CEZ – Vjedhja ndaj Klientëve!

    440
    Sigal

    CEZ-i u heq qytetarëve matësit e energjisë elektrike, për t’i koaliduar, që të matin sa më shumë kw që nuk harxhojnë

    1. CEZ-i  koalidon matësit që të regjistrojnë kw të pakonsumuar

    Të shtunën, te zyra ” CEZ kujdesi ndaj klientëve”, përballë pallatit me shigjeta, në Tiranë, një grua rreth të 60-ve, ankohen me lot në sy, një nëpunësit të CEZ-it.

    – Kam ardhur 3-4 herë te ju dhe  ankohem, përse akoma nuk më vendosni matësin e energjisë elektrike, që elektricistët e CEZ-it, kanë dy muaj që ma kanë hequr?

    Nëpunësi, me një gjest shpërfillës, i thotë me qesëndi.

    – Prit edhe ca, do të vijnë një ditë, e do ta rivendosim.

    -Pokështu më thoni sa herë që vij- ankohet me zë të ngjirur nga e qara, gruaja e moshuar.

    – Kot mundohesh, ik e prit në shtëpi elektricistin kur të vijë,- i a kthen sërish ironikisht nëpunësi.

    – Përse më flet me ironi, zotëri?- gruaja e kuptoi qesëndinë e shpërfilljen e nëpunësit të CEZ-it, e ngriti zërin. – E shikon, që u jam ankuar, para disa ditësh- dhe i dëfton një fletë- ankese, po ju talleni me mua dhe nuk vini matësin që më hoqët.

    2. Policia private keqtrajton qytetarët që ankohen në zyrat e CEZ-it

    Gruaja e ngriti tonin e zërit, edhe pse ngulçonte nga të qarët. Ndërkaq, tre policë privatë, që ruajnë qetësinë në këto zyra të ankimit të qytetarëve, i afrohen gruas e i thonë me ton të vrazhdë që të çohet nga vendi e të dalë jashtë, se u prishi qetësinë.

    Gruaja kundërshton, por policët me forcë e ngrenë nga karrigia. Ndërkaq, ndërhyn një qytetar.

    – Ju përse e nxirrni me forcë jashtë?- u drejtohet policëve privatë.

    – Ti shiko punën tënde, mos fut hundët në punët tona.

    – Cila është puna juaj? Që me forcë të nxirrni qytetarët që ankohen ndaj vjedhjeve të CEZ-it?

    – Do të largohesh, apo të të nxjerrim edhe ty, si leckë përjashta,- e kërcënojnë qytetarin, policët privatë, që ruajnë qetësinë në zyrat e CEZ-it.

    Nëpunësit e CEZ-it, sehirxhinj ndiqnin dialogët e tensionuar të qytetarëve me policët privatë, duke mos ndërhyrë.

    Kohë më vonë, vijnë dy nëpunës të tjerë te zyra e CEZ-it dhe bisedojnë me qytetaren, të cilën e nxorën me forcë jashtë zyrave policët privatë.

    Qytetarja, siç na pohoi pak çaste më vonë, quhet Aleksandra Qarri dhe banon te rruga “Irfan Tomini” pallati 10/4, shkalla e parë apartamenti 10 në Tiranë. Aleksandra na thotë që banon në emigrim te fëmijët dhe përherë paguante 350-500 lekë/muaj  për energjinë elektrike. Një ditë, punonjësit e CEZ-it e pyesnin, si ka mundësi që paguan kaq pak.

    – Unë, u thashë që banoj në emigrim, e jo këtu,- u thashë, na thotë Aleksandra.

    CEZ-i në shtator, pa e pyetur, i heq  matësin e energjisë elektrike, asaj dhe fqinjit  së saj, Murat Gjindedaj.

    – Ju pyetën?- e pyes Aleksandrën.

    – Nuk na pyetën, vetëm na thanë, se do t’i koalidojmë.

    – Sa kohë keni me atë matës?

    – E kanë vendosur shumë vite më parë, KESH-i.

    – Ishin të prishur matësit e energjisë elektrike?

    – Jo, por do t’i koalidojnë, sepse ne nuk harxhojmë fare energji elektrike,- na thotë Aleksandra. – Një shoqes time në Selitë, kështu ia hoqën matësin dhe ia koaliduan, e tani ajo paguan dhjetëfish më shumë. Matësit i  koalidojnë që të shënojnë sa më shumë kw, edhe pse ne nuk i harxhojmë kurrë. Akoma, CEZ-i nuk i ka montuar matësin e energjisë elektrike. Po të pyesë ndokush:PoCEZ-i a nuk humbet kw, derisa ka 2 muaj që nuk mat? Përgjigja: Derisa CEZ-i do ta koalidojë që të matë shumë herë më tepër, se sa harxhimi real, a nuk e ka të garantuar ( me abuzim) fitimin?

    3. Eduard Elezi, drejtori ligjor i ERE-s: Nuk dimë që CEZ-i spekulon me koalidimet e matësve

     Para dy muajsh, në intervistën për ” Telegraf”, drejtori ligjor i ERE-s, Eduard Elezi, mohoi të dinte që CEZ-i koalidon matësit, me qëllim që të matin kw të pakonsumuar, edhe pse “Telegraf” i paraqiti fakte të pakundërshtueshme, ku një qytetari me 4 pjesëtarë ne familje, për 20 ditë CEZ-i i faturon 6.840 kw, duke e detyruar të paguajë 6.540 kw me dyfishin e çmimit.

    – Mund të jetë ndonjë gabim i matësit- ishte përgjigja e drejtorit të ERE-s, i cili nuk e mori mundimin as të shënonte provën e spekulimit të CEZ-it në vjedhjen ndaj kilentëve shqiptarë.  ERE është një ent i cili emërohet nga Kuvendi i Shqipërisë për të kontrolluar, veç të tjerash, edhe veprimtarinë e CEZ-it. Mirëpo, kështu siç sillet ERE ndaj CEZ-it, duket se është thjesht një menaxhuese e CEZ-it, edhe pse rrogat, dietat e shpërblimet e punonjësve të ERE-s i paguajnë taksapaguasit shqiptarë. ERE në fillim të 2012-s paraqiti në Kuvend një raport, ku i paraqiste kërkesën e uljes të çmimit të kw që CEZ-i i blen KESH-it, d.m.th, shtetit. Njëkohësisht, ERE, i kërkon qeverisë e Kuvendit, që të rritet çmimi i kw që CEZ-i u shet konsumatorëve shqiptarë. Këto veprime favorizuese të ERE-s ndaj CEZ-it, a nuk dëshmojnë që vetë ERE është menaxhuesja e fitimeve të CEZ-it?

    3. Përse ERE nuk kontrollon matësit e koaliduar nga CEZ-i?

    ERE, në bazë të ligjit, ka për detyrë që të kontrollojë matësit e energjisë elektrike. Madje ka një ent të pavarur, që kontrollon matësit e energjisë elektrike. CEZ-i nuk ka përse të bëjë koalidimin e matësve, kur ata nuk kanë pësuar asnjë dëmtim. Mirëpo, ERE është në ortakëlli me abuzimet e vjedhjet sistematike të CEZ-it, sepse, e para, lejon CEZ-in që të bëjë koalidimin e matësve, që nuk kanë pësuar asnjë dëmtim, por që janë vendosur kohë para se CEZ-i të nënshkruante kontratën.

    4. Zyrat “CEZ kujdesi ndaj Klientit”  janë kthyer në “CEZ- Vjedhje ndaj Shqiptarëve”

    CEZ-i financuar për të hapur zyrat e ankesave të qytetarëve dhe janë quajtur si një investim i madh i CEZ-it. Mirëpo këto zyra, edhe pse janë emërtuar me titullin e madh ” CEZ kujdesi ndaj klientëve”, në fakt, janë kthyer ” CEZ- Vjedhja ndaj Shqiptarëve”. Me mijëra janë ankesat e qytetarëve, mirëpo asnjë ankesë nuk ka gjetur zgjidhje nga CEZ-i. Kjo shpjegohet se të gjitha ankesat kanë të bëjnë me mënyrat sesi CEZ-i vjedh  dhe abuzon ndaj shqiptarëve. Sasitë e mbifaturuara pa u konsumuar, faturat mbi 300 kw, që qytetarëtë detyrohën ta paguajnë kw me 13,5 lekë nga 7.7 lekë/kw ( pa tvsh), koalidimi i matësve që të tregojnë kw të pakonsumuar, etj., CEZ-i kurrsesi nuk mund t’u japë zgjidhje.  Qeveria duhet që këto zyra të ankesave të Klientëve t’i kthejnë të pavarura nga CEZ-i e të gjithë ankesat t’i depozitohen CEZ-it, duke kërkuar edhe zgjidhjen.  Pra një ent i pavarur, do të ketë edhe ankesat e qytetarëve, por edhe kontrollin e zgjidhjeve të ankesave, ballafaqimin e tyre. Kjo mënyrë do të ishte kontrolli dhe transparenca e enteve ta pavarura nga CEZ-i, ndaj vjedhjeve e abuzimeve që CEZ-i u bën shqiptarëve.