Cili do të jetë fati i 7000 dosjeve të pashqyrtuara të pronarëve?

    399
    Sigal

    Ligji për AKKP-në/ Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon në datën 30 prill

    Sipas Ligjit, AKKP-ja ka të drejtë për të marrë vendime deri në datë 30 prill 2014. “Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme përfundon deri në datën 30.04.2014” citohet në Nenin 24 të  Ligjit për AKKP-në i azhornuar. Vetë Drejtori i AKKP-së ka raportuar se, në këtë institucion janë rreth 7000 dosje të pashqyrtuara. Logjikisht, kjo kohë nuk del për shqyrtimin e gjithë këtyre dosjeve. Atëherë çdo të ndodhë me këto çështje? Ç’do të ndodhë me 7000 subjektet e shpronësuara, të cilët janë në pritje të një vendimi nga ana e AKKP-së? Nga ana tjetër vihet re, se herë pas here ndryshohet Ligji me qëllim shtyrjen e afatit. Kjo ndodh sa herë që Agjencia e Kthim Kompensimit të Pronave nuk përmbush dot detyrimet që ka ndaj pronarëve në afatet që ligji ka vënë. Por a ndihmon kjo metodë zgjidhjen e problemit të pronarëve? Për këtë gazeta “Telegraf”, iu drejtua ish zv/Drejtorit të Përgjithshëm të AKKP-së, njëherësh dhe Sekretari i Përgjithshëm i shoqatës më të madhe të pronarëve “Pronësi me Drejtësi”, z. Agim Toro, i cili tregon se vetë drejtuesja aktuale e AKKP-së, Sonila Qato ka shkelur Ligjin për AKKP-në, sepse “ka katër muaj e gjysmë në postin e drejtueses dhe nuk ka shqyrtuar asnjë dosje deri më tani, ndërkohë dhe që afatet për vendimmarrje nga kjo agjenci janë në përfundim e sipër”.

    Vendimet e AKKP-së

    Veç kësaj, AKKP ka disa vjet që merr vetëm vendime për kompensim dhe vendimet për kthim fizik, që mbetet për t’u deklaruar nga institucioni, janë të rralla ose mungojnë. Kompensimi, siç dihet, bëhet me një ligj që nuk përputhet me Kushtetutën dhe po ashtu bie ndesh me rekomandimet e Nils Muižnieks, Komisioneri për të Drejtat e Njeriut i Këshillit të Europës. Komisioneri i KE-së në raportin e tij për drejtësinë shqiptare, ndër të tjera jep dhe afatin që ka lënë Strasburgu për shtetin shqiptar “Gjykata ka theksuar, gjithashtu, rëndësinë e vendosjes së afateve realiste, statutore dhe të detyrueshme për secilin nga hapat e procesit të “kompensimit” dhe ka bërë thirrje që të sigurohen burime të mjaftueshme financiare dhe njerëzore në institucionet e ndryshme shtetërore. Gjykata kërkoi ngritjen e një mekanizmi të efektshëm kompensimi brenda një periudhe 18 mujore, pra deri në 17 qershor 2014”.

    box

    Agim Toro

    Sipas Ligjit, 30 prill 2014 është afati i fundit e së drejtës të AKKP-së për të marrë vendime. Ky afat, sigurisht, që sjell probleme për pronarët, pasi sipas vetë AKKP-së janë rreth 7000 dosje të pronarëve pa shqyrtuar dhe koha e mbetur prej 2 muajsh e gjysmë është e pamjaftueshme për të shqyrtuar gjithë numrin e dosjeve. Kjo do të thotë se vetë drejtuesja e AKKP-së, ka shkelur ligjin, sepse ka 4 muaj e gjysmë në këtë detyrë dhe nuk ka shqyrtuar asnjë nga 7000 dosjet e pashqyrtuara. Ndërkohë që pronarët kërkojnë zgjidhje, shteti merr vendime, ku përdor, jep me qira dhe shet pronat e pronarëve sipas qejfit.

    box

    Ligji për AKKP, i azhornuar deri në 2010

    Neni 24

    Afati i përfundimit të procesit

    Procesi i njohjes, kthimit dhe kompensimit të pronave të paluajtshme, përfundon deri në datën 31.12.2011, me përjashtim të kryerjes së pagesës së kompensimit, e cila duhet të përfundojë në afatin e parashikuar në nenin 23 të këtij ligji.

    Ligj nr 55/2012

    “Për disa ndryshime dhe shtesa në Ligjin nr. 9235, dt. 29.7.2004 “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar”

    Në mbështetje të Neneve 78 dhe 83, pika 1 e Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave,

    Neni 3

    Në nenin 24 data “31.12.2011” zëvendësohet me datën “30.4.2014”.

    AKKP: Pronarët që preken nga ndërtimet informale. Sot, kërkesat për shpërndarjen e kësteve

     Sot AKKP fillon procesin e pranimit të kërkesave për shpërndarjen e kësteve për kompensimin e pronarëve që preken nga ndërtimet informale. Gazeta “Telegraf” ka zbardhur vendimin e fundit të AKKP-së: “Në mbështetje të VK.M nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave njofton fillimin e procesit të pranimit të kërkesave për shpërndarjen e kësteve për kompensimin e pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale. Procesi i pranimit të kërkesave të përfituesve nga ky fond do të fillojë më datë 12.02.2014 dhe nuk do të jetë i kushtëzuar apo limituar në afat. Me këtë rast, AKKP fton të gjithë subjektet e interesuara, emrat e të cilëve janë miratuar me VKM-në nr.435, datë 24.04.2013, VKM-në nr.494, datë 19.06.2013, VKM-në nr.685, datë 16.08.2013 dhe VKM- në nr.760, datë 05.09.2013 “Për shpërblimin e pronarëve për sipërfaqet takuese të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të paraqiten pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për kompensim nga fondi i ALUIZNI-t”.

    AKKP njofton se ka ngritur grupin e punës, i cili do të kryejë pranimin dhe regjistrimin e kërkesave të subjekteve të interesuara. “Të gjithë subjektet e interesuara do të paraqiten në Agjencinë e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, me adresë Rruga “Muhamet Gjollesha”, pranë Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, Nr. 54, Tiranë, nga ora 09°°-12:00” thuhet në vendim. Të dhënat e subjekteve përfitues janë të evidentuara në listat që i bashkëlidhen Vendimeve të Këshillit të Ministrave, ku përcaktohet shpërblimi i pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale të miratuara deri më tani. Aplikuesit kanë detyrimin të paguajnë tarifën e shërbimit në vlerën prej 2 000 (dymijë) lekë dhe gjithashtu të hapin në emër dhe për llogari të tyre, një llogari bankare në njërën nga bankat e nivelit të dytë. Subjektet përfituese, kërkesa e të cilëve nuk është pranuar për mungesë dokumentacioni gjatë procedurave të mëparshme, kanë të drejtë të riaplikojnë. Këto subjekte nuk paguajnë tarife shërbimi, nëse provojnë pagimin e saj gjatë aplikimit të mëparshëm.

    Dokumentacioni:

     1. Kërkesa tip, që i vihet në dispozicion nga grupi i punës pranë AKKP-së, të plotësuar sipas rubrikave.

    2. Dëshmia e trashëgimisë për të gjithë trashëgimtarët e ligjshëm të subjektit përfitues, sipas radhës së trashëgimtarëve, në përputhje me përcaktimet e Kodit Civil. Për dëshmitë e trashëgimive të lëshuara nga gjykata për testamentin e bërë me akt noterial të sillet certifikatë familjare e personit për të cilin është lëshuar kjo dëshmi; (Në rast se subjekti përfitues ka vdekur).

    3. Prokurë e posaçme, e nënshkruar nga të gjithë subjektet që përfitojnë kompensim, ku si tagër i nevojshëm të jetë edhe e drejta për të tërhequr vlerën financiare, në emër të tyre. Në rastet kur nuk është e mundur të dorëzohet prokura e posaçme, secili bashkëpronar apo një pjesë e tyre, paraqesin kërkesë individuale apo të përbashkët, për pjesën takuese në pronën që kompensohet. Në rastin e kërkesave individuale të secilit bashkëpronarë apo të një pjese të tyre, për çdo aplikim të kryer, paguhet tarife shërbimi në vlerën 2 000 (dymijë) lekë, pavarësisht se i përket të njëjtës pasuri të paluajtshme;

    4. Vërtetimi i lëshuar nga banka e nivelit të dytë për hapjen e llogarisë bankare dhe IBAN-in përkatës;

    5. Fotokopje e dokumentit të identifikimit;

    6. Certifikatë familjare e kërkuesit/aplikuesit;

    7. Mandat pagesën për shumën 2 000 (dymijë) lekë për çdo aplikim të veçantë.