Cani: Njësive vendore që do të shkrihem, t’i mbyllen llogaritë

    133
    Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka firmosur urdhrin për procedurat e mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, mbështetur në ligjin “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për buxhetin e vitit 2015”. Sipas këtij urdhri, transferta e pakushtëzuar (tremujori i III-të (10%) dhe tremujori i IV-të (10%)) për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen në kuadrin e reformës territoriale, çelet në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë më datë 01 korrik 2015. Ministria e Financave sqaron se njësitë e qeverisjes vendore, që do të shkrihen, duhet të paguajnë deri në datën 07 korrik 2015 shpenzimet, dokumentacioni i të cilave përmban datën deri më 30 qershor 2015. Po ashtu, njësitë e qeverisjes vendore duhet të likuidojnë shpenzimet për paga dhe të tjera të lidhura me to (si sigurimet shoqërore, etj.), të muajit Qershor, brenda datës 07 korrik 2015.
    Urdhri i Ministrit të Financave udhëzon se të ardhurat e njësive vendore të shkrira të papërdorura deri në datën 07 korrik 2015 do t’i trashëgohen njësisë së re vendore, ndërsa të ardhurat tatimore vendore, për të cilat vepron si agjent administrata tatimore qendrore dhe institucione të tjera qendrore, të cilat shërbejnë si agjent tatimor, do të rakordohen dhe alokohen deri më datë 07 korrik 2015. Fondet e papërdorura do t’i kalojnë njësisë së re vendore.
    Urdhri i firmosur nga Shkëlqim Cani saktëson se deri më datën 20 korrik 2015, degët e thesarit duhet të dërgojnë në Ministrinë e Financave (Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit), në mënyrë elektronike dhe në rrugë shkresore, gjendjen e buxhetit (tepricën) nga transferta e pakushtëzuar, të ardhurat e veta dhe të tjera të ardhura për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen, si dhe detyrimet e prapambetura.
    Nëpunësit autorizues dhe nëpunësit zbatues të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, kanë të drejtën e veprimit në degën e thesarit përkatëse për kryerjen e transaksioneve të mbylljes së llogarive vjetore deri më datë 10 korrik 2015. Urdhri i Ministrit të Financave sqaron se të gjitha njësitë e reja të qeverisjes vendore, brenda 5 ditëve nga konstituimi i tyre, duhet të paraqesin në Ministrinë e Financave shkresën për konfirmimin e Nëpunësve Autorizues dhe Nëpunësve Zbatues, sipas kërkesave ligjore në fuqi dhe shton se çdo rast specifik, pas datës 10 korrik 2015, do të trajtohet rast pas rasti nga Ministria e Financave.