“CEZ-i duhet të përgjigjet për krimet ndaj shqiptarëve”

501
Sigal

INTERVISTA/Gjovalin Kadeli, deputeti i PS-së: “Alternativa e PS-së është që, vendi ynë ka shpresë dhe zgjidhje”

Zoti Kadeli, a është PS-ja për heqjen e licencës CEZ-it? Dhe a ka në programin e saj, në qoftë se vjen në pushtet në 2013-n, që ndaj CEZ-it, më në fund, të veprojë ligji?

–  PS-ja e ka ngritur zërin që në 2008 e deri në prill të 2009-s, ku u ratifikua kontrata në Parlament, e cila që në atë kohë erdhi me anekse të fshehura, me qëllim të caktuar për të fshehur korrupsionin me këtë aferë të radhës. Në atë që kemi denoncuar sot rezultoi e vërtetë, pasi faktet po dalin nga dita në ditë, ku edhe kompania CEZ e kupton se nuk i shpëton dot ndëshkimit.  Ne jemi pro biznesit të ndershëm, ashtu siç jemi kundër çdo marrëveshje të dyshimtë, që ka bërë kjo qeveri, përfshirë edhe CEZ- in, i cili sot po ndëshkon në mënyrë kolektive qytetarët shqiptarë. Nuk është asgjë heqja e licencës, para asaj që duhet të përgjigjet para  drejtësisë  për këtë krim ndaj shqiptarëve, të kryer në bashkëpunim me strukturat e shtetit e në mënyrë të përsëritur.

– A mundet PS-ja të bëhet pengesë e procesit të integrimit, duke mos votuar ligjet e 3 kushteve të statusit kandidat, duke qenë se kërkesat e saj politike, për Fierin nuk kanë të bëjnë me brendinë e 3 reformave?

– Së pari, kërkesat nuk janë politike, por ligjore, sepse kërkojmë zbatimin e disa vendime gjykate, që kanë të bëjnë pikërisht me këtë qark dhe është e pamoralshme që të votosh në parlament për t’u hedhur hi syve  ndaj shqiptarëve dhe partnerëve tanë europianë, pikërisht për këto gjykata ku vendimet e të cilave nuk zbatohen.

– Në qoftë se PS-ja nuk do të votojë 3 kushtet e statusit, po nuk u plotësua kërkesa për qarkun e Fierit, a nuk do të ketë kosto politike PS-ja?

– Koston politike në këtë vend e merr ai që ka për detyrë të dialogojë me opozitën, siç është qeveria, e jo të bëjë monolog  gjatë gjithë mandatit, ndërsa sot që  po u shet shqiptarëve të gjitha pasuritë e saj, gjoja për të dalë nga kolapsi, ku e ka futur ekonominë kjo qeveri dhe në fakt kjo pasuri po u shitet pseudo-amerikanëve për një euro, të cilët pastaj dalin shqiptarë të pastër, nuk mund të thuash që opozita nuk voton dhe nuk na lejon të hyjmë në Europë. Europa nuk ka nevojë për hajdutë e mashtrues por për qytetarë të denjë .

– Në qoftë se PS-ja, do të votojë tre reformat e kushtit të statusit, edhe pa u plotësuar kërkesa për qarkun e Fierit, a nuk do të kritikohet  PS-ja se u tërhoq pa kushte përballë presionit politik të PD-së?

– PS-ja është e vetmja që ka dëshmuar se për interesa të mëdha të popullit shqiptar ka lënë mënjanë interesat e Partisë  dhe ju e dini mirë sa e sa herë Edi Rama ka pranuar ofertat e partnerëve  ndërkombëtarë, për hir të kompromisit e konsensusit politik.  Në politikë, sa më lart të jesh, aq më shumë detyrohesh të bësh kompromise, pasi detyrimet dhe përgjegjësia janë më të mëdha .

– A nuk është dëmtuar imazhi demokratik, i vetë PS-së, dhe vetë parimi “1 anëtar, 1 votë” derisa në zgjedhjet e strukturave partiake vërehet tendenca e diktimit të drejtuesve nga kryesia e PS-së?

– Pikërisht, për shkak të demokracisë së brendshme që ka PS-ja, nganjëherë detyrohesh të marrësh vendime të ndryshme në funksion të përmirësimit të strukturave të PS-së. Parimi ” Një anëtar një votë” në disa raste është keqpërdorur nga segmente, të cilët nuk dinë të kuptojnë se për të gjithë ne ka një limit, ku mund të udhëheqësh dhe padyshim që duhet lënë vend të rinjve me energjitë e tyre të mëdha ta çojnë më përpara atë punë të mrekullueshme që kanë bërë drejtuesit e mëparshëm.  Në PS ka vend për të gjithë, por në radhë të parë për dashamirësi ndaj brezave dhe hapjes e mbështetjes së tyre pasi PS-ja ka nevojë për energjitë  e tyre dhe qartësinë e pakompromentueshme e jashtë komplekseve. Në PS  të gjithë janë të nevojshëm, përfshirë edhe të larguarit, apo vetëlarguarit.

– Meqë fushata elektorale ka filluar, ende PS-ja nuk ka shtruar alternativa bindëse për ndryshimin politik që afron politika e saj, por më shumë ka mbetur te politika e konstatimeve dhe deklarative.

– Fushata për një parti politike është gjithmonë prezent, sepse kërkon organizim të përsosur por sa më afër zgjedhjeve aq më i domosdoshëm bëhet riorganizimi i saj. Alternativat e PS-së tani janë më të qarta se kurrë, pasi janë vënë shtyllat e programit nga Asambleja Kombëtare. Tani po punohet për pasurimin konkret të programit për të gjitha pikat e tij dhe Rilindja Shqiptare po bëhet alternativa e vetme në politikën shqiptare, që mund ta ringrijë Shqipërinë aty ku e meriton, e këtë mund ta bëjmë vetëm ne që po e prekim realitetin shqiptar në çdo skaj të Shqipërisë, fshat më fshat,  duke u bindur në rrugën tonë të drejtë  e cila po qartësohet me mendimet e specialistëve. Padyshim që në 2013-n, PS-ja do të fitojë zgjedhjet në bazë të kësaj alternative konkurruese për të gjitha shtresat e popullsisë. Rilindja  Shqiptare do të provojë se në këtë vend ka shpresë dhe zgjidhje, për të jetuar me dinjitet në Europën e Bashkuar drejt së cilës kemi vite që e shohim si mollën e ndalueme për shkak të keqqeverisjes 20-vjeçare.