lojën mashtruese. Demagogjia dhe mashtrimi ka këtë pamje: Flitet për fonde speciale e urgjente nga qeveria, trumbetohet për kredi strehimi pa interes, përdoret një listë kreditimi false nëpër bashki e banka që nuk po jepen, flitet për mbledhje këshillash bashkiakë që dështojnë sepse gjoja këshilltarët e majtët, grinden e nuk bien dakord me të djathtët dhe anasjelltas, përdoren ca filmime televizive me blloqe pallatesh për të pastrehët, hartohen lista, anulohen lista, nxirren formularë e rregulla të reja aplikimi. Por deri sot, asnjë nga këto familje nuk është strehuar. Ato pak familje që shteti ka strehuar me kredi e me nga 2-3 apartamente luksoze në çdo mandat janë deputetë e ministra, drejtorë drejtorie, shërbëtorë mediash qeveritarë, ambasadorë, fëmijë, dhëndurë, krushq, kunetër e shokë shtetarësh. 
    Po hallexhinjtë, ata që vërtetë të pastrehë e pa asnjë mundësi financiare për të blerë banesa? Kërkesat e tyre mbahen sirtarëve prej 23 vitesh? Asnjë familje në nevojë reale dhe emergjente strehimi, nuk ka marrë as kredi e as banesë, por vetëm vazhdojnë të mbushin formularë e të bëjnë kërkesa në çdo 3 muaj, sa herë nxjerr urdhëresa e vendime të kundërta fiktive shteti. Trajtimi i të pastrehëve të evidentuar në bashkitë përkatëse, bëhet në bazë të fondeve të dhëna për këtë qëllim dhe të kushteve të përcaktuara në ligjin Nr. 8030, datë 15.11.1995 “Për kontributin e shtetit për familjet e pastreha” dhe sipas Vendimit të Këshillit të Ministrave, Nr. 25 datë 16.10.1996 “Për procedurat dhe prioritetet që përcaktojnë kriteret për trajtim me strehim, kategorinë e qytetarëve të pastrehë, banues në banesat ish-pronë private dhe të atyre, që kanë akt-marrëveshje të pa zbatuar me Pushtetin Lokal. Siç shikohet, trajtimi i të pastrehëve të kategorisë së dytë, nuk përmendet fare as në ligj dhe as në vendimin e të pastrehëve! Janë 79 mijë e 360 familje të pastreha në të 36 rrethet e vendit, që janë kualifikuar në kategorinë e dytë. Po t’i referohemi shifrave zyrtare, numri i të pastrehëve të kategorisë së parë që përbëjnë kategorinë me banesa ish-pronë private dhe me akt-marrëveshje të pazgjidhura në pushtetin lokal. Çuditërisht edhe sot, pas 20 vitesh, në të gjitha zyrat e strehimit të bashkive në të gjithë vendin, pohojnë se ende vazhdon trajtimi i të pastrehëve të kësaj kategorie. Listës të gjatë të të pastrehëve të kategorisë së parë e të dytë, iu shtua dhe lista e të pastrehëve të krijuar pas vitit 1997, të cilët shitën banesat e tyre dhe futën lekët në firmat piramidale, të themeluara enkas për zhvatjen e financave të shqiptarëve. Këto familje që nuk kanë një strehë ku të jetojnë, nuk duan vila e apartamente luksoze me pishina, sauna, palestër e bilardo brenda, por vetëm pak metër katrorë sa për të fjetur, për të pasur një shtëpi të tyren, që të mos punojnë e të paguajnë jetesën në banesa me qira, apo të ndërtojnë baraka. Ndërsa 143 mijë familjet, vazhdojnë të qëndrojnë në pritje të një strehe të premtuar, shtetarët kreditohen çdo vit e çdo mandat me kredi pa interes, duke blerë banesa e duke i lëshuar me qira,, si burim fitimi financiar, pa llogaritur ata që kanë ndërtuar vila luksoze për çdo pjesëtarë të familjes e për çdo stinë të vitit. 
    ————————————————–
    Këto 15 dokumente, bëhen çdo 3 muaj… prej 23 vitesh
    1. Vërtetim për të ardhurat neto të familjes
    2. Vërtetim nga Zyra e Ndihmës Ekonomike nga njësia bashkiake
    3. Vërtetim nga zyrat e punës, për personat që marrin pagesë papunësie
    4. Vërtetim nga sigurimet shoqërore për personat në pension
    5. Vërtetim nga hipoteka, për pronat e paluajtshme
    6. Dokumenti zyrtar i celebrimit
    7. Certifikatë familjare
    8. Certifikatat personale
    9. Dokument ku provohet se kryefamiljari është grua e ve, e divorcuar 
    10. Formularë nëse je familje me shumë fëmijë dhe nëse jetojnë bashkë ose jo.
    11. deklarim që je në gjendje të shlyesh kredinë e banesës
    12. Vërtetim që nuk ke makinë
    13. Vërtetim që nuk merr pension suplementar
    14. Vërtetim që nuk po ndërton shtëpi
    15. Vërtetim që nuk ke biznes
    ————————————
    Kredia për banesë sociale kërkon këto 10 kushte që… nuk ta japin kredi
    1. Që të përfitosh kredinë e miratuar, duhet të paguash paradhënie në bankë 20% të vlerës së saj.
    2. Që të përfitosh kredinë e miratuar, duhet të kesh 80 mijë deri në 100 mijë lekë të reja të ardhura financiare.
    3. Që të përfitosh kredinë e miratuar, duhet të blesh apartament nga firmat ndërtuese që të rekomandon banka, ndryshe nuk e fiton kredinë.
    4. Që të përfitosh kredinë e miratuar, duhet të paguash një interes bankar 30-40 mijë lekë të reja në muaj.
    5. Që të përfitosh kredinë e miratuar, duhet të marrësh një garanci prej pronarit të banesës që do blihet.
    6. Që të përfitosh kredinë e miratuar, duhet të kesh dy garantues të punësuar me jo më pak se 60 mijë lekë të reja në muaj si dhe me vendosje garancie objekti, si vlerë “pengu” në bankë.
    7. Që të përfitosh kredinë e miratuar, duhet të kesh të punësuar dy pjestarë të familjes, me kontratë pune jo më pak se 15 vjet.
    8. Që të përfitosh kredinë e strehimit, duhet të jesh pa rrezik shëndeti për jetën, provuar kjo me raport mjeko-ligjor.
    9. Që të përfitosh kredinë e miratuar, duhet të jesh jo më tepër se 40 vjeç, mbasi kështu sigurohen 25 vjetët e afatit të shlyerjes së kredisë, në përputhje me moshën e daljes në pension.
    10. Që të përfitosh kredinë e miratuar, duhet të pranosh me kontratë noteriale, që nuk do të largohesh nga Shqipëria deri në shlyerje të kredisë prej 23 vitesh.
    Sigal