Çështja EULEX,Mogherini premton hetim të plotë dhe transparence

478
Sigal

Shefja e diplomacisë europiane Federika Mogherini, e “ka bërë të qartë sot në Bruksel se dëshiron që çështja e dyshimeve  për korrupsion brenda misionit evropian për sundimin e ligjit në Kosovë, EULEX, të trajtohet me transparencë maksimale”.

“Ajo beson se është në interesin tonë të sqarojë të gjitha hollësitë rreth kësaj çështjeje, ajo është duke marrë në shqyrtim të gjitha masat për t’u përballur me këtë çështje në formë transparente dhe në mënyrën që do të ruajë kredibilitetin e misionit”, ka thënë Maja Kocijançiç, zëdhënëse e Përfaqësueses së Lartë të BE-së.  

EULEX ka pohuar tashmë se është duke hetuar dyshimet se zyrtarë të tij mund të kenë marrë para në këmbim të lirimit të të disa të akuzuarve për vepra penale.

Gazeta “Koha Ditore” në Prishtinë ka publikuar një sërë shkrimesh që flasin për përfshirjen e dyshuar të pjesëtarëve të këtij misioni në vepra korruptive.

Në qendër të këtyre shkrimeve është prokurorja e EULEX-it, Maria Bamieh, e cila është pezulluar nga puna, para se të botoheshin shkrimet në gazetë.