Çani: “Të mos bëjmë hapa pas!”

548
Sigal

Sulmuesi kryesor i Kombëtares: “E dua një gol kundër Lituanisë. Kemi shanse për në Botëror”

Përfaqësuesja shqiptare kërkon suksesin e radhës në miqësoren me Lituaninë pas asaj fitoreje historike me Norvegjinë në Oslo. Rezultati i përballjes së “Qemal Stafës” me lituanezët më shumë se për statistikë do t’i shërbejë trajnerit Xhani De Biazi për konsolidimin e mëtejshëm të grupit. Në këtë linjë shprehet edhe sulmuesi kuqezi Edgar Cani, i cili e konsideron shumë të rëndësishme ruajtjen e vazhdimësisë para sfidës së qershorit me Norvegjinë.

  – Çani, pas fitores me Norvegjinë, vjen miqësorja me Lituaninë. Si e vlerësoni?

 – Kemi një ndeshje tepër të rëndësishme, që të vazhdojmë këto hapa që po bëjmë përpara. Të shohim si do të shkojë, por mendoj se të gjithë lojtarët do të japin maksimumin e tyre.

– Sa të rëndësishme e shihni ndeshjen me Lituaninë?

Është e rëndësishme, sepse nuk mund të bëjmë hapa pas. Ne kemi një ëndërr që duam ta arrijmë të gjithë së bashku dhe do të bëjmë të pamundurën që ta arrijmë. E kemi marrë seriozisht ndeshjen me Lituaninë dhe nesër (sot) do të mundohemi të fitojmë dhe të bëjmë disa përmirësime.

 – Luajtët si titullar kundër Norvegjisë, a prisni të jeni në fushë nesër (sot)?

 – Kam dëshirë të luaj, pasi kam disa kohë që nuk po luaj vazhdimisht. Tani që do të jepet mundësia jam i lumtur dhe do të bëj të pamundurën për të bërë mirë.

 – Me klubin e ri, Katanian, keni luajtur shumë pak.

– Nuk ka lidhje mendoj unë. Janë dy gjëra që nuk shkojnë përpara bashkë. Edhe me klubin kur të më jepet rasti të luaj do të jap 100 për qind. Shpresoj që gjërat të shkojnë mirë si me kombëtaren, ashtu dhe me klubin.

 – Sa shanse kemi për të mbërritur në Brazil?

 – Ëndrrat reale janë ato që kemi thënë që në fillim; që do të bëjmë të pamundurën të kualifikohemi. Të shohim se mos e bëjmë reale. Po ëndërrojmë të gjithë dhe do të bëjmë të pamundurën që ta realizojmë.

 – Si e shihnin grupin tonë?

 – Mendoj se është një grup shumë i barabartë. Po i shohim të gjitha ndeshjet. Edhe Zvicra barazoi me Qipron, kështu që jemi të gjithë në garë. Ne duhet të luajmë të gjitha ndeshjet me zemër dhe të japim më të mirën deri në fund.

 – Mungon Salihi, a do ta ndjeni mungesën e tij?

Do më mungojë, sepse është një lojtar shumë i mirë dhe e ndihmon shumë skuadrën. Se kush do të luajë do të japë 100 për qind. Është një mungesë e madhe, por duhet të shkojmë përpara të gjithë.

Miqësorja e shtatë e De Biazit

 Shqipëria do të luajë sot ndeshje miqësore me Lituaninë, takim i programuar për më 26 mars, në “Qemal Stafa”, pas fitores 1-0 me me Norvegjinë, për eliminatoret e Kampionatit Botëror “Brazil 2014”. Miqësorja me Lituaninë, që pozicionohet e 115-ta në renditjen botërore të FIFA-s, ndërkohë që Shqipëria është në vendin e 64-t. Kjo është një tjetër mundësi për trajnerin Xhani De Biazi, për të konsoliduar ekipin dhe testuar lojtarë të rinj. Ndeshja e fundit miqësore e kuqezinjve është ajo kundër Gjeorgjisë (6 shkurt 2013), të humbur 2-1, pavarësisht se Kombëtarja jonë shënoi e para me anë të Erjon Bogdanit. Miqësorja me Lituaninë do të jetë e shtata për italianin De Biazi. Në gjashtë të parat ai ka këtë bilanc: 2 fitore (me Katarin dhe Iranin), dy barazime (me Moldavinë dhe Kamerunin) si dhe dy humbje me (të dyja me Gjeorgjinë).

  Curri: “Nuk duhet t’i nënvlerësojmë!”

  Më shumë minuta në këmbë kërkon edhe mbrojtësi Debatik Curri, i cili premton se mezi pret sfidën e kthimit me Norvegjezët për dhënë kontributin e tij në qendër të mbrojtjes në vend të Lorik Canës, i cili do të mungojë për arsye pezullimi. Kombëtarja shqiptare vazhdon përgatitjet në Durrës në prag të ndeshjes miqësore kundër Lituanisë. “Ndjehem mirë, nuk kam dhimbje, por nuk mendoj se jam 100 për qind të maksimumit tim. Po punoj, po stërvitem, por ndeshje nuk kam luajtur shumë. Shpresoj të luaj sa më shumë ndeshje që të arrij formën optimale. Me trajnerin kam një raport shumë të mirë. Ekipi po ecën mirë dhe ndodhemi në vend të gjashtë.  Jemi tre qendërmbrojtës, por trajneri preferon të luajë me ata të dy. Megjithatë nuk kemi probleme dhe nuk besoj se është çështja që më përfundon kontrata dhe nuk më aktivizon”, – tha Curri. “Në fillim normalisht që është pak e vështirë të qëndrosh në stol, por nuk besoj se është e rëndësishme kush luan. Me kombëtaren e rëndësishme është fitorja. Nëse fiton kombëtarja nuk do të thotë se fitoi Curri, Cana, Bogdani apo dikush tjetër, por fiton Shqipëria, fitojnë të gjithë shqiptarët”. Debatiku flet dhe për fitoren me Norvegjinë: “Me Norvegjinë ishte një fitore historike. Mendoj se nuk bëmë një ndeshje të mirë dhe nuk duhet të kënaqemi me këtë rezultat. Pas ndeshjeve të tilla kemi pasur probleme. Kemi bërë ndeshje të mëdha dhe më pas kemi rënë. Mendoj se duhet të vazhdojmë me këtë ritëm, të harrojmë Norvegjinë dhe të përqendrohemi tek ndeshja e nesërme (sotme) me Lituaninë.

Kam biseduar, por trajneri do të bëjë zgjedhjet e duhura, do të provojë disa lojtarë të rinj. Është një ndeshje që duhen provuar elementë të rinj. Nëse më fut natyrisht që do luaj, nëse jo, do rri në stol. Deri në qershor ka dhe 2-3 muaj kohë, kështu që mua më duhet që deri në fund të sezonit të luaj në disa ndeshje me ekipin, që të arrij formën time më të mirë. Me Norvegjinë është një tjetër ndeshje e rëndësishme, që duhet ta fitojmë dhe të rrisim shpresat për një kualifikim të mundshëm”. Në lidhje me të ardhmen e tij te ekipi turk, Genshelerbirlixhi, Curri tha: “Ka mundësi që edhe këtu të vazhdoj. Kemi caktuar një takim me presidentin në muajin prill, ku do të bisedojmë për të vazhduar apo jo. Kam kërkesa nga klube të tjera, por gjithsesi deri në fund të sezonit gjërat do t’i sqarojmë. Nëse do të qëndroj, kam dëshirë të luaj më shumë ndeshje, kështu që nëse trajneri nuk do të më llogarisë, do të largohem nga ekipi”.

  Bilanc negativ

 Janë vetëm tri ndeshje kundër Lituanisë, qysh kur shtetit balltik u shkëput nga trungu i ish-Bashkimit Sovjetik në vitin 1990. Dy janë ndeshje zyrtare, të vlefshme për eliminatoret e Kampionatit Botëror “SHBA 1994” dhe një miqësore (2006). Bilanci është negativ: 1 fitore dhe 2 humbje (3-5 golavarezhi). Takimi i parë daton, më 3 qershor 1992, kur Shqipëria e drejtuar nga Bejkush Birçe fitoi 1-0 në “Qemal Stafa”, me golin e realizuar nga Eduard Abazi (78’). Edhe ballafaqimi i dytë (14 prill 1993) përkon me një humbje të hidhur: 3-1 në Vilnius, teksa golin e vetëm e shënoi Sulejman Demollari (86’), por takimin e mbyllëm me dhjetë lojtarë pas të kuqit të Gjergj Dëmës (39’). Miqësorja e vetme daton, më 1 mars 2006, me gjermanin Hans-Peter Brigel në bankinë, teksa golin e vetëm të Shqipërisë e shënoi ish-mbrojtësi i njohur, Adrian Aliaj. Përpara se të luajë miqësoren me Shqipërinë, Lituania do të luajë takimin zyrtare me Sllovakinë.

  PRECEDENTËT ME LITUANINË

 03.06.1992, Tiranë

Shqipëri-Lituani 1-0

Trajner: Bejkush Birçe

14.04.1993, Vilnius

Lituani-Shqipëri 3-1

Trajner: Bejkush Birçe

01.03.2006, Tiranë

Shqipëri-Lituani 1-2

Trajner: Hans-Peter Brigel

MIQËSORET E DE BIAZIT

1) 29.02.2012, Tbilisi

Gjeorgji-Shqipëri 2-1

2) 22.05.2012, Madrid

Katar-Shqipëri 1-2

3) 27.05.2012, Stamboll

Iran-Shqipëri 0-1

4) 15.08.2012, Tiranë

Shqipëri-Moldavi 0-0

5) 14.11.2012, Gjenevë

Kamerun-Shqipëri 0-0

6) 06.02.2013, Tiranë

Shqipëri-Gjeorgji 1-2

  Përballjet mes ekipeve

 Ekipet shqiptare dhe ato lituaneze janë ndeshur vetëm në dy raste midis tyre. Në raundin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve (edicioni 2002-2003), Dinamo eliminoi kampionen e Lituanisë, FBK Kaunas: fitoi 3-2 në Lituani (golat nga Ahmataj, Pisha dhe Qorri) dhe barazoi 0-0 në Tiranë. Në turin e dytë, blutë u eliminuan nga danezët e Brondbit. Në edicionin 2006-2007, në raundin e parë eliminator të Ligës së Kampioneve, Elbasani u përball me kampionen e Lituanisë, Ekranas Panevezhys: fitoi 1-0 në “Ruzhdi Bizhuta” (gol i Gentjan Stojkut) dhe humbi 3-0 në Lituani.

 Rama, sot debuton për Shqipërinë

 Valdet Rama ka marrë pasaportën shqiptare, pas dekretit të firmosur nga Presidenti i Republikës, Bujar Nishani. Futbollisti i Valadolidit kishte probleme me dokumentacionin, për shkak se zotëronte që më parë dy pasaporta, atë të Gjermanisë dhe të Kosovës. Për të marrë nënshtetësinë shqiptare duhej të hiqte dorë nga njëra prej tyre dhe, ndonëse nuk ka detaje, duhet të ketë hequr dorë nga pasaporta e Kosovës. Një gjë e tillë vjen për shkak se me pasaportën gjermane ai është shtetas i Bashkimit Evropian, çka i krijon lehtësira për karrierën si futbollist profesionist, ndryshe në Spanjë do të llogaritej si lojtar i huaj. Rama pritet të startojë si titullar sot në mbrëmje, në ndeshjen kundër Lituanisë.

 Qeveria shpërblim për fitoren me Norvegjinë

  Futbollistët e kombëtares do të shpërblehen nga qeveria shqiptare për suksesin 1-0 arritur në Norvegji në Botëror. Shuma nuk bëhet ende me dijë, por premtimi i kryeministrit Berisha është bërë. Do të ishte hera e dytë që Berisha do ta shpërblente ekipin përfaqësues, pasi rasti i parë ndodhi në vijim të triumfit 1-0 në Tiranë ndaj Bjellorusisë, atëherë në eliminatoret e Euro 2012.

Nga 10 000 euro mori secili lojtar dhe nga 15 000 shënuesi i golit, Salihi, kapiteni Cana dhe ish-trajneri Kuzhe. Gjithsej, 200 000 euro. Tradita e shpërblimeve për kombëtaren nuk është e re. Mbahet mend mirë shuma prej 500 mijë dollarësh që ish-kryeministri Nano dhuroi për lojtarët në shtator të 2004-ës. Jo pak, gjysmë milioni, por për suksesin 2-1 ndaj Greqisë, kampione në fuqi të Europës. Më parë, në vjeshtë të vitit 2000, ish-kryeministri tjetër, Ilir Meta, dha një shpërblim për fitoren 2-0 po ndaj Greqisë në eleminatoret e Botërorit.