CEZ, thellon skandalin, qytetarët paguajnë energji të paharxhuar, gati protestat masive

    457
    Sigal

    Vëzhgimi/Qytetarët paguajnë faturat e CEZ-it edhe kur nuk jetojnë prej vitesh në shtëpitë e tyre

    Abuzimet dhe padrejtësitë që i bën CEZ qytetarëve shqiptarë nuk kanë fund. Është një fakt i pamohueshëm që nga një anë CEZ mbifaturon konsumatorët e rregullt dhe nga ana tjetër energjia që ofron është jashtë çdo standardi megjithë faturat e mbishtuara, këtë e konstaton edhe nga vëzhgimet që ka bërë “Telegraf” në terren me qytetarët. Në lidhje me abuzimet e shumta që ka bërë CEZ qytetarët shqiptarë jo pak herë kanë bërë ankesat e tyre, por që nuk kanë gjetur zgjidhje madje në të shumtën e rasteve kanë marrë dhe përgjigje qesharake nga zyrat e CEZ si: “Përse nuk mban përgjegjësi për gjendjen e aparatit matës”.  Këto abuzime i vërtetojnë edhe më shumë ankesat e shumta të dhjetëra qytetarëve shqiptarë që dërgohen në zyrat e Shoqatës së Konsumatorit Shqiptar me qëllimin për t’u dëgjuar zëri i tyre. Ndërprerjet e energjisë, mbifaturimi që u bëhet çdo ditë konsumatorëve dhe luhatjet e tensionit tregojnë se në ç’nivel janë investimet e bëra nga kjo kompani që nga momenti që ka ardhur në Shqipëri e deri më sot. Një problematikë që ngrenë vazhdimisht konsumatorët shqiptarë edhe sipas informacioneve të marra nga Shoqata e Konsumatorit Shqiptar është ndërprerja e energjisë në mënyrë kolektive. Kjo kompani po sillet në mënyrë aspak korrekte me konsumatorët shqiptar dhe aq më tepër që po ndëshkon familje që paguajnë nëpërmjet dënimeve në mënyrë kolektive. CEZ aty ku sheh, ku nuk ka pagesa të rregullta energjie i bie shkurt dhe ia pret energjinë të gjithë zonës, duke penalizuar në mënyrë absurde konsumatorin e rregullt. Qytetarët shqiptarë shpesh herë bëjnë pyetjen se ku e gjen këtë forcë kjo kompani që nuk lexon e nuk zbaton ligjet ?!

    Të paguash edhe energji të pakonsumuar

    Një rast tjetër abuzimi mjaft i rëndë nga CEZ-i vjen nga një tjetër qytetar i kryeqytetit. E.T, banues i Tiranës tregon për “Telegraf” se ka paguar që nga viti 2011 fatura energjie të pa konsumuara. Po ashtu nga kjo periudhë nuk ka jetuar në shtëpi dhe shprehet se nuk ka konsumuar energji. Pagesat nga ana e tij kanë qenë të rregullta, por këto fatura nga ana e këtij familjari janë paguar edhe për vitin 2012. Ndërkohë që, ai tregon se ka dalë debitor ndaj CEZ, në muajin gusht 2011, ndërkohë që, e kishte paguar faturën e këtij muaji dhe këtë e ka të faktuar edhe me mandatë pagesën që ai posedon. Po ashtu në gushtin e vitit 2012 ai ka zbuluar se ishte debitor për gushtin e vitit 2011 që ai realisht e kishte paguar. Pra ai kishte një pagesë ekstra për gushtin e vitit 2011. Për këtë ai ka bërë edhe një ankesë dhe CEZ ndër të tjera i ka kthyer përgjigje se: “Klienti është përgjegjës për ruajtjen dhe mbrojtjen e sistemit matës të energjisë elektrike të vendosur nga furnizuesi”. E.T ka bërë të ditur për “Telegraf” se, nuk ka bërë asnjë ndërhyrje apo dëmtim në mjetin e tij matës. Raste të tilla nga më absurdet janë të pafundme nga CEZ.

    Qytetarët bëjnë ankesa, por nuk gjejnë zgjidhje

    Qytetarët shprehen se janë shumë të acaruar më praninë e kësaj kompanie që vetëm që po abuzon në kurriz të tyre. Teksa takojmë qytetarët në vëzhgimin tonë në pikat ku bëhet pagesa e faturave të energjisë ata shprehen për “Telegraf” se “jemi tërësisht të pambrojtur nga shteti jonë, shteti mbron CEZ në shkeljet e tij që bën, jonë si qytetarë”. Ka dhe raste kur një muaj nuk lexohet energjia elektrike dhe muajin tjetër i vjen energjia edhe për muajin e parë që nuk i është lexuar numri i matësit të energjisë. Qytetari Shaqir. Çollaku shprehet se, “muajin e korrikut nuk me ka ardhur fatura e energjisë, ndërsa këtë muaj më ka ardhur shumë e lartë energjia. Shkurtimisht më ka ardhur sa për dy muaj bashkë afërsisht 650 lekë të reja. Unë nuk mund t’i paguaj dy muaj përnjëherë. Por ky s’është rasti i parë që mua dhe banorëve të tjerë na bëhen padrejtësi të tilla. Unë kam pasur raste që më ka ardhur edhe 100 e ca mijë lekë”. Ai vijon më tej se kam bërë ankesa por nuk kam marrë zgjidhje. Një qytetar shpreh ankesën kundër CEZ-it: “Në matësin e energjisë elektrike CEZ-i më ka mbifaturuar 4.000 kë dhe meqë nuk kam jetuar në Shqipëri, më ka penalizuar edhe me 100 % kamatë. Unë jam ankuar 3 vjet rresht, por CEZ-i nuk merr mundimin që të më bëjë korrigjimin e mbifaturimit. U detyrova që të paguaja për çdo muaj shumën e 340 lekëve për shërbimin e CEZ-it, për matësin që më kanë mbifaturuar, madje edhe këtë me kamatë 100 %. Tani i kërkoj CEZ-it që të më lidhë energjinë elektrike, por ata nuk pranojnë, pasi më detyrojnë që të paguaj jo vetëm mbifaturimin e 4.000 kë, por edhe kamatën 100 %. U them, se unë kam 3 vjet që ankohem rregullisht për mbingarkesën, pse të më detyroni që të paguaj mbifaturimin? CEZ-i më tregon…ligjin e tij”! Një tjetër qytetar, thotë për “Telegraf” se që në muajin maj 2010 kishte paguar energjinë elektrike, por CEZ-i e detyron që të ripaguajë për muajin maj 2010 sërish, madje me një shumë dyfish, plus edhe 100 % kamatën, pasi CEZ-i ma nxjerr pas një viti, që unë nuk kisha paguar atë muaj. Kur pagova dhe i rikontrollova librezat, shikoj që kam paguar dy herë të njëjtin muaj, majin e 2010-s. Ankohem, u paraqis pagesat e tyre, mirëpo CEZ-i më thotë, që është maji i 2009-s, tani pa paguar. CEZ-i i detyron qytetarët të paguajnë 2 herë, të njëjtin muaj të vitit, dhe në rastet e ballafaqimit, sërish CEZ-i u nxjerr qytetarëve, që kanë muajin e vitit paraardhës pa…paguar. Vjedhje e hapur, por që qytetarët në Shqipëri nuk kanë mundësi që të ankohen gjëkundi, pasi CEZ-i mbrohet për vjedhjet nga shteti shqiptar.