“Çalik” grabit dhe dhunon qytetarët shqiptarë

    416
    Sigal

    Denoncimi, qytetari Dashamir Ndoja denoncon shkeljen e kontratës së pajtimit nga Albtelekom

    “7.3 Në rast se përdoruesi vonon pagesën e vleftës së faturës së 1 muaji tej afateve të përcaktuara te 6.1 b të kësaj kontrate, atëherë:

    a. Në datën 1 të muajit të dytë pasardhës, operatori nuk i ofron përdoruesit shërbimet sipas kontratës, por i jep atij të thirret nga të tjerët dhe të përdorë shërbimet e Urgjencës.

    b.Deri në datën 15 të muajit të dytë pasardhës përdoruesi detyrohet ti paguajë operatorit kamatë në masën 0,5 % të vlerës së muajit të papaguar për çdo ditë vonesë.

    c. Në datën 16 të muajit të dytë pasardhës, përdoruesit i ndërpritet dhe ofrimi i shërbimit për thirrje të hyra dhe pushon llogaritja e kamatave sipas pikës 7.3 b, por lejohet e drejta e përdorimit të shërbimeve të Urgjencës.

    d. Nga data 16 deri në fund të muajit të dytë pasardhës, negociohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve; kryerjen e pagesës së faturës mujore, kamatë vonesat etj. Nëse mosmarrëveshjet nuk zgjidhen çështja kalon në Gjykatën e Rrethit.

    e. Ditën e fundit të muajit të dytë pasardhës, kontrata quhet e ndërprerë…”.

    Pra, sipas kontratës, Albtelekom e ndërpret sinjalin dhe qytetari nuk merr asnjë lloj shërbimi pas 2 muajsh, në rast mospagese, ndaj dhe operatori nuk mund ta tarifojë përdoruesin më shumë se dy muaj, plus kamatën për 1 muaj e gjysmë. Edhe pse është e shkruar e zeza në të bardhë, në realitet ndodh ndryshe…

    Denoncimi

    Dashamiri tregon se si ai, ashtu dhe i vëllai janë abonentë të Albtelekom-it, të cilët prej vitesh kanë qenë të rregullt në pagesat e faturimeve mujore. I vëllai i tij është emigrant dhe Dashamiri ka paguar të gjitha faturat e të vëllait deri në qershor të vitit 2013, ndërsa faturat e tij mujore vazhdon t’i paguajë edhe sot e kësaj dite (të vërtetuara dhe me librezat përkatëse). “Ishte e kotë të paguaja tarifën e shërbimit prej 530 lekësh, kur im vëlla nuk ishte në Shqipëri dhe paguante për një shërbim të cilin nuk e përdorte. Kështu, unë mendova ta prish në këtë mënyrë kontratën me Albtelekom”, shprehet Dashamiri. Ai tregon se vëllai i tij i quajtur Zef Ndoja ka lidhur një kontratë me Albtelekom në vitin 2003 dhe ka zbatuar me përpikmëri të gjitha kushtet që përcakton kontrata deri në qershor të 2013-ës, kur vendosi të mos paguajë më faturat e Albtelekomit, që vetëm brenda 7 vjetësh e ka rritur tarifën e shërbimit në 300 % nga 250 lekë në 700 lekë sot (gati 7 % e vlerës në para të një pensioni mesatar sot në Shqipëri). Gjatë gjithë këtij viti, deri në 23 maj të viti 2014, Albtelekom nuk i dërgon asnjë shkresë për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshje. Kjo edhe në bazë të nenit 7, ku “nga data 16 deri në fund të muajit të dytë pasardhës, negociohet për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve; kryerjen e pagesës së faturës mujore, kamatë”. Albtelekom nuk e ka ndërmarrë këtë hap të parashikuar në kontratë. Albtelekom i dërgon përdoruesit Zef Doda një njoftim mbi detyrimet dhe kërkesë për përmbushjen e tyre vetëm në datën 25 maj të viti 2014, pra gati pas një viti.

    Njoftimi i Albtelekom

    Në njoftimin e tij me nr. protokolli 4628 në datë 23/5/2014, Albtelekom, përveçse njofton qytetarin Zef Doda mbi detyrimet e tij e kërcënon me gjyq për një shumë qesharake (2 400 lekë) dhe, ajo çka është më absurdja, për shërbime që nuk i ka kryer. Kur dihet, se vetëm kostoja e pullave postare për shkresat e dërguara në adresë të qytetarit, apo gjykatës është më e madhe se shuma e mësipërme. Të mos flasim pastaj për procedurat gjyqësore, që me patjetër do të kenë një kosto akoma më të lartë financiare, duke pasur parasysh pagesën e avokatit mbrojtës për çështjen etj., etj.. Gjithsesi, duke ia lënë në dorë turqve të bëjnë llogaritë e tyre (në kurriz të abonentëve të tij), qytetarët shqiptarë kërkojnë të trajtohen me respekt dhe dinjitet, pasi janë ata, pa është biznesi i sipërmarrësve turq. Qytetari Dashamir Ndoja, i vëllai i Zefit, ndihet i ofenduar moralisht nga kërcënimi që i bëhet qytetarëve shqiptarë në shtëpinë e tyre nga sipërmarrësit turq. “Edhe të lypja në rrugë do i kisha kaq para për t’ia dhënë Albtelekom-it, por nuk ka sesi, turku që më ka rrjepur rregullisht dhe vazhdimisht të vijë e të më kërcënojë në shtëpinë time”, shprehet i revoltuar Dashamiri. Për të, është dëshpëruese dhe shumë irrituese rritja e tarifës së shërbimit, kur investimi është 0 nga ana e Albtelekom. “Telefonin e kam blerë vetë, kabllot vetë, defektet janë problematike dhe asnjëherë nuk rregullohen në kohë, rrjeti shpërndarës është për faqe të zezë. Për çfarë e rrit tarifën e shërbimit kompania turke?”, pyet Dashamiri.

    Albtelekom shkel kontratën

    Por çudia nuk mbaron këtu, pasi përpos kërcënimit për ta çuar në gjyq, drejtori i Operacioneve Mbledhës të Albtekom, Ahmet Aksoy i bën të qartë abonentit Ndoja edhe pasqyrën financiare të detyrimeve që ai kishte ndaj Albtelekom. Sipas kontratës, përpos faturës së papaguar të korrikut, qytetari realisht është debitor për korrikun dhe gushtin plus kamatën për 1 muaj e gjysmë. Por ndryshe nga ç’thuhet në kontratë qytetari duhet t’i paguajë Albtelekomit tarifën e shërbimit me kamatat përkatëse; tetorin, nëntorin, dhjetorin e vitit 2013 dhe janarin, shkurtin dhe marsin e vitit 2014. Pra, e tarifon qytetarin për 6 muaj, duke grabitur paturpësisht në dritën me diell dhe duke shkelur në mënyrë flagrante kontratën e nënshkruar në vitin 2003 nga qytetari Zef Ndoja dhe Albtelekom.