CIA do t’i ofronte 500 mijë dollarë Enver Hoxhës ose Mehmet Shehut për të shembur komunizmin në Shqipëri

    442
    Sigal

    Intervista/ Studiuesi shqiptar Albert Lulushi tregon për VOA-n operacionin e CIA-s për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri në fillim të viteve ‘50

    Në Shtetet e Bashkuara dhe në Shqipëri pritet të dalë pranverën e ardhshme libri “Operation Valuable Fiend” ose në shqip “Operacioni kundërshtari i dobishëm”, me autor Albert Lulushin. Libri përmban historinë e operacionit të Agjencisë Qendrore të Zbulimit amerikan, CIA, për përmbysjen e regjimit komunist në Shqipëri në fillim të viteve 50’. Dihet tashmë se operacioni dështoi, por pse dështoi? Regjimi komunist i Shqipërisë e propagandoi këtë dështim si fitore të tij, ndërsa Nicholas Bethel hodhi në vitin 1984 tezën se amerikanët i tradhtoi agjenti i shumëfishtë Kim Filbi. Pa e hedhur poshtë këtë tezë, studiuesi Albert Lulushi e thellon studimin e këtij operacioni dhe përshkruan elementë të shumtë që kontribuuan në dështimin e tij, ndërkohë që janë hapur edhe dokumentet e CIA-s për operacionin e koduar BGFIEND.

     -Si ju lindi ideja për këtë libër, ju keni një profesion krejt ndryshe, jeni inxhinier i informatikës, si ju i drejtuat penës për të shkruar një libër të tillë?

    Si shumë shqiptarë të brezit tim, unë duke u shkolluar në shkollat komuniste shqiptare kisha dëgjuar versionin që propaganda e qeverisë shqiptare dha për këtë operacion. Pastaj kur erdha në Amerikë lexova librin e Nicholas Bethel dhe për një kohë mu duk si përgjigje e mjaftueshme dhe kënaqshme për pyetjen. Më pas, para 1 viti, po bëja kërkime në arkivat qendrore këtu në SHBA dhe pash që CIA kishte deklasifikuar një sasi shumë të madhe dokumentesh operacionale për këtë operacion që ndërmorën mes viteve ‘49-‘54. Më pas duke lexuar të gjitha dokumentacionet kuptova që historia e plotë nuk ishte paraqitur dhe nuk ishte treguar qoftë publikut amerikan, qoftë atij shqiptar.

    -Cili ishte plani operacional i CIA-s?

    Në fillim të viteve ‘49 ekzistonte një mundësi shumë e mirë për CIA-n që të përmbyste një nga sistemet komuniste që ishte nën vartësinë e Bashkimit Sovjetik. Ky regjim ishte Shqipëria. Në atë kohë, siç e dini edhe ju, Tito ishte shkëputur nga blloku komunist dhe  Shqipëria vazhdonte të ishte nën varësinë e Bashkimit Sovjetik, por nga ana fizike ishte e izoluar. Kështu nëse diçka ndodhte në Shqipëri nuk kishte mundësi për trupat sovjetike që të transferoheshin dhe të mbështetnin pushtetin shqiptar. Pra nga pikëpamja e izolimit ekzistonte mundësia. CIA në atë kohë e zgjeroi rolin e saj. Deri në atë periudhë ata ishin munduar që veprimet e tyre të përqendroheshin në mbledhjen e informacionit dhe në raportimin për administratën ose Kongresin se çfarë ndodhte në vende të tjera. Në vitet ’48-’49 roli i tyre u zgjerua nga Kongresi në mënyrë që të ndërmerrnin edhe operacione paraushtarake. Kjo agjenci e re që u krijua brenda CIA-s, e kryesuar nga Frenk Uisner, e pa që një plan për Shqipërinë mund të ishte plani i parë që këta mund të përgatisnin dhe kryenin nga pikëpamja paraushtarake. Dhe kështu filluan ta planifikonin dhe të ekzekutonin planin e tyre.

    -Sa i mirëpërgatitur ishte ky plan?

    Po ta shohësh nga ana teorike, nga mënyra se si i kishin studiuar aspektet, mund të them që ishte planifikuar krejtësisht nga krijimi i opozitës jashtë Shqipërisë, me forcat anti-komuniste kryesisht në Itali dhe Greqi, që kishin emigruar pas Luftës së Dytë Botërore, deri në aspekte të planit, që për shembull parashikonin që deri në 500.000 dollarë t’i ofroheshin Mehmet Shehut edhe Enver Hoxhës në mënyrë që ata të mos kundërshtonin ose mos të drejtonin ushtrinë për të vepruar kundër operacionit. Shumë prej këtyre mbetën në aspektin teorik, pak nga këto aktivitete u vunë në zbatim dhe praktikë.

    -Subjekti sigurisht që është shumë interesant edhe pse kanë kaluar kaq shumë vite. Megjithatë teza e hedhur nga anglezët për agjentin e shumëfishtë Kim Filbi, i cili njoftonte sovjetikët dhe sovjetikët më pas njoftonin komunistët në Tiranë për operacione. A është kjo teza e vetme që zbuluat? Çfarë të rejash të tjera zbuluat që  zbehin apo e forcojnë këtë tezë?

    Për mendimin tim arsyeja kryesore pse operacionet dështuan nuk ishte Filbi. Ka shumë arsye, por po ta shohim me detaje CIA dhe shërbimi sekret anglez ishin aleatë në këtë operacion, vetë mënyra se si këto operacione sekrete ekzekutohen, nga pikëpamja operacionale ka distancë nga ekzekutimi i dy shërbimeve. Planet e CIA-s nuk ndahen dhe nuk i paraqiten palës angleze dhe anasjelltas. Kështu që Filbi nga ana strategjike mund të kishte dijeni për planin dhe objektivat e planit, por nga ana operacionale ai nuk e dinte se ku do të parashutoheshin agjentët amerikanë. Po t’i shohim faktet, ata agjentë që u kapën ose dhe u vranë ishin më shumë amerikanë, kurse agjentët që anglezët dërgonin në përgjithësi ishin të suksesshëm dhe dilnin nga Shqipëria pa rënë në duart e sigurimit. Pra shtroj dyshimin, nëse është e vërtetë që Filbi i sabotonte këto operacione, atëherë ai do të sabotonte edhe operacionet e anglezëve. Pastaj po të shohësh, dështimi më i madh për amerikanët ndodhi pasi Filbi u tërhoq nga Uashingtoni, mbasi ra në dyshim që ishte agjent i dyfishtë. E thirrën nga Uashingtoni në Londër dhe u detyrua që të jepte dorëheqjen nga shërbimi sekret anglez në pranverë-verën e vitit 1951. Kurse humbjet më të mëdha të amerikanëve në këtë operacion ndodhën në 1952-1954.

    -Pra operacioni vazhdoi deri në mesin e viteve ’50-të. Pas kësaj a ka pasur përpjekje të tjera nga CIA për të përmbysur sistemin komunist në Shqipëri?

    Për mendimin tim nuk ka pasur veprime aktive, dhe e them këtë sepse një nga mësimet që administrata publike dhe CIA nxori nga këto operacione ishte që, ishte shumë e vështirë që të përmbysej një regjim që ishte vendosur në Europën Lindore. Ata e kaluan vëmendjen në Lindjen e Mesme, kështu organizuan një grusht shteti në Teheran në ‘53 dhe pastaj e kaluan vëmendjen në Amerikën Latine, ku në ‘54 u organizua një grusht shteti në Guatemale. Nga pikëpamja e asaj kohe të dy këto operacione të CIA-s ishin shumë të suksesshme, ata arritën objektivin e tyre. Pra nga pala amerikane u pa që është më mirë që t’i drejtojmë agjentët që ishin përgatitur dhe kishin marrë përvojën nga operacioni shqiptar ose në Lindjen e Mesme ose në Amerikën Latine sepse aty ka më shumë mundësi që të ketë sukses. Të njëjtët agjentë më pas vazhduan të planifikonin operacionin në Kubë në vitin ‘61, që e dimë që përfundoi keq për amerikanët. Por më pas ata kaluan në Azinë Jug-Lindore, në Vietnam, në Indokinë etj.

    -Pa dyshim që libri juaj do të ketë shumë vlera historike, por përveç këtyre vlerave çfarë mendoni se do të sjellë ky libër për shoqërinë shqiptare, për politikën shqiptare tashmë në demokraci?

    Kjo është një pyetje interesante, sepse këto janë ngjarje që kanë ndodhur 60 vjet më parë. Një aspekt që mendoj se libri ka vlerë është që tregon historinë në mënyrë faktike, duke u bazuar në dokumente, pa influenca subjektive. Është edhe si një mësim që nxjerrim po ta shikojmë në një shkallë më të lartë, që një nga arsyet pse operacioni dështoi ishte se forcat anti-komuniste shqiptare nuk arritën që të bashkoheshin me një front unik kundër opozitës. Ashtu sikurse nuk u bashkuan edhe gjatë luftës edhe mbas luftën vazhduan të ishin të përçarë dhe të luftonin me njërit-tjetrin. Po të shikojmë, për shembull, rastin e vitit 1999 kur kishim konfliktin në Kosovë, politikanë shqiptarë të asaj kohë sado që kishin divergjenca midis tyre kur ishte puna për të ndihmuar palën amerikane apo bashkësinë ndërkombëtare në përgjithësi ata paraqitën një front të unifikuar dhe patën sukses. Pra ky është një mësim për plan politike shqiptare që, sido që t’i kenë divergjencat brendapërbrenda, sa i përket aspektit ndërkombëtar dhe avancimit të kombit shqiptar duhet të ekzistojë një front i unifikuar.

    -Unë ju uroj suksese për librin dhe uroj që të mos jetë i fundit.

    Intervistoi për VOA-n Laura Konda