Çeremi, fshati që braktiset nga banorët, për shkak të mungesës së energjisë elektrike

    431
    Banorët e fshatit Çerem, të rrethit të Tropojës, në prag të stinës së dimrit detyrohen që të braktisin shtëpitë e tyre, për shkak të mos furnizimit me energji elektrike prej vitesh. Mungesa e infrastrukturës rrugore është një tjetër element ndikues në largimin e banorëve në periudhën e dimrit, pasi rrugët janë gati të pakalueshme gjatë stinës së dimrit. Gjithashtu në këtë fshat ka mungesë të theksuar sa i takon kujdesit shëndetësorë ndaj banorëve, pasi nuk ka një qendër shëndetësore ku banorët të drejtohen në rast nevoje për ndihmë mjekësore. Çeremi është një ndër fshatrat e lënë krejtësisht jashtë vëmendjes së politikës prej vitesh, pavarësisht apelit të herë pas hershëm nga ana e banorëve për investim. Janë rreth 400 banorë në këtë fshatë të cilët zhvendosen në qytetin e Bajram Currit për të jetuar me qira për më shumë se 6 muaj, si pasojë e mangësive të cilat i renditëm më lartë dhe për tu rikthyer në shtëpitë e tyre në stinën e verës. Ata kthehen pasi punojnë tokën bujqësore, ku mbillet me patate, fasule dhe më pak misër, që e përdorin si ushqim për blegtorinë. Çeremi është një mrekulli e natyrës dhe në rast se do ti kushtohej më shumë vëmendje dhe investim do të kthehej në një pikë turistike të lakmuar si për stinën e verës ashtu edhe të dimrit. Por, për këtë kërkohet në radhë të parë rruga automobilistike që do të mundësojë shtrirjen e zhvillimit të turizmit. Çeremi është fshati që ndodhet rreth 1300 metra mbi nivelin e detit, që kufizohet me Plavën dhe Gucinë, dy fshatra shqipfolëse të Malit të Zi, një fshat në kufirin shtetëror mes Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi.
    Sigal