Centralet e Albtelekom kanë pushtuar Tiranën

    358
    Sigal

    Fenomeni që po rrezikon jetën e qytetarëve shqiptar. Kioskat e centraleve të telefonisë fikse, burim aksidenti

    Kioskat e centraleve të telefonisë fikse kanë pushtuar Tiranën. Përjetojmë çdo ditë fenomenin e “kioskëzimit”, edhe pse na u desh shumë për ta harruar atë. Centralet e vegjël të Albtelekom gjenden kudo: në rrugë, në trotuar, në qendra shëndetësore, në qendra banimi, pranë shkollave, etj.. Infrastruktura e dobët në qytetin e Tiranës krijon probleme në vetvete përsa i përket rrugëtimit të çdo qytetari. Trotuare të ngushta, apo, mungesa fare e tyre, më shumë probleme krijon për këmbësorët, të cilët me gjithë këtë trafik të rënduar rrezikojnë jetën e tyre çdo ditë. Por trotuaret ngushtohen akoma më tepër nga kioskat e centraleve të vegjël të Albtelekom, e sidomos në zonat që janë më tepër të populluara, apo më tepër akoma, në qendra shëndetësore dhe nëpër shkolla. Nuk dihet nëse janë me leje, por, edhe në janë, është njësoj sikur një pallat shumëkatësh ndërtohet me leje në mes të rrugës. Jemi vendi që kemi vuajtur më shumë nga kioskat, ndaj fenomeni i rishfaqur prej Albtelekom, meriton të shihet me sy kritik nga institucionet përkatëse. Sigurisht që centrale të tilla duhet të plotësojnë disa kushte e kritere të caktuara për t’u vendosur diku dhe duhet të jetë pushteti vendor ai i cili duhet të përgjigjet për të dhënë lejen e montimit apo ndërtimit të këtyre centraleve të vegjël. Kemi të bëjmë me vende publike të cilat janë në dobi të komunitetit dhe mirëmbahen me taksat tona. Qytetari shqiptar nuk duhet të paguajë për të rrezikuar jetën e tij.

    Centralet, burim aksidenti

    Para disa kohësh një makinë u përplas me një nga centralet e Albtelekom te “Komuna e Parisit”. Ky aksident solli rrezikimin serioz të jetës së këmbësorëve në trotuar. Tanimë as trotuaret nuk janë të sigurt. Prindërit tashmë kanë frikë për fëmijët e tyre. Fëmijët kanë frikë për prindërit e tyre të moshuar. Nuk funksionojnë më rregullat për trotuaret. Dikur prindërit i këshillonin fëmijët e tyre të ecnin trotuareve për të mos rrezikuar jetën e tyre. Por, asnjë s’është më i sigurt, duke ecur në trotuaret e ngushtuara nga centralet e Albtelekom. Por asnjë reagim nuk pati për këtë rast nga kompania telefonike Albtelekom, as nga bashkia, as nga AKEP. Albtelekom me veprimet apo mosveprimet e tij, përveçse zhvat hapurazi konsumatorin shqiptar, rrezikon çdo ditë jetën e këmbësorëve, por edhe të shoferëve të automjeteve. Dhe këtë e bën me bekimin e institucioneve shtetërore, të cilat kanë funksionin e vetëm, zbatimin e ligjit dhe mbrojtjen e jetës së qytetarit të vet.

    Centrale afër shkollave

    Centralet nuk mungojnë as në ambientet e shkollave të mesme dhe 9-vjeçare të Tiranës, duke ngushtuar shumë hapësirat e kalimit të nxënësve. Është e pafalshme heshtja e dikastereve përkatëse përballë këtij fenomeni. Ndërsa flasin me njëri-tjetrin, apo nxitojnë të kapin orën e mësimit, shpesh, u qëllon nxënësve të përplasen me këto centrale të Albtelekom që kanë mbirë kudo. Bllokimi i trotuareve dhe mungesa e vëmendjes shtetërore rrezikon çdo ditë jetën e tyre. Prindërit i çojnë fëmijët në shkolla për të mësuar dhe jo për të rrezikuar jetën e tyre.

    Centrale afër qendrave shëndetësore

    Edhe qendrat shëndetësore nuk i kanë shpëtuar këtij fenomeni. Për të shkuar në Poliklinikën Qendrore në Tiranë, apo siç quhet ndryshe poliklinika e Speciliteteve, duhet të kalosh skiç, pasi hapësira ndërmjet murit dhe centralit të Albtelekom është shumë e ngushtë. Është si të hysh në vrimën e gjilpërës. E njerëzit që i drejtohen poliklinikës kanë hall sëmundje, ndaj shpesh për të shpejtuar kalojnë në rrugë, se jo të gjithë janë aq të hollë sa të kalojnë në atë shteg të ngushtë. Por kur trotuaret janë kaq të pasigurta si duhet të jenë rrugët e Tiranës? Këto qendra shëndetësore janë në funksion të të sëmurëve dhe jo të viktimave të Albtelekomit.

    Prishja e estetikës së qytetit

    Kioskat e Albtelekomit përveçse pengojnë kalimin, por shëmtojnë edhe pamjen e qyteteve tona, sidomos në kryeqytetin tonë Tiranë. Sjellja anadollake e Albtelekom prish estetikën e kryeqytetit tonë dhe askush nuk thotë gjë. Askush nuk reagon. Si rrjeti shpërndarës, i cili kalon mbi kokat tona si9 rrjetë merimangash, ashtu dhe kioskat-centrale të Albtelekom e ka kthyer Tiranën në një qytet të shëmtuar dhe të pasigurt. Shteti dhe fuqia e ligjit duhet ti japë fund një herë e mirë kësaj situate kaotike dhe të papërgjegjshme me Albtelekom.

    Lidhjet politike të Albtelekom

    Monopolizimi, papërgjegjshmëria e enteve rregullatore, mungesa e shtetit, “i japin të drejtë” Albtelekomit të marrë nëpër këmbë konsumatorin shqiptar. Edhe pse kjo kompani i ka të gjitha kapacitetet për të dhënë një shërbim në standardet e duhura, konsumatori nuk gjen dot zgjidhje për problematikat që has gjatë rrugës së bashkëpunimit me Albtelekom. Indiferenca e shtetit në mbrojtje të qytetarit të tij, për shkak të lidhjeve që Albtelekom ka me qarqe të larta të politikës shqiptare, bën që kjo kompani të mbushë e qetë “thasët” me para dhe t’i eksportojë te kompania mëmë. Zhvatja e konsumatorit shqiptar, pa i ofruar një shërbim dinjitoz, është alfa dhe omega e kompanisë Albtelekom.