Caktohet sezon i veçantë testimi për licencimin e farmacistëve të rinj

540
Qindra kandidatë të diplomuar në farmaci që kanë kryer detyrimet me praktikën profesionale nuk do të presin sezonin e muajit maj për të hyrë në provimin e licencës. Për këtë kategori, autoritetet e Agjencisë Kombëtare të Provimeve kanë lajmëruar zhvillimin e një sezoni shtesë provimesh shteti vetëm për këtë kategori, testim i cili është parashikuar që të zhvillohet në mëngjesin e datës 19 prill. Sipas rregullave të përcaktuara, kandidati duhet të paraqitet në ambientet e kësaj agjencie 30 minuta para nisjes së provimit të shtetit, rezultatet e të cilit janë vendimtare për të siguruar lejen e ushtrimit të profesionit. Autoritetet e kësaj agjencie nënvizojnë se në ditën e provimit kandidati duhet të jetë i pajisur me: “Kartë Identiteti për pjesëmarrje në provimin e shtetit (dokumenti origjinal), si dhe kopje të saj, faturën e pagesës së tarifës së provimit të shtetit të derdhur në një nga bankat e nivelit të dytë sipas herës së pjesëmarrjes në provim. Në rast të ndryshimit të mbiemrit, kandidati të paraqesë certifikatën përkatëse që vërteton këtë ndryshim. AKP pritet të zbardhë edhe listën e detajuar të kandidatëve që kanë të drejtë të shfrytëzojnë këtë sezon të veçantë testimi për licencën, duke detajuar edhe orarin specifik të testimit për secilin prej tyre. Kandidatët që do të vlerësohen në testimin me alternativa, me më pak se 50 pikë, nuk do të pajisen me licencën profesionale, pasi rezultojnë mbetës. Sipas kushteve të përcaktuara në rregulloren e provimeve të shtetit, saktësohet se në rastet kur kandidati nuk paraqitet në provim në orarin dhe ditën e përcaktuar, si dhe kur tërhiqet përpara fillimit të tij, atëherë provimi nuk vlerësohet si i kryer. Por, në këto raste kandidatit i mbahet tarifa e paguar, çka do të thotë se kur të regjistrohet për të hyrë në sezonin e radhës duhet të shlyejë sërish tarifën e përcaktuar për herën e parë të hyrjes në provimin e shtetit. Ndërsa në rastet nuk e kalon testin me herën e parë, kur ta japë sërish duhet të paguajë një tarifë edhe më të lartë. Tarifa vjen në rritje, për çdo provë të dështuar të hyrjes në provim. Ligji për licencimin e këtyre profesionistëve nëpërmjet provimit të shtetit përcakton se: “Kandidatët që nuk arrijnë që të marrin provimin pas 5 tentativash, nuk kanë më të drejtë të ushtrojnë profesionin për të cilin janë diplomuar, pasi kaq është dhe numri maksimal i mundësive që ligji jep për të fituar licencën e një profesioni të rregulluar.
Sigal