Cërriku, mes të kaluarës dhe së ardhmes

    638
    Sigal

    INTERVISTA/Flet për gazetën “Telegraf” Hyqmet Zane, banor i vjetër i qytetit

    Qyteti Cërrikut  është krijuar në vitin 1947 me krijim e Ndërmarrjes Bujqësore Ushtarake në këtë zonë. Pas hekurudhës fillojnë ndërtimet. Viet 1952-1953 shënojnë edhe lindjen e qytetit të ri të Cërrikut. Rreth viteve 1956-1957 me ndërtimin e Uzinës së Përpunimit të Naftës fillon jeta dhe aktiviteti në këtë qytet që pasohet me ndërtimin e ndërmarrjeve të tjera si: TEC-i, NB, SMT, Radiostacioni, Instituti i Duhanit, Sektori Pyjor i Përpunimit të Duhanit, i Tregtisë, Telekomit, Elektrikut, Shërbimit Komunal, etj, aktivitete këto që u mbyllën pas viteve ’90. Ka një  popullsi prej 14 642 banorë dhe  bën pjesë në Rrethin e Elbasanit.

    Zoti Zane, kur dhe si jeni gjendur në qytetin e Cërrikut?

    Unë vij si fëmija i vetëm i dy prindërve nga qyteti i Filatit në Çamëri, që kanë pasur një jetë të mbushur me shumë peripeci. Kam lindur në Tiranë më 1955, pas 13 vjet martese të prindërve të mi, pas vdekjes së vajzës, motrës sime, disa ditë pas lindjes më 1950.  Jeta ime kaloi përmes një sërë andrallash me transferimin në Cërrik nga Kavaja, ku ishim qiraxhi tek shtëpia e gjyshit të Halit Shamatës (sot zv/ministër i arsimit) në kohën kur edhe kam lindur unë në Tiranë. Më pas në Cërrik babai im punonte bufetist, dhe një ditë, më 6 shkurt 1964, u dogj bufeja ku punonte ai si përgjegjës dhe u dënua me 6 vjet burg. Kemi kaluar një jetë të vështirë. Ishte koha kur, pas ekzekutimit të ashtuquajturit grupi i çamëve me Teme Sejkon e Tahir Demin, ndaj komunitetit shqiptar të ardhur nga Çamëria u regjistrua një aparteid i paparë i diktuar nga Sigurimi i Shtetit me porositë e diktatorit. Në atë kohë nëna ime filloi punë si punëtore ndërtimi dhe babai pas burgut, punoi si këpucar specialist po në Cërrik. Unë mbarova gjimnazin “Tomor Sinani” të  Cerrikut dhe vetëm pas një viti e ca më doli e drejta studimit për në shkollë të lartë në degën Gjuhë – Letërsi në ILP “A. Xhuvani” në Elbasan më 1975. Në vitin 1986 transferohem në fshatin Shtërmen pranë Cerrikut, në një kohë që isha martuar me Donikën, rrobaqepëse dhe kisha një djalë që na gëzoi jetën më 1983 dhe tashmë banonim në Elbasan.

    Çfarë mundet të na thoni për qytetin e Cërrikut, pasi ju keni kaluar një jetë?

    Jeta e një qyteti si Cërriku, pjesë e Qarkut të Elbasanit, duket se noton mes një mendësie dhe praktike të së kaluarës dhe një vizioni për të ardhmen. Kam arsye që e them këtë, duke pasur parasysh se kemi një qytet që për 11 vjet me radhë u drejtua nga dy kryetarë bashkie socialistë, por jo të majtë, kurrsesi të djathtë. Është e vërtetë që them kështu, sepse kam parasysh faktin se ky qytet që lindi si rastësisht, po aq rastësisht pati në krye të bashkisë së tij pati në 11 vjet dy njerëz që fatkeqësisht nuk i bënë nder atij domosdoshmërisht. Unë i njoh të dy kryetarët, jo thjesht si kryetarë bashkie, por si njerëz se edhe vetë bëj pjesë në atë komunitet që e kam jetuar për 26 vjet me radhë në një kohë diktature dhe nga kjo anë kam edhe kujtimet e mia. Por nuk do të merrem me to, sepse i takojnë një kohe tjetër. Si Kastriot Belshi në dy mandate, ashtu edhe Arben Ruçi në një mandat, nuk bënë gjë tjetër, veçse nuk bënë asgjë. E vetmja e re që i sollën qytetit e qytetarëve të tij, ishte një lapidar me një yll të kuq në qendër të qytetit që ngrihet për kujtesë të batalionit të Dumresë. Ky lapidar që askush nuk di si të thotë se përse një lapidar që i takon të jetë në qendrën e Dumresë në Belsh, ngrihet në Cërrik. Nëse Cërriku mbahet mend për ndonjë gjë të mirë dhe për këtë kemi mirënjohje pa kufi, është fakti që brezi i të rinjve që u rrit në këtë qytet, pati fatin e madh se u mësua nga një plejadë mësuesish elbasanas, por edhe të tjerë që ngritën një shtresë intelektualësh të mirë dhe të përgatitur po aq mirë. E them këtë se nderimi për mësuesit, është nderimi më i bukur, po aq sa edhe për dëshmorët e luftës, por jo për imagjinatat rakitike të atyre që bënë mynxyra me luftën e klasave ndaj familjeve fisnike dhe që ishin krenari për cerrikasit. Gjimnazi i këtij qyteti, që për çudi të madhe ka emrin “Tomorr Sinani”, që nuk ka asnjë lidhje me arsimin as me qytetin, u bë vatra e një shkollimi djemsh e vajzash që i dhanë emër Cërrikut pikërisht nga intelektualizmi i tyre. Cili nuk u mësua në këtë gjimnaz e nuk ka respektin më të madh për mësuesit elbasanas që për fatin e tyre vini nga familjet më të mira me tradita arsimore që burojnë nga Normalja e famshme, si Dilaver Shkodra e Edmond Tela, Platon Miraku dhe Faruk Besho, Bardhoshe Sejdini dhe Luftar Take, Rudolf Deliana dhe Ismail Shehu, Anastas Dodbiba dhe Drita Isai, Adhurim Kongoli dhe Fadil Xhafa, Vilson Karanxha dhe Abdurraman Duro e shumë të tjerë. Njëherazi këta mësues ishin edhe me ndonjë cen në biografi, ndaj dhe kujdesi i dyfishtë i punës së tyre u bë pasuri intelektuale e nxënësve të tyre. Pikërisht për këta mësues, emrat e të cilëve janë të gdhendur në kujtesën e brezave, do të duhej të ishin të shkruar në ndonjë memorial që do të duhej të ngrihej në këtë qytet në pjesën më të dukshme.

    Ndonjë  gjë më shumë për qytetin e Cërrikut sepse pak e njohin?

    Eh, çfarë të them më shumë, veç të vë një pikë asaj të kaluare që na trondit shumë kur e kujtojmë, sepse persekutimi i familjeve me emër, por edhe përdorimi i Cërrikut në një qytet internimi për familjet po aq të mira apo kundërshtarët politikë të sistemit komunist, i dha atij epitetin e qytetit “kudhër e diktaturës së proletariatit”.  Kjo është një e kaluar që duhet kujtuar për të ngritur të ardhmen dhe për këtë për 11 vjet me radhë u investua kotësia, inekzistenca, ndaj dhe pasojat sot janë evidente për kryetarin e ri të bashkisë, Servet Duzha, që do të duhet të përballet me mbartjen e së kaluarës dhe krijimin e një vizioni për të ardhmen. Në këtë kuptim, nuk i takon vetëm një kryebashkiaku që të bëhet vizionari i projekteve të së ardhmes së një qyteti, por edhe pjesës intelektuale të emancipuar që janë në Cërrik, por edhe që kanë ikur nga ky qytet dhe që shpesh kthehen edhe si vizitorë për nostalgjinë e tyre. Ky është Cërriku ynë me të mirat e të këqijat e tij, që nxori burra shteti dhe deputetë, nxori shkencëtarë dhe profesorë, po aq sa edhe artistë e sportistë të dëgjuar e me emër, pa harruar se përgatiti edhe specialistë të aftë në fusha të ndryshme, ku mund të cilësohet edhe media. E kujtojmë se këtu prindërit tanë vaditën me lotët e tyre të shpirtit persekutimin nga ajo pjesë e vogël që ishte syri vigjilent i sigurimit të shtetit dhe që e kishin kthyer në profesion të përgjuarit e të rrëfyerit me emrin e njohur tashmë si spiunë. Fatkeqësi, por e vërtetë. Duke folur me kryebashkiakun e ri, Servet Duzha, që tashmë po mbush vitin në krye të institucionit të bashkisë, lexoj përmes mendimeve të tij, interesimin për të mirën, për punën dhe dashurinë për qytetin e tij të lindjes dhe të jetës së tij dhe shumë brezave si ai. Kryebashkiakut Duzha do t’i duhet të verë dorë seriozisht në krijimin e të gjitha hapësirave për investime në punishte apo reparte fasone, për të sjellë në qytet investitorë edhe në prodhimet bujqësore për shkak të sipërfaqeve të parcelave mbjellëse që ka, po aq sa edhe të mendojë për ta bërë Cërrikun një interes për ta kthyer këtë qytet me të gjitha lagjet e tij në një burim të ardhurash. I interesuari i parë i këtyre ideve është vetë kryebashkiaku që me sinqeritetin që e karakterizon, ndjehet i shqetësuar për realizimin e një pjese të mirë të projekteve që do të jenë vizione të asaj të ardhme që pritet të bëhet realitet. Edhe pse i ngritur si qytet që prej 60 vjetësh, pallatet e këtij qyteti meritojnë të mos mbeten më të pa suvatuara, të paktën sa për të ndryshuar edhe vizualisht pamjen e këtij qyteti.

    Cërriku ka dhe mjaft toka bujqësore rreth e qark?

    Bujqësia e Cërrikut do të duhej të ishte privilegji i këtij qyteti, duke qenë i rrethuar me sipërfaqe për tu mbjellë me specialitete prodhimesh të shumëllojshme. Kur mendojmë se do të jemi në Cërrik si qytetarë të tij që sot jemi larguar dhe shohim me sytë tanë realitetin aktual, ndjejmë vetëm dhimbje.