Çfarë ka ndryshuar policia rrugore e Shqipërisë?

    537
    Sigal

    Hera e fundit që isha në Tiranë, ishte momenti i zgjedhjeve të 23 Qershorit 2013, kur shkuam për të votuar “ndryshimin”. Si gjithmonë, kur je me mjetin tënd, përplasja e parë është me Policinë Rrugore, qoftë edhe thjesht për një kontroll rutinë për dokumentacionin. Nuk jam kundër këtyre kontrolleve, por jam kundër zvarritjeve e presioneve që i bëhen qytetarit në këto raste nga policia. Sado që të gabojë qytetari, që edhe gabon, sepse ai nuk është i pagabueshëm, detyra e policisë është që ta ndihmojë ta kalojë sa më mirë situatën dhe jo të shfrytëzojë rastin dhe t’i bëjë presion për ta zhvatur nga xhepat. Në orën dy e pak minuta, (të natës, apo të mëngjesit, quajeni si të doni) ishim në pikën kufitare të Kakavijës, për vulosjen e pasaportave. Ishim dy shokë njëri pas tjetrit. Gjatë rrugës për në Gjirokastër, shoku që kisha përpara ia shtoi gazin makinës dhe u shkëput mjaft, saqë unë nuk po e shikoja më përpara, kështu që i dhashë edhe unë më tepër gaz për ta arritur. Nuk e dija se në të dalë të fshatit Derviçan, policia kishte ngritur postbllok. Kështu që unë shkova drejt postbllokut me një shpejtësi më tepër nga sa lejohej nga tabela provizore e policisë, isha diku me 80 km/orë. Sapo shkova tek postblloku më doli polici përpara me një tabelë në dorë, duke ma bërë me shenjë të ndaloja. Ndalova pak më tej. – Ku vete kaq shpejt, – më tha polici, – nuk e pe tabelën e policisë përpara? – Unë e pashë një tabelë të vogël, 20 cm nga toka, por m’u duk si tabelat e punimeve që vihen në rrugë dhe po prisja të shikoja ndonjë kanal rrugës…! – i thashë. Tabelat e postbllokut nuk vihen në atë mënyrë. (Faktikisht, rregullorja për tabelat dhe paralajmërimet e vendeve të rrezikshme apo postblloqet e policisë kanë një rregull dhe një standard për vendosjen e tyre dhe jo në mënyrë amatoreske. Dhe pastaj fajin e ka qytetari!) – Lëri llafet, – m’u përgjigj polici – dhe më jep dokumentet. Ke 2000 lekë gjobë për kundravajtje. – Po mirë,- i thashë, – gjobën e paguajmë nëse na takon, por nuk shkaktova aksident, nuk shkaktova asgjë, veçse po nxitoja pak për të kapur shokun. – Nuk më duhet gjë mua, – m’u përgjigj dhe më mori patentën dhe lejen e qarkullimit. Duke shkruar një fletë-gjobe nga një bllok, më thotë: – Gjobën e ke 2000 lekë (të reja) dhe po qe se e shlyen në moment, të ma japësh mua në dorë, si financier që jam, të ulet 20% dhe paguan 1600 lekë. Po qe se nuk e paguan tani, por do ta paguash nesër a në një ditë tjetër në sportelet, ku paguhen gjobat, unë duhet të të mbaj patentën dhe lejen e qarkullimit deri sa të shlyhet gjoba, pastaj do vish t’i marrësh… Kjo më bëri shumë përshtypje. – Zotëri! Në Greqi, kur të vendos gjobë policia, marr fletën e gjobës dhe e paguaj brenda afatit që thotë gjoba në sportelet përkatëse. Këtu pse duhet ta mbash lejen e qarkullimit me patentën si peng? Ku të shkoj unë pa ato dokumente dhe ku të vij më pas të kërkoj ty? – Prandaj shlyeje tani, në moment dhe do paguash 1600 lekë. – Dakord, – iu përgjigja unë. I pagova 2000 lekë dhe prisja reston. Polici kruante xhepat gati pesë minuta, gjoja nuk kishte. Unë kisha njerëz në makinë dhe nxitoja për në Tiranë. E pashë se polici nuk kishte ndërmend të kthente resto,- ndaj i thashë,- mbaji ato se nuk i dua. – Ooo, të faleminderit shumë, më tha dhe më dha dokumentet dhe ika. Problemi im është nëse kjo gjobë do të paguhet nga polici dhe do të hiqet nga kompjuteri si e paguar apo mbas disa kohësh do të dalë si e pashlyer dhe mua do më detyrojnë të paguaj përsëri? Z. Ministër, po qe se denjoni të më ktheni një përgjigje personalisht, ta shuaj kureshtjen, sepse ne qytetarët e thjeshtë, nuk i gjejmë dot anën këtyre punëve, jo për gjë, por kur u flasim, na mbysin me llafe dhe e para e punës që bëjnë është se ndërrojnë mendje në moment dhe të tjera çmime të fusin. Me këto presione na detyrojnë të paguajmë, pa të pyetur nëse ke apo s’ke! Punonjësi i policisë quhet Ilir Nanaj, nga Golemi i Gjirokastrës. Nr. i serisë së gjobës është – 1576895….ID. Punonjësit të policisë.- 14821. A mund ta quajmë ndryshim të sjelljes së policisë rrugore këtë veprim? Kjo është mënyra e komunikimit dhe e shërbimit ndaj qytetarëve? Unë si qytetar, duke u nisur nga mënyra e komunikimit dhe presioni që u përdor, duke mos dorëzuar dokumentet, kam dyshimet e mia për mospagesën e kësaj gjobe në arkën e shtetit dhe përvetësimin e këtyre parave nga këta lloj policësh. Sepse fletë-gjoba nuk ka vulë shlyerje, por vetëm një firmë shkarravitje! 
    Pres përgjigje. Me nderim dhe respekt. Danel Cana, Tepelenë.