Bursat, si të aplikoni për specializim në SHBA

1458
Ambasada amerikane publikon kriteret dhe 16 fushat e programit për profesionistë që janë në mes të karrierës së tyre
Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës njoftoi se pranon aplikime për Programin Hubert H. Humphrey për vitin akademik 2019 – 2020. Programi Hubert H. Humphrey është për profesionistë që janë në mes të karrierës së tyre profesionale dhe me potencial udhëheqës të shkojnë në Shtetet e Bashkuara për një program dhjetëmujor, të nivelit pasuniversitar, jo në nivel diplome shtetërore, për kurse akademike dhe aktivitete të zhvillimit profesional. Duke iu ofruar udhëheqësve të ardhshëm dhe hartuesve të politikave një përvojë në shoqërinë dhe kulturën amerikane, si edhe fushat profesionale, programi siguron një bazë të qëndrueshme për lidhjet e frytshme mes amerikanëve dhe homologëve të tyre profesionistë jashtë shtetit. Kandidatët nominohen në bazë të potencialit për udhëheqje dhe përkushtim në shërbim publik.

Fushat e Programit
1 – Bujqësi dhe zhvillim rural
2 – Komunikim/Gazetari
3 – Abuzimi me lëndët narkotike në arsim, parandalimi dhe trajtimi
4 – Zhvillimi ekonomik/Financë, Bankë
5 – Administrata arsimore, planifikimi dhe politikat
6 – Administrata e Arsimit Universitar
7 – HIV/AIDS, Politikat dhe Parandalimi
8 – Menaxhim i burimeve njerëzore
9 – Ligj dhe të drejtat njerëzore
10 – Menaxhim i burimeve natyrore/Politikat mjedisore/Ndryshimet klimaterike
11 – Analizat e politikave publike dhe administrimi publik
12 – Mësimi i gjuhës angleze si një gjuhë e huaj
13 – Trajnimi në mësimdhënie dhe zhvillimi i kurrikulave
14 – Politikat dhe menaxhimi teknologjik
15 – Trafikimi njerëzor, politikat dhe parandalimi
16 – Planifikimi urban dhe rajonal

Kohëzgjatja e grantit
Programi Humphrey zgjat dhjetë muaj në një universitet në Shtetet e Bashkuara. Pjesëtarë të familjes mund të lejohen të shoqërojnë kandidatin sipas rastit dhe plotësimit të kritereve. Kandidatët janë të detyruar të kthehen në Shqipëri për të paktën 2 vjet në përfundim të Programit.

Kriteret e përzgjedhjes:
Aplikantët duhet të jenë qytetarë të Republikës së Shqipërisë.
Aplikantët duhet të jenë të punësuar në Shqipëri
Aplikantët duhet të kenë të paktën pesë vjet përvojë profesionale pune në fushën e studimit dhe të demonstrojnë aftësi lidership
Aplikantët duhet të kenë të paktën një diplomë të nivelit Bachelor nga një program studimi me kohë të plotë katër vjeçar (ose Diplome te programeve 3+1 ose 3+2 sipas Sistemit të Bolonjës) në fushën e tyre të studimit.
Aplikantët duhet të demonstrojnë aftësi lidershipi dhe përkushtim në shërbimin publik
Aplikantët duhet të kenë një nivel të mirë të gjuhës angleze të folur dhe të shkruar (në nivelin e 580 pikëve të provimit TOEFL; rezultatet e provimit të TOEFL nuk janë të detyrueshme në momentin e aplikimit.)
Aplikantët duhet të kualifikohen për të marrë vizë J-1.
Aplikantët duhet të kenë rekorde të mira shëndetësore.

SHËNIM: Qytetarët Amerikanë, rezidentët e përhershëm (mbajtës të Green Card), familjarë të afërt të punonjësve të Ambasadës së ShBA, përfitues të bursës Fulbright në pesë vitet e fundit, individë që janë regjistruar në programe studimi ose me përvojë studimi të mëparshme në Shtete e Bashkuara, të punësuar në Shtetet e Bashkuara, të martuar me qytetarë amerikan, ose që kanë aplikuar të emigrojnë ose kanë kërkuar azil në një vend tjetër nuk mund të aplikojnë.

Dispozitat Financiare
Programi Humphrey garanton shkollimin dhe shpenzimet universitare, pagesë mujore për jetesë, pagesë për libra dhe mjete shkollore, kompjuter, udhëtim vajtje-ardhje në institucionin pritës (dhe program të gjuhës angleze kur është e nevojshme për kandidatin) dhe udhëtim në Uashington D.C. për seminare të veçanta. Fonde shtesë janë të disponueshme për aktivitete profesionale si udhëtime profesionale ose pjesëmarrje në konferenca. Bursa Humphrey nuk rinovohet.

Procedura e aplikimit
Forma e aplikimit për Programin Fulbright për Studiues të Huaj duhet plotësuar në mënyrë elektronike. Aplikimet e plotësuara duhet të futen në sistemin embark jo më vonë se data 20 qershor, 2018.
Një aplikim i plotë përfshin:
Formularin e aplikimit
CV të detajuar
Dy letra reference
Kopje të përkthyera të diplomave dhe certifikatave të notave nga të gjitha institucionet akademike ku ke studiuar; kopjet e noterizuara nuk janë të domosdoshme.
Letër nga punëdhënësi që konfirmon punësimin
Kopje të faqes biografike të pasaportës
Certifikata të tjera (që lidhen me fushën e studimit)
Për informacion të mëtejshëm kontaktoni: Zyra e Marrëdhënieve me Publikun, Ambasada Amerikane, Tiranë Tel: 04 224-7285, email [email protected] ose faqen tonë në Facebook.
Kujdes: Aplikimet që do të dërgohen pas datës 20 Qershor 2017, apo do të dërgohen si dokument Google ose We tranfer nuk do të merren në konsideratë!
Sigal