Çengelat e Karbunarës, aty ku ankoroheshin anijet

    491
    Sigal

    Ç’të jenë vallë këto çengela? A ankoroheshin vërtet anijet aty, apo është thjeshtë një gojëdhënë?

     Niko Ferro

    Muarrem Sharka

     Sipas gojëdhënave, dikur pranë fshatit Karbunarë, më saktë në ish-guroren e vjetër, kanë qenë disa “çengela hekuri të betonuar”, megjithëse, as banorët e vjetër nuk ruajnë ndonjë imazh të plotë. Sipas tyre ato kanë qenë të paktën deri në vitet ‘50 të shekullit të kaluar. Po le t’i kthehemi edhe një herë gojëdhënës për të kuptuar funksionin e tyre. Aty thuhet:

     “Shumë kohë më parë në këtë vend vinin dhe ankoroheshin anije nga vende të largëta dhe pikërisht në këto çengele marinarët lidhnin anijet e tyre” . Por a mund të ketë ndodhur vërtet kështu?

    A do ishte logjike të pranohej që një anije të ankorohej të paktën 65 metra mbi nivelin e rrugës aktuale? Faktet tregojnë se një gjë e tillë është e papranueshme dhe përjashtohet kategorikisht.

    Për të zbuluar këtë “mister”, po i rikthehemi edhe njëherë dëshmive të banorëve vendas. Sipas tyre “Çengelat kishin formë të rrumbullakët, prej hekuri dhe ishin të betonuar në shkëmb. Çengelët nuk ishin të vjetër, binte në sy cilësia e mirë e tyre. Një tjetër dëshmi tregon për gjetjen e të tjerë çengelave në kodrën përballë (kodra e Kalasë së Stanit) madje dikush pohon se, “këto dy kodra lidheshin dikur me njëra-tjetrën nëpërmjet kavove të gjata.

    Me pak fjalë të gjitha dëshmitë tregojnë për kavo që lidhnin dy kodrat dhe se çengelat shërbenin për të mbajtur kavot. Nga të gjitha dëshmitë që folëm më sipër rezulton se këta çengele nuk shërbenin për të lidhur anijet, por si teleferik për të lidhur dy kodra. Lind pyetja me të drejtë: Kur mund të jetë vendosur aty një teleferik? A ka burime të shkruara për të? Në fakt burimet historike për këtë nuk mungojnë. Mësojmë se gjatë Luftës së Parë Botërore, ushtritë austro-hungareze dhe italiane në Shqipëri ndërtuan dekovila (hekurudhë me binarë të ngushtë 0.65 m), për qëllimet e tyre ushtarake. Këto dekovila u përdorën edhe nga popullsia vendase si mjet transporti.

    Në lidhje me “çengelat e Karbunarës” mësojmë se në atë vend, rreth 97 vjet më parë, ushtarët e xhenios austro-hungareze ndërtuan një teleferik në vendin pranë ish-gurores së vjetër. Ky teleferik lidhte kodrën e ish-gurores me kodrën e Stan-Karbunarës. Fare pranë tij kalonte dhe linja e dekovilit, qëllimi i së cilës ishte furnizimi i ushtrisë në mënyrën më të shpejtë. Aty ishte pika më e lartë, e cila kontrollonte lumin Seman, dhe shërbente edhe si kufi ndarës midis forcave austrohungareze dhe ato italiane.

    -Cilat qytete lidheshin me rrjetin e dekovilit në Shqipëri?

    Ky rrjet fillonte në Shkodër dhe kalonte pranë Lezhës, për të përfunduar në Vorë. Prej këtu ai ndahej në dy degëzime; njëra shkonte drejt Tiranës, tjetra pranë pazarit të Shijakut. Vazhdonte më pas drejt Durrësit, Kavajës, Gosës, dhe Rrogozhinës. Përsëri po këtu ndahej në dy degëzime; njëra që shkonte për në Peqin, Papër, Elbasan dhe degëzimi që nisej nga Rrogozhina për të kaluar në Çermë, Dushk, Lushnjë. Përsëri në Lushnjë ajo ndahej në dy degëzime. Njëra kalonte për në drejtim të Beratit, tjetra për në Kolonjë, Mbrostar, Fier për të përfunduar në fshatin Levan. Po në Lushnjë ku kalonte ky dekovil? Dimë se ky dekovil futej në Lushnjë nëpërmjet një linje që niste nga kodra me toponimin “Harburi”, kalonte pranë “Pusit të Malit”, vazhdonte në drejtim të vendit të quajtur “Grona e Madhe”, kapërcente nëpërmjet një ure përroin e qytetit dhe më pas dilte në unazën e vjetër  për të përfunduar në “kodrën e Kalifasë”. Këtu ai ndahej në dy degëzime: një në drejtim të Karbunarës së Vogël, tjetra në drejtim të Kolonjës.

    Ndërtimi i një dekovili pranë qytetit të Lushnjës, me siguri banorëve të asaj periudhe duhet t’i këtë bërë shumë përshtypje. Ata duhet ta kenë me  kureshtje se si lëvizte një dekovil i tërhequr nga një lokomotivë dhe disa vagonë të përmasave të vogla.

    -A ruhen gjurmët e tij në ditët e sotme?

    Ura mbi të cilën kalonte dekovili ndodhej rreth 140 m në veri të “Urës së madhe”. Kjo urë mbahej në këmbë nga disa tuba hekuri me perimetër 200 mm, e ndërtuar nga xhenierët e ushtrisë austro-hungareze në vitin 1917. Për fat të keq kjo urë u shkatërrua nga një përmbytje në vitin 1946, ndërsa gjurmët e saj, sot janë zhdukur krejtësisht.

    Por dëshmitë e banorëve të vjetër të kësaj lagje kujtojnë“shinat e ngushta ku ata luanin dikur”. Megjithatë duket se jo çdo gjë është zhdukur krejtësisht, për fat të mirë disa nga këto shina ruhen në shtëpitë më të vjetra lushnjare, dhe një ndër këto sot gjendet në Shtëpinë Muze “Kongresi i Lushnjës”. Për të vërtetuar pranin e kësaj urë por i referohemi hartës së paraqitur më poshtë, e cila daton në vitin 1939. Ajo është hartuar nga “Istituto Geografico Militare” në Itali, me shkallë 1:5000 indeksi i hartës Lu /21. Kjo hartë jep të tjera detaje të rëndësishme për ekzistencën e urës ku dikur kalonte dekovili.

     Mësojmë, nëpërmjet shtypit të kohës, se pas largimit të ushtrisë austro-hungareze, nga zona e Lushnjës më 22 korrik të vitit 1918, ato lanë në terren “shinat ku kalonte dekovili, teleferikun, impiante të kompletuara telegrafike, impiante telefonike, e shumë të tjera.

    Si përfundim për shkak të Luftës së Parë Botërore ndërtimi i dekovilit në Lushnjë dhe teleferikut në Karbunarë nuk qe jetëgjatë. Pothuajse brenda viteve ‘20 të shekullit të kaluar nuk ngeli më asnjë prej tij aq sa në ditët e sotme banorët e zonës ngatërrojnë këto “çengela me vendin ku dikur ankoroheshin anijet”.