Bulqizë, 5 minatorë tentojnë të vetëdigjen. Protestuan kundër bllokimit të punës

    436
    Sigal

    Kol Nikolla: Ministria e Energjitikës dhe Industrisë punon me dy standarde

    Mesditën e djeshme 5 minatorë tentuan të vetëflijoheshin, duke u djegur me benzinë, në shenjë proteste ndaj bllokimit të punës në minierë. Në një prononcim për “Telegraf”, Kryesindikalisti Kol Nikolla është shprehur se Ministria e Energjisë dhe Industrisë i ka hequr licencën një subjekti në zonën D, e cila ka qenë e nënkontraktuar nga ACR. Por, sipas Nikollës, ndërkohë në zonën “D” punojnë dhe subjekte të tjera të cilat kanë suport politik nga bashkia, apo dhe nga politika qendrore. “Zona “D” paraqet rrezikshmëri njësoj për të gjithë punonjësit, jo vetëm për ata të Tur-Alb-Krom. Ministria e Energjisë dhe e Industrisë punon me dy standarde”, thotë Nikolla. Për rrezikshmërinë e zonës “D” në Minierën e Bulqizës Kryesindikalisti Kol Nikolla ka folur herë pas here, duke ngritur zërin për mbylljen e krejt kësaj zone. “Gjithashtu Ligji i Punës thotë se në raste të tilla duhet bërë një protokoll marrëveshje midis Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë dhe sindikatës, që minatorët të paguhen me pagë të plotë deri në momentin që të dalin sërish në punë, kur mbyllen problemet dhe vendi është i sigurt për të punuar, sepse këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë fatkeqësi nga forca madhore, por me probleme organizimi” shprehet Nikolla. Ndaj, thotë ai, minatorët nuk kanë faj për kërkesën e tyre për t’iu rikthyer punës, njësoj si shokët e tyre. Është varfëria e tyre që i çon edhe në marrjen e masës ekstreme. “Të gjitha dikasteret përgjegjëse duhet të marrin masat që këta minatorë ose të punojnë njësoj si shokët e tyre të kompanive të tjera, ose të rrinë në shtëpi dhe të paguhen njësoj sikur edhe punojnë. Ndërkohë, një tjetër problem është edhe mospërcaktimi i strukturave në Ministrinë e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, ndaj dhe nuk funksionojnë këto struktura” përfundon Nikolla.

    Ngjarja

    Minatorët e Bulqizës kërkojnë rifillimin e punës në galeritë e bllokuara nga autoritetet, të cilat kanë vlerësuar se në këto galeri nuk përmbushen kushtet e sigurisë. Mesditën e djeshme 5 minatorë tentuan të vetëflijoheshin, duke u djegur me benzinë, në shenjë proteste ndaj bllokimit të punës në minierë. Kreu i sindikatave të minatorëve, Agron Basha ka deklaruar se shkak për aktet ekstreme të minatorëve është gjendja e vështirë ekonomike. “Për ne nuk është e rëndësishme kush është fajtor, por me rëndësi është që të punojmë. Minatorët i zbuluam në kohë, dhe nuk i lejuam të kryenin aktin fatal. U kam nisur te gjitha institucioneve shkresat e duhura për ecurinë dhe aktin e bllokimit të punës pa kriter. Minatorët kanë kushte të vështira ekonomike, kanë marrë kredi, overdrafte dhe duke mos punuar, kanë vendosur të marrin aktin e vetëflijimit”,- deklaroi Basha. Sipas kreut të sindikatave të minatorëve, “galeritë janë bllokuar me pretekstin se nuk përmbushin kushtet e sigurisë. Penalizmi më i madh për minatorët është bllokimi i punës”.

    Reagimi i Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë

    Ndërkaq, menjëherë ka reaguar Ministria e Energjisë dhe Industrisë, duke se Reparti i Inspektim, Shpëtim Minierave dhe Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore kanë kontrolluar situatën në zonën D në Bulqizë dhe në raport kanë konstatuar probleme të kushteve të sigurisë në subjektin “Tur-Alb Krom” shpk, i cili operon si nënkontraktor i koncesionit “Albanian Chrome”. “Referuar këtyre problemeve të theksuara me kushtet e sigurisë, Ministri i Energjisë ka urdhëruar pezullimin e pjesshëm të aktivitetit minerar për zonën D. Është detyrë ligjore e Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë që të monitorojë zbatimin e marrëveshjeve kontraktuale mes shtetit dhe subjekteve private, në të gjitha aspektet, përfshirë dhe veçanërisht sa i takon zbatimit të kushteve të sigurisë teknike” thuhet në deklaratë.

    Deri kur do vuajnë minatorët nga klientelizmi?

     Letër në redaksi nga Federata Sindikale e Punonjësve të Industrisë së Shqipërisë

    Drejtuar:

    Ministrit të Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri

    Ministrit të Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, z.Erion Velia

    Ministrit të Brendshëm, z.Saimir Tahiri

    Avokatit të Popullit, z.Igli Totozani

    Për dijeni:

    Kryetarit të Bashkisë Bulqizë, z.Mufit Duriçi

    Drejtorisë së Policisë së Qarkut Dibër

    Komisariatit të Policisë Bulqizë

    Deputetëve të zonës

    Të nderuar zotërinj!

    -Në zbatim të Ligjit Nr.8791, dt. 21.04.2001 “Për miratimin e marrëveshjes koncesionare të formës ROT” të Minierës së Kromit Bulqizë, midis Ministrisë së Ekonomisë Publike dhe Privatizimit dhe shoqërisë Darfo S.P.A (sot Albchrome shpk), ku bën pjesë sipas marrëveshjes së nënkontraktimit subjekti “Tur-Alb-krom” shpk me nr. 4095 rep.1363 kol datë 28.03.2012 (për zonën D), në Ligjin nr. 8741, dt. 15.02.2001 “Për sigurinë në punë në veprimtarinë minerare ne si Këshill Sindikal, kërkojmë sqarime si më poshtë vijon:

    1) Deri kur do të vazhdohet me ndërrimin e pronarëve dhe penalizmin e punëtorëve nëpërmjet klientelizmit të pushtetit?

    2) Për sa kohë do të vazhdojmë të trajtohemi si punëtorë të rinj dhe kush është padroni i ri?

    3)Pse nuk bëhen transparente lidhjet e përsëritura të nënkontraktimit të zonës D ku drejtpërdrejtë po ndëshkohen vetëm punëtorët e nënkontraktorit të zonës D?

    4)Çfarë do të bëhet me neve, ndërkohë që në fushatë na u premtua statusi i minatorit dhe jo ndëshkimi i menjëhershëm i punëtorëve?

    5)Përse nuk penalizohet koncesionari dhe si do të vazhdojë puna me neve, kush është fajtori?

    Këto dhe një sërë pyetjesh të tjera kërkojnë përgjigje nga ana Juaj?! Pikërisht por këtë po ju drejtohemi juve, i nderuar, Ministër dhe gjithë dikastereve të lartpërmendura, që nuk mund të lihen njerëzit në rrugë dhe pa bukë, sepse miniera e Bulqizës është i vetmi burim financiar për jetesën këtu. Ne si Këshill Sindikal do të ndjekim të gjitha hapat ligjore dhe do të vemi në dijeni të gjitha institucionet për situatën e krijuar, pavarësisht se ju jeni në dijeni. Mosmarrja e masave për zhbllokimin urgjent të situatës së krijuar për fillimin e menjëhershëm të punës doi të na detyrojë të futemi në greva të përshkallëzuara deri në grevë urie, sepse nuk mund të presim më tej, që të ngelemi pa bukë në pragun e Vitit të Ri, gjë që është bërë e modës për minatorët e Bulqizës. Në rast të shpërfilljes së kërkesësë tonë në do të bllokojmë edhe me forcë hyrjet e galerive, pasi i kemi ndërtuar vetë ne, ku punëtori më i ri ka mbi 20 vjet punë dhe nuk mund ta lerë aq kollaj një punë që e ka ndërtuyar me shumë mund gjak e sakrificë. Jemi në pritje të realizimit të kërkesave tona, të cilat janë të bazuara në legjislacionin shqiptar.

    Ju falenderojmë për mirëkuptimin!

    Këshilli Sindikal i Zonës “D” të kompanisë nënkontraktore

    Kryetar

    Agron Basha