Çahet muri i jashtëm i depos kryesore të ujit në lartësi të kodrave të Durrësit

563
Sigal

RREZIKU/ Banorët i tremben një përkeqësimi dhe shkatërrimit të saj në ndonjë tërmet të mundshëm

Çahet muri rrethues i depozitës kryesore të qytetit të Durrësit. Depo Nr. 1 e ujit, është e ndërtuar që në vitet e luftës se Dytë Botërore nga specialistë italiane. Ajo sipas durrsakeve është ndërtuar rreth viteve 1939 në një territor toke që u përkiste si pronë fisit Llavda. Gjurmët e këtij ujësjellësi kanë filluar në atë periudhë në linjën e ujësjellësit të vjetër roman të periudhës së Perandorit Adrian dhe fillonte nga lumi Erzen në sektorin e fshatit Pjezë deri në Durrës. Kjo ka zgjidhur në atë periudhë mjaft mirë furnizimin me ujë të banorëve. Ai ka mbi 70 vite në funksion. Gjatë viteve ‘50-‘60 të shekullit të kaluar, me zgjerimin e qytetit dhe rritjen e popullsisë është zgjeruar përsëri nga specialistë vendas. Dhe tashmë ka vite që nuk ka pasur asnjë ndërhyrje. Kjo dallohet me sy të lirë për këdo që i rastis rruga në ulje ose në ngjitje nga qendra e qytetit drejt Kodër Viles ose dhe anasjelltas.

Frika e banorëve

Ajo ndodhet në lartësi të Kodër- Vilës në lagjen Nr. 1 të qytetit. Vitet e fundit është vënë re një çarje, e cila sipas banorëve të kësaj lagjeje kohët e fundit ka pësuar një zgjerim gradual dhe tashmë dimensionet e çarjes janë në përmasa të mëdha mbi 10 – 15 cm. Kjo vërtetë është një çarje në murin rrethues të depozitës kryesore të qytetit, ndërsa në brendësi të sajë ajo ka një tjetër perimetër prej betoni, por kjo nuk i garanton njerëzit që banojnë në afërsi të sajë dhe aq më shumë banoret që ndodhen në pjerrtësi të kodrës, se nuk mund të ketë pësuar pse se do të pësojë krisje edhe depozita e nëndheshme e ujit. Ata thonë se tashmë jetojnë me frikë pasi  kjo çarje do të vijë duke u zgjeruar dhe në rast të ndonjë tërmeti, çarja e bërthamës së brendshme të depos mund të jetë e menjëhershme dhe në rast të tillë katastrofa nuk do të mund të evitohet. Banorët thonë gjithashtu se tashmë ata jetojnë me frikën e fillimit të një rrjedhje dhe nuk janë të sigurt se këto çarje nuk kanë ndodhur edhe në sipërfaqen e mbuluar me dhe të murit, pasi me sy të lirë mund të shohësh vetëm një pjesë të dëmtimeve të jashtëm ndërsa të tjerat me sy të lirë nuk mund të konstatohen.

Specialistët

Madje, ditët e fundit ka pasur një situatë alarmante në këtë zonë pasi nga rrjedhja e shumtë e ujërave dhe mos funksionimi i rrjetit kullues ka pasur alarm të rreme se mund të kishte pasur një çarje muresh dhe disa persona kanë pyetur rojet që shërbejnë në objekt për t’u qetësuar. Ndërsa specialistet e ujësjellësit thonë se, depo në thellësi të tokës nuk ka asnjë rrezik çarje.

Mungesa e investimeve

Ndërkohë për vite kanë munguar investimet në të. Dhe ka pasur kritika në adresë të Ujësjellësit për mos investim në këtë objekt. Në vërejtjet e bëra është edhe një rast i përmendur se në ujësjellës ka shumë specialist militante dhe se po bëhen investime jo aty, ku duhet. Kështu është cilësuar abuzim investimi me tubacionet kryesore Dn 700 dhe Dn 600 dhe lënia jashtë kujdesit si dhe e nxjerrjen jashtë funksionit të arteries kryesore të furnizimit me ujë të depove të qytetit. Kjo është cilësuar si veprim që bëhet për interesa të ngushta dhe afatshkurtra duke dëmtuar në të gjithë rrjetin shpërndarës. Kjo sipas banorëve  bën të pamundur menaxhimin e tij dhe krijon një çoroditje në manovrimin e saraçineskave në të gjithë rrjetin. Është folur se po bëhen shpenzime marramendëse nga ndërmarrja për përmirësimin e furnizimit me ujë të zonave me 2000 banorë, shifra që kapin deri në dy miliardë lekë të vjetra. Investime kanë të bëjnë me linja të reja ujësjellësi në zona rurale si dhe rikonstruksione rrjetesh ekzistuese, blerje materialesh hidraulike dhe rikonstruksion zyrash dhe po lihet pas dore furnizimin me ujë të një qyteti me 200 mijë banorëve. Dhe neglizhohet edhe stabiliteti i një prej objekteve kryesore të këtij ujësjellësi si depo Nr. 1, e cila ndodhet ka filluar që të çahet gradualisht.