Carla Ruocco: “Ne duam një Europe që rrit dhe fuqizon origjinalitetin e shteteve”

578
Sigal

ESKLUZIVE/ Bisedë me deputeten italiane Carla Ruocco nënkryetare e komisionit Parlamentar të Financave, përfaqësuese e grupit parlamentar Lëvizja me Pesë Yje

Shqipëria dhe Italia kanë qenë gjithmonë të lidhura gjatë rrjedhës së kohës prej faktorësh të ndryshëm, të cilat kanë lënë dhe vazhdojnë të lënë shenjat e tyre në historinë e njëra-tjetrës. Sot këto dy shtete vazhdojnë bashkëpunimin e tyre ekonomiko-politik dhe ndajnë midis tyre emigrantë të shumtë dhe kohë krizash morale, ekonomike e politike. Për t’i kuptuar të gjitha këto nga perspektiva e një politikani italian “Telegraf” ka marrë në intervistë ekskluzive deputeten Carla Ruocco, nënkryetare e komisionit Parlamentar të Financave dhe përfaqësuese e grupit parlamentar Lëvizja me Pesë Yje. Italia sot gjendet në një situatë të vështirë dhe në krizë identiteti për gjendjen e saj në Bashkimin Europian. për t’i kuptuar më mirë të gjitha këto ndjekim intervistën e mëposhtme.

  -Shpesh flitet për një seri krizash. Krizë morale, krizë ekonomike, krizë politike, na kanë rrethuar të gjitha. Cila peshon më shumë në hapësirën e saj?!

Pika themelore sigurisht është kriza morale, e cila rëndon mbi qytetarët, mbi shpatullat e tyre dhe të personave të ndershëm dhe u kushton shumë shtrenjtë. Nisur nga këto motive dua të them se, kriza morale është e para dhe pastaj rrjedhin të gjitha llojet e krizave. Kriza morale është edhe brenda klasës politike, e cila ka humbur tërësisht me këtë lloj sjellje. E thërrmuar pak nga pak nga sensi i moralit, politika ka humbur busullën e saj edhe brenda partive dhe nuk jep asnjë shembull të mirë për popullin që duhet të përfaqësoj. Me zvarritjen e saj të papërgjegjshme gërshetohen edhe shumë probleme që janë të lidhura me njëra-tjetrën. P.sh. ne në Itali kemi një nivel shumë të lartë korrupsioni, i cili është vlerësuar edhe nga organet kompetente. Për saktësi korrupsioni kap shifrën 70 miliardë euro. Me këtë fakt t’i e kupton mirë se sa është e lidhur kriza morale me të gjitha llojet e tjera të krizave ekonomike, sociale dhe politike.

 -Ku e shikoni peshoren të thyer: mbi një Arsye të Përmbysur apo jemi duke ecur në një rrugë të gabuar?!

Problemet shfaqen gjithmonë komplekse. Mund të them se për disa situata duhet koha e domosdoshme, e cila dalëngadalë nëpërmjet ekzistencës, vështirësive të mëdha për të njohur e zbuluar, gjatë rrugës, progresin e domosdoshëm. Kjo nuk mund të arrihet për një ditë, as të nesërmen. Duhet kohë e natyrisht, dhe gjatë kësaj kohe në lëvizje janë bërë edhe gabime. Janë hedhur hapa pa dritë dhe janë bërë zgjidhje të gabuara. Historia e Italisë në këto njëzet vjetët e fundit ka qenë shkruar sigurisht nga një rrjedhë jete që nuk i ka dhënë shkëlqim as jetës dhe as ekonomisë sonë. Nuk ka pasur forcë e kuraje për disa lloj zgjidhjesh e sjelljesh më të pastra, më të drejta, më transparente. Herë pas here shumë gjera janë rrëzuar, ashtu si i shikojmë edhe sot. Ka vështirësi të marrësh vetëm një pikë referimi sepse do të ndeshesh në një ulluk të bllokuar dhe harrohet se drejt ecjes mund të shkohet edhe me pjesëza të vogla, që shpesh edhe ato vet i vendosin si bllokuese në një proces, në një projekt, në një ide. Duke u bërë të gjitha këto së bashku na japin hartën politike, të cilën e vështrojmë sot me problemet e saj sociale, morale dhe politike. Në këtë rrjedhë, ne përfaqësuesit e Lëvizjes të Pesë Yjeve shikojmë një pikë të rëndësishme si kriter themelor ku duhet të arsyetojmë. Ky është procesi i përfaqësimit, që na është deleguar prej rreth tetë milion votuesish. Pra, në çastin kur secili prej nesh delegon, zgjedh, i beson hallet e veta të jetës një të panjohuri, një të huaji, që këtu është bërë një zgjedhje e dështuar. Në fakt Lëvizja jonë, çdo njeri prej nesh, duhet të jetë protagonist, kontrollor minutë për minutë, çast pas çasti në rolin e përfaqësimit dinjitoz. Vetëm kështu mund të themi dhe mendojmë se dikush është duke u menduar për jetën tende, për të ardhmen tende. Kjo është sjellja jonë revolucionare!

 -Ekziston me të vërtetë një bashkëveprim politik – social jashtë kontestit parlamentar e politik apo thjesht një lojë e zgjatur hipokrizie midis të zgjedhurve dhe popullit?!

Në zgjedhjet e fundit ne morëm një besim jo të vogël. Lëvizja jonë ishte befasi elektorale dhe kjo ndodhi sepse praktikisht dhe realisht kemi një platformë moderne me koncepte të reja të së bërit politik. Ne jemi revolucionarë. Revolucionarë demokratë e paqësorë. Por një revolucion kulturor sigurisht që nuk ka lidhje me metodën dhe parimet e klasës së vjetër politike. Pikërisht, principin e Moralit dhe të rregullave.

 -Mos vallë kjo do të thotë që mirëkuptimi i së shkuarës nuk ka qenë një besim i vërtetë me popullin?! Në cilën fushë luhet ku realisht nuk fiton askush?!

Dëgjo! Ne në Itali kemi një problem jashtëzakonisht të madh. Problemi i informacionit! Kjo është themelore. Ndoshta për këtë arsye shumë njerëz kanë votuar akoma rojet e vjetra sepse ndërkohë, ashtu si e di edhe ti, ndryshimet ndodhin gjithmonë në kohë të turbullta dhe përgjigja sociale nuk mund të gjendet aq shpejt ashtu si arsye dhe ndryshimi rrënjësor. Nga ky këndvështrim, jo në pak raste, i jepet popullit një informacion jo korrekt. Në disa raste problemi qëndron edhe tek frika e ndryshimit edhe pse është shumë paqësor, shikohet me dyshim. Por ne shpresojmë se duke ndryshuar edhe rregullat e bashkëbisedimit do ta kalojmë edhe këtë pengesë së botës së informacionit dhe në të ardhmen do të fitojmë edhe më tepër për të shkuar drejt ndryshimeve të domosdoshme.

 -Ju mendoni se, shtypi italian nuk është në lartësinë e duhur për të transmetuar informacionin mbi atë çka ndodh në Itali ose në vendet fqinj dhe më larg?!

Jo. Shtypi në Itali është nën presion dhe përdoret nga lobe të ndryshme. Janë grupe të fuqishme të partive e natyrisht që është i mbërthyer në zinxhirët e tyre. Nuk është i lirë. Nuk ka shtyp të lirë, por shtyp i përdorur sipas interesave të grupeve dhe lobeve. Duke përjashtuar ndonjë gazetë të vogël, e cila nuk e përmbush dot botën e informacionit dhe ka ndikim të vogël. Por realisht përfundimi im është se shtypi nuk ndjehet në lirinë e tij profesionale të botës së informacionit.

 -Zonja Carla! Midis shumë gjerave në politikën italiane sot flitet pambarimisht për reforma të domosdoshme e në realitet është bërë shumë pak. Kush i pengon reformat e thella në planin social, ekonomik, administrativ, kushtetues?! Ku qëndron e vërteta?!

-Po, ke të drejtë. Plotësisht të drejtë. Reformat nëse nuk vinë e bëhen në mënyrë rrënjësore nga klasa politike, nga e njëjta klasë që në disa raste i ka bllokuar sepse vet ka lindur, është rritur dhe zhvilluar me ato do të thotë se është një shkak. Mungesa e koherencës… Kur ata flasin për reforma janë gjithmonë gjera të vogla e duket sikur vendosin andrra mbi pantallona të grisura; zënë vrima të vogla dhe harrojnë gryke pusesh, pa bërë reformat e duhura… Për të ndryshuar vendin është e domosdoshme reforma rrënjësore. Duhen bërë zgjidhje me plot kuraje për të gjitha nivelet politike dhe ekonomike. Unë personalisht mendoj se klasa e vjetër politike nuk e ka kurajën ta bëjë këtë sepse ajo vet është e lidhur dhe e ngatërruar me këtë sistem që është një sistem që ne duam ta ndryshojmë, e, ndryshojmë me rrënjë.

 -Por është e njëjta klasë politike që ka ndikuar disi edhe për zgjedhjet që ka bërë Europa?!…

Unë nuk besoj se klasa jonë e vjetër politike ka pasur një rol të madh dhe të rëndësishëm në Evropë. Më shumë se sa një rol të veçantë ata janë përshtatur rreth gjerave që u thoshte apo ndikonte Evropa e kështu që kemi qenë shumë pasiv në respekt me Europën. Edhe në këtë këndvështrim ne kemi idetë tona për të bërë një kontinent më modern dhe t’iu jepet hapësirë të gjitha shteteve, të cilat marrin pjesë në të, ose të tjerat që ende nuk janë bërë pjesë.

 -Shqipëria po përgatit hapat e saj të fundit për tu bërë pjesë juridike dhe ekonomike e Europës. Italia është gati investitori i parë që kërkon të jap një shembull të zhvillimit ekonomik. Si mund të këshillohen ekspertet ekonomik që ndjekin këto probleme?! Sepse kjo është edhe fusha e profesionit tuaj në jetë prej 17 vitesh si ekonomiste….

Shqipëria po kërkon të futet në Europë dhe ne Europën jemi duke diskutuar, jo se nuk e duam këtë, por për ta bërë më të mirë për të gjithë, një zhvillim për të gjithë popujt e saj. Përsa i takon Shqipërisë mund të them që ajo të ketë kujdes për rolin që mund të kërkoj brenda kësaj shtëpie të madhe pa u frikësuar për rregullat që mund të vendosin shtete të veçanta. Ne duam një Evropë që rrit e fuqizon të veçantën e çdo shteti. Përsa u takon investimeve që sipërmarrësit italianë janë duke zhvilluar në vendin tuaj nga njëra anë jam e kënaqur që kërkojnë, ndërthurin, dhe ndihmojnë për një linjë zhvillimi në Shqipëri. Nga ana tjetër, si qytetare italiane, ndjej keqardhje sepse vendi im është në krizë e në këtë vështrim është i drejtë një shkëmbim ekonomik e kulturor ashtu siç është e drejtë të kthehen në Itali. Kjo duhet të ndodh edhe nga investitorët shqiptarë brenda atdheut të tyre për të gjetur rezervat e brendshme dhe ta bëjnë Shqipërinë një vend të madh. Kjo është e rëndësishme për ju. Ne duhet të sigurojmë e ndihmojmë në mënyrë korrekte ju e vendet e tjera që më pas ato të zhvillohen në mënyrë të pavarur e kështu bota do të jetë një vend i bukur për të gjithë e jo vetëm për disa.

 -Ku çalon Europa sot?! Edhe pse ka problemet e saj ekonomike, edhe pse shpesh flitet për linjën franko – gjermane, edhe pse Italia, jo pak raste, duket jashtë loje në vendimmarrjet për fatet europiane. Ka ndonjë gjë që nuk funksionon brenda saj?!

Po, ka diçka që nuk funksionon sepse ajo është shumë e spostuar rreth interesave franko – gjermane, e këtyre dy fuqive ekonomike europiane duke harruar krejt pjesën jugore të saj; d-m-th. Europën e jugut si Greqia, Italia. Në këtë pikë gabohet. Gabojnë edhe vendet që bëjnë pjesë e ne nuk duhet të shpërndajmë ato, por të zgjedhim realitetin, të imponojmë më tepër duke pasur një shpirt më të pastër europian, një ndërgjegje të pastër edhe nga klasa politike për të bërë që të dëgjohet zëri i qytetarëve brenda Europës dhe jo duke dënuar e ndarë ekonominë për interesa shtete të veçanta.

 -Mos vallë Europa është shndërruar një perandori burokratike përpara se të zhvillohet një perandori ekonomike?!

Edhe kjo është e vërtetë. Një aparat i madh që kushton jashtëzakonisht. Burokracia për fat të keq nuk mungon kurrë, duke mbytur zërin popullor, atë human. Një burokraci mbytëse që nuk kupton kurrë se nga niset një propozim ndryshimi, një frymë e re. Burokracia krijon largësinë e lodhshme nga qytetarët dhe nuk njeh aspak problemet e tyre.

-Kthehemi pak në profesion… Si duhet të punojë një komision financiar për të vënë në rregulla financat e një vendi?!

Ndërkohë unë mund të flas për komisionin parlamentar Italian të Financave që në mënyrë të veçantë ka një detyrë, të kontrollojë situatën fiskale. Në Itali sistemi fiskal është shumë i rendë. Jo vetëm se sistemi i taksave është shumë i lartë, por ky presion ka në përqindje më shumë se 50 përqind të të ardhurave e kjo sasi shkon në xhepat e shtetit burokratik. Sistemi i taksave është shumë i rendë sepse u kërkon shumë qytetarëve të mbushin xhepat burokratik e harxhuar pastaj në mënyrë të pajustifikueshme sociale në të tjera drejtime. Edhe këtu duhet një reformë rrënjësore sepse sistemi aktual fiskal bëhet gati shkatërrues për qytetarët. Ne jemi duke punuar shumë për këtë, për ta shndërruar në një sistem më të lehtë, duke kontrolluar dhe ekuilibruar shpenzimet.

 -Tragjeditë e emigrantëve duke kërkuar një jetë më të mirë nuk kanë të mbaruar në brigjet italiane. Jo pak njerëz në vend të parajsës kanë gjetur vdekjen. Si mund të dilet nga kjo rrugë e rrezikshme?!

Kjo është një tragjedi që duhet të vrasi ndërgjegjen e atyre personave që janë përgjegjës në të vërtet. Ne nuk duhet të shikojmë skena vdekjeje. Kjo është e tmerrshme të shikosh në mënyrë të pafundme skena të frikshme. Vdekje pa moshë, fëmijë gëlltitur nga deti dhe ndërgjegjen e një shoqërie civile e paaftë për ta ndaluar atë. Nga kjo skenë mund të dilet vetëm atëherë kur jemi duke mësuar dhe respektuar që bota në zonat e saj jetësore duhet të shtohet e të jetë më civile, më afër njeri-tjetrit. Mund të jetë e pakonceptueshme, e paimagjinueshme, e papranueshme që ekziston vetëm një pjesë e vogël e botës e jetueshme dhe e gjithë pjesa tjetër duket si një ferr. Nuk mund t’i konceptojmë më këto situata. Duhet respekt më i madh për njerëzit, për të gjithë popujt. Duket e tmerrshme sot të shtosh industrinë e prodhimit të armëve. Mund të jetë paradoks, por mendo sikur të çarmatosej e gjithë bota nga kjo industri tmerri?! Këto probleme nuk do të ekzistonin kurrë. Unë nuk mund të them se ky problem do të zgjidhej nga mëngjesi në mbrëmje sepse do të ishte e pamundur, por sikur të çarmatosej gjithë bota këto probleme nuk do të ishin. Duhet të tentojmë seriozisht për të mos prodhuar e shitur më armë, për të mos shtuar industrinë belike që njerëzit mos të arratisen nga Atdheu i tyre.

 -Kjo nuk të ngjan si një utopi?!

Jo nuk është utopi. Ne nuk duhet t’iu dorëzohemi horroreve të vdekjes. Vendet e zhvilluara duhet të bëjnë më shumë, jo vetëm kundër armëve, kundër vdekjeve por edhe mikpritjes për vendet që kanë më pak zhvillim…

 -Kush duhet të vigjiloj për këto?

Organizmat ndërkombëtarë, fuqitë e mëdha, qendrat e zhvilluara. Nuk është e imagjinueshme që edhe problemi i pasurisë botërore të jetë i përqendruar në pak vende, në pak njerëz. Unë nuk mendoj se ndryshimet mund të ndodhin shpejt, por që të nis një planifikim i tillë për ndryshime të mëdha botërore nuk është asnjëherë vonë.

 -I rikthehemi përsëri politikbërjes. Partitë, betejën e parë e bëjnë për votat. Sapo i marrin ato i harrojnë programet, premtimet dhe nuk i realizojnë ashtu si i kanë shkruar e premtuar. Mund të shpjegohet kështu fakti që disa parti u harruan shume shpejt?!

Nuk janë të ndryshëm nga ata që kanë humbur gjurmët as partitë e vjetra që janë ulur në parlament dhe shpesh për t’u dukur të riformuar pas çdo zgjedhjeje u ndërrojnë emrat partive të tyre me aleanca të vjetra.

 -Italia e Vlerave me Antonio Di Pietro më duket se bëri histori në fillimet e saj kur filloi betejën për shtetin e së Drejtës. Edhe Fini ndjehej i fuqishëm me të djathtën e tij moderne?!

Shumë parti e fillojnë me bujë, por më pas nuk janë realistë me programet e tyre, me kohën e të tjerëve dhe për këtë arsye janë të detyruar për dështimin e tyre. Ka të tjerë që nuk janë koherentë, por që nuk kanë dalë nga skena politike. Mund të themi se loja është edhe tek bota e informacionit nëse ky nuk arrin ashtu si duhet. Pra kush gabon mbetet atje ku është.

 -Atëherë ku është thelbi i ndryshimit që po sillni ju?! Pra të tjerë shkuan të tjerë erdhën… Nuk është se edhe ju shumë shpejt mund të keni të njëjtin fund?!

Jo, jo, jo! Nuk kemi asgjë të përbashkët me ata që u zhdukën dhe me ata që janë akoma këtu. Ne kemi si tip politike një politik pjesëmarrëse qytetare, të përgjegjshme, ku qytetarët nuk delegojnë, nuk përjashtohen por janë aktiv në zgjedhjet tona. Ne nuk jemi të lidhur nga një koncept i vjetër i lidershipit, por pjesëmarrja e përgjegjshme e gjithsecilit. Nuk jemi tipi i partive politike që kanë një lider, një sekretari, një zyrë të përqendruar. Ne jemi krejt ndryshe. Jemi të lidhur me qytetarët, të vendosur në rrjet, transparent. Jemi një Lëvizje që ka lënë pas shpine sistemin e aparatçinjve. Jemi një piramidë e përmbysur me pjesëmarrjen e qytetarëve dhe demokracia në lëvizje si bazë themelore.

 -Çfarë duhet të braktisi klasa e vjetër politike për të rigjetur vetveten, mirëbesimin me popullin, për të realizuar reformat e domosdoshme?!…

Klasa e vjetër politike duhet të iki në shtëpi. (Qesh) Duhet të lëri karriget dhe duhet tua lërë personave që janë dëmtuar prej tyre. Klasa politike duhet të bëj një hap mbrapa për shkak të moralit të kalbur sepse duhet të ndryshojnë shumë gjera dhe nuk ka mbetur asgjë për tu ricikluar prej tyre. Duhet pastruar gjithçka në mënyrën më absolute…

 -Të shkruash rregulla e ligje është shumë e lehtë, por a nuk dallohet një boshllëk mbushur prej një administrate të paaftë. Si e shpjegoni ju këtë boshësi administrative në ide e në strukturë mendimesh?!

Po, ekziston një boshllëk për mungesa objektivash që duhet t’i propozojë klasa drejtuese. Por objektivi i tyre shpesh është linja për të mbajtur karrigen, për të realizuar e shtuar pasurinë në duart e pak njerëzve apo për ta bërë jetën, botën më të jetueshme e më të qëndrueshme?! Kush është objektivi që paraqitet kur shikojmë një politikan, një burokrat?! Kur dikush është kreu i një institucioni ky duhet të pasqyrojë objektin qytetar të ardhmen që e presin edhe prej nesh…

 -Zonja Carla pas pune…. Në familje pranë fëmijëve të saj si kalohen ato pak orë të mbetura?!

Puna është shumë e lidhur me fëmijët e mi. Më shtyn shumë dëshira për të ndryshuar këtë situatë, këtë botë kur shikoj edhe përgjegjësinë time përballë fëmijëve të mi, sigurisht më të mirë që jemi duke e përgatitur për ata. Në shtëpi kërkoj të plotësoj mungesën time fizike në mënyrën e të sjellurit të kujdesshme e kur kthehem kërkoj t’i dëgjoj me vëmendje, t’i dëgjoj sa më shumë duke bashkëbiseduar e ngrenë së bashku e t’u përcjell informacionin e mjaftueshëm për jetën dhe moshën e tyre.

 -Ka ndonjë rast që i “këshillon” se çfarë duhet të dëgjojnë ose jo rreth botës së informacionit?!

Jo! Ndonjëherë, kur ndjekin lajmet në mbrëmje, u them: “Fikeni televizorin dhe ndizni trurin!”

 Rome, Nëntor 2013