CEZ nuk shpërndan faturat, punonjësit me pushime

    473
    Sigal

    SHQETËSIM QYTETAR/ Punohet me një sportel. Në zyrat e Klientit radhë të gjata për nxjerrjen e faturave mujore

    Radhët e gjata që janë krijuar tek zyra e Klientit të CEZ në Durrës kanë sjellë jo pak shqetësim tek të gjithë qytetarët. Nën temperatura që shkojnë  40 gradë, ka patur edhe raste kur qytetarëve, të cilët qëndrojnë me orë të tëra ne radhë, të nxjerrin faturat dhe të presin për të paguar paratë, rrezikojnë edhe jetën. Shkaku është lodhja, temperaturat e larta, që kanë ndikuar në përkeqësimin e shëndetit.

    Situata

    Mungesa e faturave të energjisë ka detyruar qytetarët durrsakë që të rikthehen në zyrat e Kujdesit ndaj Klientit që në orët e para të mëngjesit, duke zënë radhë. Dyndja e madhe e banorëve nga të gjitha lagjet, temperaturat e larta dhe orët në pritje i kanë kushtuar shtrenjtë një pensionisti, i cili ka rënë pa ndjenja teksa kishte tre orë që priste radhën për të nxjerrë faturën e muajit, por edhe për të paguar paratë e muajit të energjisë elektrike. Janë banorë nga disa lagje të qytetit të Durrësit, të cilët nuk u janë shpërndarë faturat e energjisë, e për pasojë dynden në zyrën e Klientit, ku punohet me pak punonjës sepse janë me pushime dhe leje. Në këto kushte banorët janë të detyruar të presin dhe pse në kushte shumë të këqija, ku një prej faktorëve është vapa dhe temperaturat e larta afrikane që kanë përfshirë qytetin bregdetar. Në këtë sportel radhët kanë nisur që në orët e para të mëngjesit, e deri në mbyllje të orarit zyrtar të punës, për shkak se në ditë vonese do të thotë kamatë për faturën e energjisë. Në këto kushte banorët janë detyruar, të lënë ditën e punës dhe të gjitha angazhimet që kanë për të paguar energjinë elektrike, por më parë duke kaluar në sportelin e vetëm, ku mund të pajisesh me faturë energjie.

    Qytetarët

    Një prej banorëve në radhë shprehet se situata është kaotike sepse askush nuk të jep përgjigje për mungesën e faturave të energjisë gati për çdo muaj dhe përsëritur disa herë për vitin 2011. “Nuk shpërndahen faturat e energjisë, jemi  të detyruar të marrim faturën duke pritur në një sportel të vetëm të vënë në dispozicion. E nëse fatura nuk paguhet në kohë, rrjedhimisht paguhet me kamatëvonesë, sepse këta për çdo ditë vonesë të mbajnë para shtesë”, shprehet qytetar në radhë. Kundër kompanisë CEZ qytetaret durrsakë radhisin një sërë akuzash, për mënyrën e mbarëvajtjes së sistemit të energjisë elektrike, për faturat që vijnë me shuma të majme, për ndërprerjet e energjisë elektrike si dhe se fundmi për mos pajisjen me fatura të energjisë elektrike.

    Sporteli

    Banorët janë detyruar, të lënë ditën e punës dhe të gjitha angazhimet që kanë për të paguar energjinë elektrike, por më parë duke kaluar në sportelin e vetëm, ku mund të pajisesh me faturë energjie

    Akuzat

    Kundër kompanisë CEZ qytetaret durrsakë radhisin një sërë akuzash, për mënyrën e mbarëvajtjes së sistemit, për ndërprerjet e energjisë elektrike dhe se fundmi për mos pajisjen me faturat mujore

    Rreziku

    Nën temperatura që shkojnë  40 gradë, ka patur edhe raste kur qytetarëve, të cilët qëndrojnë me orë të tëra në radhë tu rrezikohet edhe jeta, shkaku është lodhja e madhe, e cila përkeqëson shëndetin

    Berat, rrugët e Qarkut të gjitha të shkatërruara

    Infrastruktura në Qarkun e Beratit ndodhet në pikë të hallit. Të gjitha rrugët janë teje të shkatërruara dhe të pa kalueshme. Po të shohësh akset rrugore Berat- Poshnje, Berat- Urë – Vajgurore dhe atë Urë Vajgurore – Kuçovë do të përballesh me gropa me përmasa të mëdha, çka bënë që kalimi i automjeteve të bëhet i vështirë. Rruga që u kryen punimet 4 vjet më parë Berat – Urë – Vajgurore, nga cilësia e dobët e punimeve është kthyer në gjendjen e mëparshme. Specialistet shprehen se fillimisht, pa filluar punimet ky aks rrugorë ka qenë i gjerë, por pas kryerjes së punimeve, për interesa përfitimi firma e ngushtojë shumë edhe pse u kryen këto veprime abuzimet bënë punën e tyre duke mos zbatuar projektin që ishte aprovuar nga projektuesit e Qarkut. Ndërsa aksi rrugor Ura – Vajgurore – Poshnje që lidh Beratin me Lushnjën dhe Fierin është po ashtu në një gjendje të rëndë. Në këtë aks ka 30 vjet që nuk është investuar. Kjo gjendje ka shqetësuar shumë kalimtarët dhe pronarët e furgonave dhe të autobusëve, të cilët kanë dhënë alarmin se po ju shkatërrohen automjetet e transportit, por dhe udhëtarët po torturohen nga përplasjet nëpër gropa. Në të njëjtën gjendje ndodhet edhe aksi rrugorë Urë- Vajgurore-Kuçovë, i cili është tejet i shkatërruar.

    LAJME SHKURT

    Kuçovë, vetëvritet 49-vjeçari, shkak varfëria

    Nuk e përballonte dot varfërinë që e kishte pllakosur prej disa vjetësh prandaj i ka dhënë fund jetës duke pirë fostoksinë. Viktima është 49-vjeçari, Avni Koxhaj, 49 vjeç, babai i 5 fëmijëve, lindur e banues në fshatin Gegë, Komuna Kozare, vetëm 6 kilometra larg qytetit. Sipas policisë aktin e vetëflijimit e ka ndërmarrë nën efektin e alkoolit. Sipas familjarëve 49-vjeçari kishte kohë që kishte shfaqur shenja të depresionit dhe pinte çdo ditë dhe herë pas here shprehte keqardhjen për fëmijët e tij, të cilët nuk kishin me se të ushqeheshin. Helmin e ka pirë në dhomën e tij, por vetëm pak minuta më vonë ndjen dhimbje të forta, prandaj i ka kërkuar ndihmë familjarëve të tij, por transportimi në spital ka qenë i kot, pasi 49-vjeçari ka ndërruar jetë, pasi sasia e helmit që kishte pirë, sipas mjekëve ka qenë në një sasi të lartë. Pas ngjarjes është ngritur grupi hetimor, i cili po kryen veprimet e nevojshme hetimore.

    Gjendet e mbytur në pus një 40-vjeçare

    Korçë- Një grua 40-vjeçare është gjetur ditën e djeshme e mbytur në pusin e shtëpisë. Ngjarja e rëndë është shënuar në fshatin Libonik të qytetit të Korçës. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes sqaron se 40-vjeçarja Ardiana Haxhi u gjet e mbytur në pus nga familjarët e saj. Po sipas burimeve të policisë janë të paqarta shkaqet e rënies së 40-vjeçares në pus, por sipas hetimeve të para dyshohet se ajo mund të jetë hedhur vetë për rrethana, të cilat ende nuk dihen, por gjithsesi nuk përjashtohet edhe mundësia e rënies aksidentale.

    Aksidentohet për vdekje shoferi i autobusit

    DURRËS- Një shofer autobusi ka humbur tragjikisht jetën mesditën e djeshme rreth orës 16:30 në aksin rrugor Durrës-Kavajë, në zonën e Malit të Robit. Mësohet se viktima është shtetasi Ridvan Naska, shoferi i autobusit të linjës Tiranë-Gramsh. Naska pasi ka zbritur nga mjeti që ai drejtonte papritur është përplasur nga një automjet tip “Fuoristradë” e drejtuar nga shtetasi Bardhyl Cikalleshi. Policia, e cila ka mbërritur menjëherë në vendngjarje ka bërë të mundur arrestimin e drejtuesit të “Fuoristradës”, ndërkohë ka nisur hetimet për zbardhjen e aksidentit.